Lajme

KMDLNJ: I padrejtë suspendimi në Qendrën Korrektuese në Dubravë

Autori: Gazeta inFokus 13:45 | 29 August 2018

KMDLNJ përmes një komunikate për shtyp e ka vlerësuar si të padrejtë suspendimin e dy oficerëve korrektues dhe dy punëtorëve shëndetësorë, pasi një i paraburgosur kreu vetëvrasje, duke u varur.

Sipas këtij këshilli, shërbimi korrektues si dhe qendra korrektuese kanë mungesë të theksuar të stafit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, në përgjithësi dhe Qendra Korrektuese në Dubravë kanë mungesë të theksuar të stafit prandaj e kanë të pamundur t’i mbulojnë të gjitha rastet. Për rastin konkret të vetvrasjes së I.K , KMDLNj e thekson se Spitali ( njësia ambulantore e Q.K në Dubravë) kryesisht i ka dy oficerë korrektues gjë që e bënë të pamundur mbulimin e rasteve dhe vetëm në rast emergjente shtohet numri i oficerëve korrektues”.

-Advertisement-

Reagim i KMDLNj – së:

Suspendimi i padrejtë në Qendrën Korrektuese në Dubravë !

Sipas informatave të KMDLNj –së të mbështetura në vizitat monitoruese dhe raporteve nga Q.K në Dubravë, me datë 27.08.2018, rreth orës 04:25 min. në dhomën e Spitalit (njësisë ambulantore sipas KMDLNj-së) ku ishte duke u trajtuar është vetvarur I.K i lindur më 22.11.1987 në fshatin Tërpezë, komuna e Malishevës pas së cilës janë suspenduar dy oficerë korrektues dhe dy punëtorë shëndetësorë. I vetvaruri I.K ka qenë i paraburgosur dhe i akuzuar për vepër penale “vrasje e rëndë në tentativë “ dhe i është caktuar masa e paraburgimit nga data 11.04.2018 nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Ai është transferuar në Q.K në Dubravë me datë 03.07.2018 nga Q.P në Prizren pas një tentim për vetvarje në Prizren dhe pas gjendjes së rënduar psikike. Gjatë qëndrimit në Q.K të Dubravës është trajtuar rregullisht nga mjeku, psikiatri dhe psikologu.

Kurse , me propozim të mjekut me 30.07.2018 është dërguar në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë nga është kthyer më 20.08.2018 dhe gjendja e tij është vlerësuar e përmirësuar dhe nuk ka pasur ndonjë rekomandim për një përcjellje të shtuar për të burgosuri I.K.

Para se të kthehej nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike e që nuk ka rekomanduar përcjellje apo vëzhgim të shtuar, nga stafi i Q.K të Dubravës ka qenë një propozim për përcjellje permanente , me datë 18.07. 2018 kurse me 25.07.2018 e kanë zvogluar përcjelljen nga ajo permanente në çdo 10 minuta e që është respektuar nga stafi korrektues.

Gjatë qëndrimit në Q.K të Dubravës tash i ndjeri I.K ka bërë dy përpjekje për vetvrasje; më 18.07.2018 ka shkaktuar vetlëndime në dy duart kurse me 21.07.2018 ka bërë përpjekje që të fusë një kabllo në prizën e rrymës që të vetvritet por është penguar nga stafi korrektues.

Gjendja e rëndë psikike del të jetë si pasojë e vepres penale shkaku se pas një ngatërrese e ka vrarë vëllaun.

KMDLNj edhe më herët ka theksuar se SHKK nuk ka kapacitete të nevojshme profesionale për trajtimin e rasteve të rënda e sidomos të atyre që kanë çrregullime të rënda mendore prandaj ka rekomanduar ndërtimin e një Spitali për nevojat e Shërbimit Korrektues të Kosovës që do t’i përmbushte standardet për trajtimin e këtyre rasteve dhe rasteve të tjera e që nuk është përfillur deri më tani prandaj po përsëriten rastet e tilla , nga viti në vit.

Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë ( Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve), Ministria e Drejtësisë ( Shërbimi Korrektues i Kosovës) duhet të trajtojnë këtë rekomandim me serozitet dhe urgjencë në të kundërtën do të bartin përgjegjësi konkrete për pasojat siç janë vetvrasjet, vetlëndimet për shkak të pamundësisë së trajtimit profesional të duhur.

Për trajtimin shëndetësorë dhe pasojat eventuale për mungesë të trajtimit, Institucionet e Kosovës , të përmenduara më lart, bartin përgjegjësi konkrete që nga çasti i arrestimit e deri i te lirimi i të privuarve nga liria. Improvizimet që janë bërë deri më tani duke i dërguar kohë pas kohe në institucionet shëndetësore apo duke improvizuar “dhoma të veçanta për të burgosur “ janë treguar të pasuksesshme dhe më shumë kanë shërbyer për pushim të VIP të burgosurve se për përmbushje të nevojave të të privuarve nga liria që kanë probleme serioze shëndetësore.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, në përgjithësi dhe Qendra Korrektuese në Dubravë kanë mungesë të theksuar të stafit prandaj e kanë të pamundur t’i mbulojnë të gjitha rastet. Për rastin konkret të vetvrasjes së I.K , KMDLNj e thekson se Spitali ( njësia ambulantore e Q.K në Dubravë) kryesisht i ka dy oficerë korrektues gjë që e bënë të pamundur mbulimin e rasteve dhe vetëm në rast emergjente shtohet numri i oficerëve korrektues.

Për këtë arsye KMDLNj e sheh të padrejtë suspendimin e dy oficerëve korrektues dhe shëndetësorë për rastin I.K për faktin se nuk kanë pasur rekomandim apo urdhëresë për përcjellje permanente apo trajtim të veçantë për të paraburgosurin e vetvarur pas kthimit nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike e cila është dashur të ketë rekomandime konkrete për trajtim.

KMDLNj e ngre zërin dhe kundërshton fuqishëm rastet kur të privuarit nga liria mbahen ne institucionet e mbajtjes të cilat nuk kanë as kapacitet profesioanl të mjaftueshëm e as kushte fizike të mbajnë këtë kategori të të privuarve nga liria por ata duhet të mbahen në institucionet përkatëse , jashtë objekteve të burgut deri sa të ndërtohet një spital për SHKK e që do të kishte kapacitet profesional dhe material për trajtimin e këtyre rasteve.

KMDLNj kërkon që me urgjencë të rritet numri i stafit korrektues, që ai të jetë profesional e sidomos ata që merren me trajtim e të miturve dhe femrave sikur edhe ata që duhet të merren me trajtimin e rasteve me probleme të ndryshme shëndetësore dhe e kundërshton faktin që për shkak të neglizhencës së institucioneve përkatëse e tërë përgjegjësia të bartet te oficerët korrektues, shëndetësorë dhe administrativ, që në raste te caktuara suspendohen nga puna, pastaj dalin të pafajshëm e që nuk paraqet kurrfarë zgjidhje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera