Lajme

Koalicioni fitues do ta ketë problem formimin e Qeverisë

Autori: Gazeta inFokus 08:43 | 25 May 2017

Njohësi i proceseve politike në vend, Behxhet Shala, ka thënë se gara zgjedhore e 11 qershorit do të jetë interesante.

Ai ka mirëpritur largimin nga listat zgjedhore të individëve që kanë probleme me ligjin dhe nuk pret se kjo do të ketë ndikim në votën e elektoratit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka vlerësuar se koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe kandidati i tij për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka një përparësi për t’i fituar zgjedhjet. “Ramushi ka gjasa më tepër që të bëhet kryeministër”, është shprehur ai. Por, sipas tij, ky koalicion do ta ketë problem formimin e Qeverisë së re.

Shala thotë se pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të ketë zhvillime interesante, pasi sërish ndërkombëtarët do të ndërhyjnë për ndërtimin e një koalicioni, i cili për detyrë kryesore do ta ketë shtyrjen përpara të marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Epoka e re”: Z. Shala, si e komentoni përmbajtjen e listave zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit?
Shala: Listat kanë qenë të pritshme por, në krahasim me vitet e kaluara, ka një përparësi, sepse listat janë pastruar nga ata që kanë probleme me ligjin. Në këtë drejtim, PDK-ja ka bërë sakrificën më të madhe duke larguar ata që duhet të sqarohen me ligjin. PDK-ja ka larguar disa persona që i kanë sjellë shumë vota, por të cilët mund të rehatohen në një kombinim tjetër. Kurse LDK-ja i ka lënë jashtë listës ata që e kanë kundërshtuar Isa Mustafën. Ndërsa Vjosa Osmani e Arben Gashi janë ranguar larg prej pozicioneve të mëparshme. LDK-ja i ka zhvendosur ata që e kanë kundërshtuar Mustafën dhe vendimet e partisë, e kjo ka qenë e pritur. Për mua ka qenë befasi si ka pranuar Vjosa të jetë sërish pjesë e listës pas gjithë atij opozitarizmi brenda LDK-së. Edhe Shpejtim Bulliqi e ka ditur që nga fillimi se nuk mund të jetë pjesë e listës për shkak të qëndrimit të tij ndaj demarkacionit. Çdo parti i ka rregullat e veta të cilat duhet të respektohen. Kurse sa iu përket prurjeve të reja, ato i kanë pasur disa kushte dhe nuk kanë ardhur pse e kanë dashur LDK-në apo një parti tjetër. Një prej këtyre kushteve ka qenë rangimi diku në krye të listës. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! e ka bërë një listë të fuqishme duke i futur brenda saj të gjithë ata që mund të sjellin vota. Vetëvendosja! po luan me formacionin e parë për të fituar sa më shumë vota, por një pjesë e madhe e tyre nuk do të jenë deputetë, meqë do t’u kthehen pozitave të tyre. AAK-ja ka bërë një listë tradicionale. Kurse te Nisma mendoj se Fatmir Limaj nuk është dashur të jetë në listë, por është vendim i tij. Ndërkaq AKR-ja dhe Alternativa nuk kanë pasur problem, sepse krejt anëtarësinë i ka futur në listë.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera