Lajme

Klinaku: Veteranët nuk kanë se çfarë kërkojnë nëpër Serbi, ajo po vazhdon përditësimin e listave të Interpol-it me emrat e tyre

Autori: Gazeta inFokus 10:42 | 05 August 2024

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka kërkuar nga veteranët e luftës të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, e sidomos kur udhëtojnë nëpër Serbi.

Klinaku, para disa ditësh në një reagim publik, ka thënë se Serbia po vazhdon t’i përditësojë listat, duke futur veteranë në listën e Interpol-it.

Klinaku, tha se veteranët e luftës nuk duhet të kalojnë nëpër Serbi dhe as në vendet që shtetin serb e konsiderojnë mik.

-Advertisement-

“Thirrja ime vazhdimisht për veteranët është që nuk bën më kalu nëpër Serbi, nuk bën me kalu në shtetet sllave apo në vendet që e konsiderojnë mik Serbinë. Sa i përket Shqipërisë, nuk kanë nevojë të frikësohen hiç, pasi e dinë që Shqipëria nuk e ekstradon askënd. Thirrja ime ka qenë, veteranët e luftës nuk kanë se çfarë kërkojnë nëpër Serbi, sepse ata vazhdimisht po i ndjekin, por edhe rreziku tashmë është edhe në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, pra në shtetet mike të Serbisë,” u shpreh ai për Telegrafin.

Ndërkaq, sa i përket kosovarëve që Serbia po i ndalon dhe po i mban në burg, Klinaku tha se qytetarët që po ndalohen nuk kanë qenë as të përfshirë në luftë.

“Aa persona që po i mbajnë në paraburgim nuk janë veteranë të luftës, dhe njerëzit kanë qenë në Gjermani dhe nuk kanë fare të bëjnë me luftë, por edhe vetë familjarët e tyre kanë treguar këtë”, theksoi ai.

Sipas Klinakut, në këto raste duhet të ketë reagim edhe nga ndërkombëtarët, pasi që Serbia nuk mund të ndjekë askënd.

Mes tjerash, Klinaku shtoi se për çdo gjë që ka ndodhur në Kosovë ka përfunduar me Tribunalin e Hagës, ku është thënë që shtetet veç e veç duhet të ndjekin ata që kanë bërë krime lufte.

Ai po ashtu shtoi se nëse ndonjë shqiptar ka bërë ndonjë gjë, atëherë ata duhet të ndiqen vetëm nga Gjykatat e Kosovës.

Si përfundim, Klinaku tha se “përndjekjet që po i bën Serbia janë kundërligjshme, ndaj tyre nuk pritet mirë dhe ne i konsiderojmë pushtues”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera