Lajme

KMDLNJ viziton avokatin Halilaj: Nuk mori ushqim e ujë për rreth 22 orë

Autori: Gazeta inFokus 09:51 | 01 March 2019

Monitorues të KMDLNj-së kanë vizituar avokatin Gazmend Halilaj i cili është arrestuar me dyshimet në rastin e abuzimit të një të miture në Drenas. Ai po mbahet në ndalim policor në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

“Ai (avokati) pohoi se atë e kanë arrestuar 4 zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës, për të cilën gjë ai pohoi se nuk është në kompetencë të IPK-së dhe se arrestimin e tij e kanë bërë të njëjtët persona për të cilët një ditë më parë kishte bërë kallëzim penal”, thuhet në deklaratën e KMDLNj-së.

Halilaj i ka thënë monitoruesve të KMDLNj-së se gjatë arrestimit nuk i është prezantuar urdhri për arrest, ndërsa një zyrtar i IPK-së e ka kërcënuar gjatë intervistimit se ai do të dënohet me burg.

-Advertisement-

Po ashtu, avokati iu ka pohuar monitoruesve se gjatë qëndrimit në ndalim për rreth 22 orë nuk kishte marrë as ushqim dhe as ujë.

KMDLNj ka kërkuar sqarime nga zv.drejtoresha e Ndalimit dhe ajo ia ka konfirmuar se shpërndarja e darkës në këtë qendër bëhet në ora 18:00, ndërsa i ndaluari ka mbërritur aty në ora 18:30. Ajo citohet të ketë thënë se Qendra e Ndalimit nuk ka mundësi të sigurojë ushqim për të privuarit që vijnë pas kësaj ore.

“Kurse të nesërmen, më datë 28.02.2019 stafi i pohuan KMDLNj-së se z. Halilaj ka marrë mëngjesin dhe drekën. Avokatin me datë 27.02.2019 e kanë vizituar edhe stafi i emergjencës shëndetësore dhe është trajtuar me barërat e pacaktuara nga mjeku”, vijon deklarata.

Avokati Halilaj nuk ka pasur asnjë vërejtje në sjelljen e stafit të uniformuar, as policëve të cilët e kanë transportuar dhe as ata të Qendrës së Ndalimit.

Atij i janë marrë për hetim 4 telefona celularë për të cilët ka nënshkruar formularin si dhe është intervistuar në prani të avokatit të cilin e ka angazhuar personalisht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera