Lajme

KMDLNJ: Daka u sulmua sepse Kushtetuesja mori vendim kontravers

Autori: Gazeta inFokus 14:40 | 25 January 2021

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) e ka vlerësuar si kontrovers vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi dhe për ndalimin e kandidimit për deputetë ndaj atyre që kishin dënime për vepra penale në tre vjetët e fundit.

Sipas KMDLNJ-së, këto vendime shkelin të drejtat e njeriut.

“Pas një vendimi kontrovers dhe politik të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nxori gjithashtu dy vendime kontroverse; dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme shkaku se vota e ish-deputetit Etem Arifi, i dënuar me më shumë se një vit burg, me një vendim të plotfuqishëm të gjykatës kompetente për vepër penale, u shpall e pavlefshme dhe vendimi i dytë ishte se asnjë kandidat i dënuar për çfarëdo (!!!!) vepre penale në tre vjetët e fundit, me një vendim të formës së prerë, nuk mund të garojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. KMDLNJ-ja vlerëson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të padrejta dhe se shkelin të drejtat e njeriut në mënyrën më flagrante të mundshme”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

-Advertisement-

Në këtë reagim KMDLNJ-ja ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndikuar të sulmohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror për Zgjedhje është një institucion i pavarur dhe deri më tani këtë punë e ka kryer me kompetencë duke u radhitur ndër institucionet më të besueshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sidomos ai për përjashtimin e 47 kandidatëve nga e drejta për të garuar në zgjedhjet e radhës, ka ndikuar që KQZ-ja të jetë institucioni më i sulmuar në Kosovë, kurse kryetarja e KQZ-së Valdete Daka të jetë personi më i linçuar dhe më i kërcënuar në Kosovë në kohën kur as KQZ-ja e as Valdete Daka nuk kanë asnjë përgjegjësi, subjektive ose objektive qoftë ajo”, theksohet në reagimin e këtij këshilli.

Po ashtu KMDLNJ thotë se “ligji vlen edhe për KQZ-në e Valdete Dakën dhe në rast se nuk zbatojnë atë, do të bartin përgjegjësi penale”.

Sipas KMDLNJ-së, liderët politikë duhet të jenë ata që nuk duhet të lejojnë sulmet ndaj KQZ-së dhe Valdete Dakës dhe “me shembullin e tyre duhet të dëshmojnë se janë për një shtet ligjor dhe shtet të së drejtës e që së paku deri më tani një numër i tyre e ka bërë të kundërtën”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera