Lajme

KMDLNJ: Moslejimi i shamisë në shkolla s’paraqet shkelje të të drejtave të njeriut

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 16 August 2022

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar lidhur me debatin e ditëve të fundit për udhëzimin administrativ që lejon bartjen e shamisë në shkolla.

Ata kanë thënë se në KMDLNJ janë paraqitur disa raste kur femrat me mbulesë ishin diskriminuar nga vendet e punës, apo edhe kur disa nxënëse të shkollave fillore ishin larguar nga procesi mësimor, dhe për këtë kanë reaguar disa herë.

Mirëpo, KMDLNJ-ja konsideron se bullzimi apo sigmatizimi është shkelje e të drejtave të njeriut, ndërkaq sa i përket moslejimit të mbulesës, KMDLNJ-ja konsideron se kjo është e rregulluar me ligj dhe se nuk paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

-Advertisement-

“Ky Udhëzim Administrativ është ende në fuqi në Kosovë, është i zbatueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë nuk mund të kundërshtohet përjashtuar rastit kur eventualisht do të shfuqizohej e për të cilin është i domosdoshëm ndryshimi i Kushtetutes aktuale e që, së paku deri më tani nuk është ndonjë nismë e tillë”, thuhet në komunikatë.

Ata më tej kanë thënë se premtimet e subjekteve politike gjatë fushatave nuk kanë qenë të duhura dhe vetëm kanë nxitur debate të panevojshme.

“Bartja apo mosbartja e shamisë për nxënëset nën moshën 18 vjeçe është shndërruar thuaja tërësisht në fushatë politike dhe po bëhet për qëllime politike. Jo pse mungon e drejta për ushtrim të drejtave dhe të lirive fetare. Në këtë kontekst është i papranueshëm dhe i dënueshëm linçimi publik i të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të shamisë për nxënëset e moshës jomadhore dhe që kërkojnë të zbatohet Udhëzimi Administrativ në fuqi dhe të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Edhe ky linçim po bëhet në formë të fushatës”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ-ja ndër të tjera ka konstatuar se çdo imponim apo keqpëdorim i autoritetit të prindit ose kujdestarit që e detyron një femër të moshës jomadhore, nën moshën 18 vjeçe të bartë shami paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe, si e tillë duhet të dënohet nga institucionet përkatëse.

“Mbështetur në ligjet në fuqi ku qartazi janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet, KMDLNJ-ja propozon një prerje të qartë midis institucioneve arsimore publike dhe atyre fetare. Në institucionet arsimore publike, si shenjë identifikuese duhet të jetë një uniformë unike, pa lejuar asnjë simbol apo veshje fetare, pa asnjë përjashtim në mënyrë që të mos lejohet asnjë diskriminim apo supremacion të një besimi, pavarësisht numrit të praktikuesve”, thuhet ndër të tjera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera