Lajme

KMDLNJ kërkon që një të burgosuri t’i mundësohet trajtimi shëndetësor jashtë vendit

Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 26 May 2021

Monitorues të KMDLNJ –së kanë vizituar të paraburgosurin, T.M., 37 vjeç, me banim në Prishtinë e që po trajtohet në QKUK për faktin se në Burgun e Dubravës nuk ka mundësi të trajtohet sa dhe si duhet.

Familja e T.M. i është drejtuar KMDLNJ-së me një deklaratë të cilës i ka bashkangjitur një dosje mjekësore me të cilën vërteton se gjendja shëndetësore e tij është e rëndë, me tendencë të përkeqësimit nëse nuk i ofrohet ndihma e duhur mjekësore dhe se këto shërbime, përkatësisht analiza/biopsi nuk bëhen në QKUK apo në ndonjë spital privat në Kosovë përveç në Shkup, ku është trajtuar për një kohë të gjatë.

KMDLNJ thotë se i paraburgosuri T.M. është vetëm me një veshkë dhe atë e ka të transplantuar, andaj e ka një gjendje delikate shëndetësore e cila kërkon trajtim profesional e që, në vendin tonë dhe në rrethanat aktuale nuk mund t’i ofrohet.

-Advertisement-

“Për analizën/biopsinë, i paraburgosuri T.M. duhet të shkojë në një spital privat në Shkup e që, për shkak se është i privuar nga liria dhe nën hetime e ka të pamundur ta bëjë këtë, pa lejen e gjykatës”, thuhet në reagim.

KMDLNJ kujton se ka mandat të kërkojë që të paraburgosurit t’i ofrohet mundësia për trajtim të nevojshëm shëndetësor në mënyrë që t’i mos i rrezikohet jeta, e cila e drejtë është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria.

Në momentin e privimit nga liria, qoftë si i paraburgosur apo i dënuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës e merr tërë përgjegjësinë për shëndetin e të paraburgosurit dhe krijon kushte për trajtim profesional, në zbatim të një vendimi të gjykatës kompetente që vendosë për të paraburgosurin, deri në çastin kur lirohet ose dënohet dhe dërgohet në mbajtje të dënimit me burg efektiv, pas plotfuqishmërisë së vendimit, thuhet më tej në reagim.

KMDLNJ kërkon nga SHKK dhe gjykata kompetente që me seriozitetin më të madh të trajtojnë rastin e të paraburgosurit T.M., duke ia mundësuar kushtet për trajtim përkatës dhe të domosdoshëm, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut të personave të privuar nga liria dhe si detyrim i gjykatës përkatëse dhe SHKK-së, për respektim, mbrojtje dhe zbatim të këtyre të drejtave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera