Fokus

Kjo është strategjia e Kosovës për tu mbrojtur nga hakerët

Autori: Halil Berisha 10:58 | 21 November 2019

Çka është kibernetika dhe siguria kibernetike?

Kibernetika është shkenca e komunikimeve dhe sistemit automatik të kontrollit si në makina ashtu edhe tek njerëzit.

E kjo fushë u zhvillua shumë me zbulimin e futjen në praktikë të internetit, shkruan gazeta inFokus.

Por, bashkë me përparësitë e shumta, erdhën edhe rreziqet.

Këto, nuk u kanosen vetëm individëve, por mund të jenë shumë të dëmshme edhe për një shtet të tërë.

Andaj, vendet, rëndësi të posaçme i kushtojnë rëndësisë së kësaj fushe, duke rritur në masë sa më të madhe sigurinë kibernetike.

Kjo, pasi përmes internetit e pakove të të dhënave që transmetohen nëpër të gjithë botën, ashtu si hakerët individual, edhe shtetet, tanimë luftën nga armët e kanë transferuar botën virtuale, shkruan gazeta inFokus.

Përparësi e kësaj lufte është se në shumicën e rasteve, por jo gjithmonë, nuk ka pasoja në njerëz, mirëpo mund të jenë fatale për ekonominë, intelegjencën e mirëqenien e një shteti.

Shembuj të sulmeve të mëdha kibernetike

Sulmet kibernetike, nuk janë të rralla.

Madje, shpesh ato atakuan edhe shtete e organizata shumë të fuqishme botërore, shkruan gazeta inFokus.

Një nga rastet që mbahet mend është ai i vitit 2007 ndaj Estonisë.

Në këtë vit, një seri sulmesh kibernetike, cak patën shumë faqe të internetit të organizatave të këtij vendi, duke përfshirë parlamentin, bankat, ministritë e mediat.

Kjo dyshohet se u bë nga shteti rus, pasi ndodhi menjëherë pas mosmarrëveshjeve për lokacionin e të ashtuquajturit “Ushtarit të Bronztë të Tallinn-it” dhe varreve të luftës në Tallin.

Një vit më vonë, një shtetas i Estonisë, por me kombësi ruse u arrestua e u dënua për sulmin.

Sulmi kibernetik i vitit 2010 në Burma.

Ky sulm, ndodhi në vitin 2010, përmes metoës së njohur “DDOS”, që filloi më 25 tetor, duke ndikuar direkt në zgjedhjet e përgjithshme të këtij vendi.

Këto zgjedhje ishin të parat e këtij vendi në 20 vite, shkruan gazeta inFokus.

Sulmet cak kishin shpërndarësit e internetit dhe ministrinë e telekomunikacionit.

Sot, e kësaj dite, motivet e këtij sulme nuk dihen, edhe pse mendohet që u bë nga qeveria e vet Burmës.

Sulmet e përvitshme ndaj Izraelit

Që nga viti 2013, Izraeli, për çdo vit, në mes të muajve Prill e Maj, përballet me sulme të mëdha kibernetike.

I njohur si “OpIsrael”, grupi i njohur si “Anonymous”, në ditën e përkujtimit të Holokaustit, bën sulme të koordinuara ndaj qeverisë së Izraelit, por edhe organizatave e kompanive private të këtij vendi.

Sulmet e vitit 2008 në SHBA

Edhe pse njihet si vendi me sigurinë më të madhe kibernetike, as SHBA-të, nuk i kanë shpëtuar sulmeve të kësaj natyre.

Madje, sulmi i vitit 2008, njihet si thyerja më e madhe e kompjuterëve të ushtrisë së SHBA-ve, në histori, shkruan gazeta inFokus.

Krejt kjo filloi me një USB e infektuar me virus nga një agjenci e huaj e inteligjencës, e cila u la në parkingun e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve në një bazë më Lindjen e Mesme.

Në të kishte një kod, i cili u aktivizua pasi u fut në një laptop i lidhur me komandën qendrore të SHBA-ve. Nga atje, u shpërnda në sisteme tjera, si të klasifikuara ashtu edhe të paklasifikuara.

Pentagoni harxhoi pothuaj 14 muaj që ta fshij virusin, i cili u emërua agent.btz, i cili kishte aftësi që të skanoj kompjuter për të dhëna, e t’i dërgoj ato në një server tjetër.

Kjo u dyshua që u bë nga hakerët rus, sepse ata kishin të njëjtin kod që e ka bërë “agent.biz” edhe para këtij sulmi.

E për të ndaluar atë, Pentagoni, pati ndaluar USB-të dhe pati ndalur komandën e lëshimit automatik nëpër serverët e Ëindoësit.

Sulmi në samitin e G20

Madje, veç SHBA-ve, sulm kibernetik pati edhe në samitin e G20.

Sulmi ndodhi pak para fillimit të samitit në Paris, në shkurt të 2011, shkruan gazeta inFokus.

Sulmi u bë përmes një emaili të infektuar, i cili mori akses në kompjuterin që e hapi, nga i cili u sulmuan pastaj vendet që ishin pjesë e saj.

Kosova tani ka hartuar Strategjinë e Sigurisë, ku theks të veçant i kushton Sigurisë Kibernetike

Strategjia e Sigurisë, u miratua në Këshillin e Sigurisë më 16 korrik të këtij viti.

Ndërsa, në Qeverinë e Kosovës, 3 ditë më pas, më 19 korrik, shkruan gazeta inFokus.

E një pjesë të saj, e ka publikuar zv. Ministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, e ku e cila flet për planin e Kosovës, sa i përket sigurisë kibernetike.

Kjo e fundit, konsiderohet ndër çështjet më të ndjeshme e më të rëndësishme, jo veç për Kosovën, por për të gjitha vendet, tash në shekullin e 21.

Andaj, në këtë formë edhe kjo pjesë është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës, shkruan gazeta inFokus.

Kështu, Republika e Kosovës, synon që të ofroj mjedis të sigurt të hapësirës kibernetike, duke rritur kontrollet për parandalimin e realizimit të kërcënimeve kibernetike e minimizimin e ndikimit që ato mund të kenë në rast të realizimit.

“Me qëllim të forcimit të kapaciteteve shtetërore për sigurinë kibernetike dhe përmirësimit të kapaciteteve reaguese, Republika e Kosovës përqendrohet në rritje të ekspertizës, pajisjeve, teknologjisë, ndërlidhjes dhe komunikimit, si dhe vetëdijesimit të institucioneve publike”, thuhet në Stragjinë e Sigurisë së Kosovës.

E që kjo të bëhet në mënyrë sa më të mirë, padyshim që nevojitet edhe bashkëpunim sa më i mirë i institucioneve të kësaj fushe, shkruan gazeta inFokus.

“Ndër-veprueshmëria midis të gjitha institucioneve për të garantuar sigurinë e rrjetit dhe sigurinë e informacionit, bashkë me ekspertizën dhe modernizimin e teknologjisë, janë parimet kryesore të veprimeve institucionale në sigurinë kibernetike”, thuhet në strategjinë.

Prioritetet e Sigurisë Kibernetike në kuadër të Sigurisë Shtetërore të Kosovës

Kështu, Ramadani, ka publikuar edhe veprimet që janë prioritare sa i përket sigurisë kibernetike në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës fuqizojnë kapacitetet me qëllim të parandalimit, luftimit dhe mbrojtjes nga krimi kibernetik, terrorizmi kibernetik, sulmeve kibernetike, spiunimi kibernetik dhe sabotazhi kibernetik. Prandaj, ngritja e kapaciteteve për masat parandaluese është prioritet”.

Prioritet tjetër shumë i rëndësishëm është edhe rishikimi e fuqizimi i kapaciteteve të Qendrës së Kosovës për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike, dhe formimi i Qendrës së Kosovës për Siguri Kibernetike, shkruan gazeta inFokus.

“Rishikohen dhe fuqizohen kapacitetet e Qendrës së Kosovës për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike, dhe themelohet Qendra e Kosovës për Siguri Kibernetike, duke u vendosur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në shërbim të të gjitha institucioneve. Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike është përgjegjës për udhëzimin e politikave përmes zbatimit të Strategjisë për Sigurinë Kibernetike dhe, ndër të tjera, përcakton protokolet e komunikimit në rastet e paraqitjes së sulmeve kibernetike”.

“Kompletimi i infrastrukturës ligjore në fushën e Sigurisë Kibernetike avancon po ashtu bashkërendimin midis institucioneve”.

“Standardizimi Shtetëror i Pajisjeve, si në sigurinë e rrjetit dhe në sigurinë e informacionit, realizohet duke u mbështetur edhe në komponentët ligjore për Klasifikimin e Informacionit”.

Madje, për siguri sa më të madhe në kibernetikë, është parë e nevojshme edhe mbikëqyrja e shpërndarësve privat të rrjetit.

“Funksionalizohet certifikimi, licencimi dhe mbikëqyrja e shpërndarësve privat të rrjetit, duke rishikuar dhe detajuar këtë aspekt, përfshirë auditimin e nevojshëm”.

Priroritet tjetër që do të ketë Kosova është edhe krijimi i Fibrit Optik Nacional dhe qendrës së rimëkëmbjes të të dhënave, në rast të ndonjë fatkeqësie, shkruan gazeta inFokus.

“Krijimi i Fibrit Optik Nacional dhe i qendrës së rimëkëmbjes të të dhënave në rast të fatkeqësive, implementimi i standardeve ndërkombëtare ISO për sigurinë kibernetike dhe atë të rrjeteve, certifikimi i institucioneve publike sipas kërkesave të tyre, si dhe avancimi i kapaciteteve njerëzore e teknike për sigurinë kibernetike në zbatimin e sistemeve të Menaxhimit të Trafikut Ajror paraqesin prioritet”, thuhet në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës.

E duke qenë se FSK është ndër institucionet kryesore të sigurisë së vendit, është paraparë që në kuadër të saj të themelohet edhe Qendra Shtetërore Trajnuese për Sigurinë Kibernetike.

“Në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së themelohet Qendra Shtetërore Trajnuese (Laboratori) për Sigurinë Kibernetike, e cila ofron trajnime për të gjitha institucionet e Kosovës në fushën e sigurisë kibernetike”, thuhet në Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës./Gazeta inFokus/

Të tjera