Lajme

Kjo është vlera e saktë e pensioneve me rritje në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 21:28 | 22 February 2019

Të gjithë pensionistët në Kosovë nga sot kanë marrë pensionet me rritje. Kjo, pas miratimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e tyre prej 15 deri në 20%.

Vendimi për rritjen e pensioneve është marrë për pesë kategoritë pensionale, ato bazike, kontributdhënëse, pensionet familjare, të invalidëve në punë dhe të pensionistëve të Trepçës.

Këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna, në një prononcim për Indeksonline ka treguar se nga sa do të jenë tani pensionet për të gjitha kategoritë.

-Advertisement-

Të moshuarit nga 75 euro sa merrnin paraprakisht tani do të marrin pension prej 90 eurosh. Ndërsa, përfituesit nga pensionet e Trepçës, do të marrin 25 euro më shumë, nga 105 euro sa merrnin më parë, tani do marrin 130 euro.

“Për pensionet bazike përafërsisht ata kanë marrë 75 euro ndërsa tani me 20% rritje do t`i marrin 90 euro, ndërsa sa i përket pensioneve të Trepçës deri më tani ata kanë marrë 105 euro, tani përafërsisht do t`i marrin 130. Te pensionet kontribut dhënëse janë katër kategori brenda këtij sektori që varet varësisht prej nivelit të shkollimit edhe ju rritet prej 15%, varet niveli i shkollimit dhe në cilën kategori bien. Ndërsa te pensionet familjare dhe këto invalidore po ashtu i kanë marrë nga 75 euro dhe do t`i marrin rreth 90 euro me rritjen prej 20%”, tha Rafuna.

Ai më tutje ka bërë të ditur se në Kosovë janë rreth 179 mijë pensionistë. Sipas tij, buxhetit të Kosovës kjo rritje do i kushtojë 30 milionë euro.

“E gjithë kjo rritje është e paraparë me buxhetin e vitit 2019 dhe do të jetë 30 milionë euro. Do me thënë do të jetë shuma 30 milionë euro, e cila është një shumë e mjaftueshme, sipas kalkulimeve tona që i kemi bërë”, shtoi ai.

Ekzekutimin e pensioneve me rritje, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook.

Ai premtoi se do të vazhdojnë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë e tjera.

“Sot i procesuam për pagesë pensionet me rritje prej 20%, për kategoritë e pensionit bazë, pensionit familjar, pensionit invalidor të punës dhe pensionet e parakohshme të Trepçës, si dhe pensionet kontributive me rritje prej 15%, duke përfshirë edhe pagesën retroaktive të muajit janar. Si ministër i MPMS, mbetem i përkushtuar që edhe në vijim, brenda mundësive buxhetore të vazhdojmë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë tjera të përfituesve të skemave sociale dhe pensionale”, shkroi Reçica.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera