Lajme

Klithma seksi në zyrë – Si u zbulua skandali seksual me të miturën në Komunën e Ferizajt

Autori: Gazeta inFokus 18:52 | 08 February 2018

Për rreth 3 orë ka qëndruar i mbyllur brenda zyrës, me një të mitur, shefi i Zyrës për Komunitete në Komunën e Ferizajt Rexhep Bajrami. Pesë punonjës tjerë të komunës po pretendojnë se Bajrami kishte qenë duke kryer marrëdhënie seksuale me 15 vjeçaren E.B., po ashtu e komuniteteve pakicë, pasi kanë dëgjuar klithma. Zyrtari komunal është suspenduar nga puna pak orë pasi ka shpërthyer skandali, derisa rasti po trajtohet edhe nga Prokuroria dhe Policia. Express merr vesh se ndaj Rexhep Bajramit ekziston edhe një aktakuzë për “marrëdhënie seksuale nën moshën 16 vjeçare”, ku viktima ishte po e njëjta e mitur
Rexhep Bajrami, shef i Zyrës për Komunitete në Komunën e Ferizajt, të mërkurën është suspenduar nga puna, me vendim të kryetarit të Komunës. Kjo pasi Bajrami, pjesëtar i komunitetit ashkali, po dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale brenda zyrës së tij, në objektin e Komunës së Ferizajt, me një 15-vjeçare, po ashtu pjesëtare e komuniteteve pakicë.

Për rastin, të enjten, ka folur shefi i kabinetit të kryetarit Agim Aliu, Selim Marevci. I njëjti rastin e cilëson si “ngacmim seksual”, duke mos konfirmuar se akti të jetë kryer brenda zyrës.

“Dje në mesditë, në Komunën e Ferizajt, sipas informatave, fillimisht të sigurimit poshtë që ka komuna, është raportuar se po dyshohet se në zyrën lartë, që është për komunitete, po ndodh një rast ngacmimi seksual në zyrë. Me të marrë këtë dyshim, sigurimi poshtë ka lajmëruar policinë, dhe sipas dëshmitarëve që kanë qenë prezent aty, fillimisht ka hezituar ta hapë derën zyrtari, dhe pas rreth një ore është hapur dera dhe janë marrë në pyetje nga policia personi i mitur dhe zyrtari në fjalë”, ka thënë për Gazetën Express, Selim Marevci.

-Advertisement-

“Me t’u informuar kryetari, në koordinim me Zyrën ligjore dhe me zyrën e personelit, ka marrë vendim për një masë administrative ndaj zyrtarit në fjalë, që t’i pezullojë marrëdhënien e tij të punës me Komunën e Ferizajt”, ka shtuar Marevci, i cili është edhe zëdhënës i komunës.

Rastin është duke e hetuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, që të enjten ka intervistuar 4 dëshmitarë, punonjës të komunës.

Shukri Jashari, kryeprokuror në Ferizaj, të enjten tha se hetuesit një ditë më parë nuk kanë arritur të sigurojnë prova se ka ndodhur akti seksual i zyrtarit me të miturën E.B., në zyrën në Komunë, por tha se hetimet janë duke i vazhduar.

“Me qëllim të zbardhjes së rastit janë autorizuar njësiti i forenzikës që të bëjë ekzaminimin e zyrës, si dhe janë identifikuar katër dëshmitarë të cilët janë duke u intervistuar. Varësisht prej rezultateve të këtyre hetimeve edhe do të veprojmë më tutje”, tha Jashari për Gazetën Express.

Gazeta Express ka mësuar se rasti në fjalë kishte dalë në pah pikërisht pasi katër punonjës të komunës së Ferizajt kishin njoftuar sigurimin e komunës dhe policinë se brenda zyrës së Komuniteteve, shef i të cilës është Rexhep Bajrami, për rreth tri orë ka qëndruar 15-vjeçarja E.B. me të cilën pretendohet se ka kryer marrëdhënie, dhe janë dëgjuar klithma të tilla seksi.

Sipas, burimeve, të njëjtët kishin trokitur në derën e zyrës së Bajramit, i cili kishte refuzuar për rreth një orë ta hapte atë, deri kur në komunë kanë arritur pjesëtarët e policisë. I dyshuari ishte arrestuar, por më pas është liruar pas intervistimit.

Në Policinë e Ferizajt kanë thënë se nuk kanë gjetur elemente të veprës penale për të cilën është pretenduar. Ndaj, rast nuk kanë hapur.

Express ka kontaktuar përmes telefonit edhe të dyshuarin. Ai të enjten nuk ka pranuar që të komentojë ngjarjen, por ka premtuar se të premten mund të deklarohet.

Nga ana tjetër, Gazetës Express i është konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt se ndaj te njëjtit zyrtar komunal, vitin e kaluar është ngritur një aktakuzë për natyrë të njëjtë të veprës penale “Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet”. Pikërisht, viktimë e të njëjtit rast rezulton të këtë qenë e njëjta e mitur, E.B., me të cilën po pretendohet se Bajrami kreu aktin në zyre edhe të mërkurën pasdite.

Për rastin e fundit Rexhep Bajrami, siç mëson Gazeta Express, ka deklaruar në polici se 15-vjeçarja kishte ardhur tek ai në zyrë për t’i kërkuar para dhe se për një gjë të tillë e ka dërguar prindi i saj. Aktin seksual brenda zyrës e ka mohuar edhe viktima, merr vesh gazeta.

Për 15-vjeçaren, burime të Gazetës Express kanë marrë vesh se policia ka pasur raste të hapura edhe më parë për dyshimet se, përkundër moshës minore, ofron shërbime seksuale me pagesë.

Megjithatë, në Policinë e Ferizajt të enjten kanë refuzuar t’i konfirmojnë këto pretendime.

Derisa, rasti po trajtohet nga autoritetet e sigurisë, në Komunën e Ferizajt është thënë se vendimi ndaj zyrtarit të saj do të vazhdojë të jetë në fuqi, deri në ndryshimin e tij.

Por, shefi i kabinetit të kryetarit Aliu dhe njëherësh zëdhënës i Komunës, Selim Marevci, thotë se përkundër rrjedhës së hetimit dhe rezultateve të Policisë dhe Prokurorisë, në fund vendimin rreth punës zyrtare të Rexhep Bajramit e merr Komisioni Disiplinor dhe Kryetari i Komunës së Ferizajt.

“Ne kemi edhe një komision disiplinor të Komunës dhe varësisht prej vendimit të Komisionit Disiplinor dhe vendimit të tyre, atëherë edhe Kryetari merr vendimin e mëtutjeshëm”, tha ai.

Drejtuesi i zyrës për komunitete në Komunën e Ferizajt, Rexhep Bajrami, në qytetin e tij të lindjes njihet edhe si karateist i dalluar, në kohën kur ushtronte këtë sport. Ai krahas punës zyrtare, drejton edhe një klub karateje në Ferizaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera