Lajme

Kjo është shuma totale që shteti pagoi për avokatët e ish-krerëve të UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 17:54 | 16 September 2021

Për 10 muaj angazhim, avokatët e ish-liderëve të UÇK-së janë paguar mbi 4 milionë euro nga Ministria e Drejtësisë

Avokatët e shtatë të paraburgosurve në Hagë punuan në mënyrë intensive brenda këtyre muajve për të kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kjo punë e tyre megjithatë u pagua nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Që nga tetori i vitit të kaluar e deri në muajin korrik, sipas të dhënave që ka siguruar T7, Ministria e Drejtësisë ka paguar 4 milionë e 416 mijë euro për këta avokatë.

Ajo që u pagua më së shumti nga ky dikaster, është avokatja mbrojtëse e zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokatja Rohini Alagendra u pagua plot 792 mijë euro në përfaqësimin e saj ligjor për Jakup Krasniqin.

Vetëm në muajin shkurt në adresë të saj u ekzekutuan 95 mijë euro nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa në muajt si mars, prill, maj, qershor e korrik u pagua nga 91 mijë euro për secilin nga këto muaj.

Pas avokates së Jakup Krasniqit, i dyti më i paguari është avokati mbrojtës i ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees, i kushtoi buxhetit të Kosovës, afër 730 mijë euro.

Dy muajt ku u pagua më së shumti avokati Rees ishin Marsi dhe Prilli i këtij viti me nga 85 mijë euro secili.

I treti avokat që ka kaluar shumën prej 700 mijë euro, është përfaqësuesi ligjor i Rexhep Selimit.

David Young brenda nëntë muajve u pagua 724 mijë euro, pasi që në muajin tetor të vitit të kaluar nuk figuron ndonjë pagesë drejt tij.

Në muajt shkurt, mars, prill avokati Young u pagua nga 82 mijë euro, ndërsa në muajt maj, qershor, korrik kjo shumë u rrit në 91 mijë euro.

661 mijë euro u pagua edhe avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pagesat për avokatin Pierre Prosper në muajt maj, qershor, korrik u pagua nga 90 mijë e 600 euro.

Nënkryetari i OVL së UÇK-së, Nasim Haradinaj është përfaqësuar nga dy avokat mbrojtës, ku njëri i ka kushtuar 33 mijë euro, e tjetri që është avokati Toby Cadman, 549 sosh.

Edhe avokati i të akuzuarit Salih Mustafa që është edhe i pari nga të paraburgosurit që i ka filluar gjykimi, u pagua 545 mijë euro për 10 muaj angazhim nga Ministria e Drejtësisë.

Më së liri buxhetit të Kosovës, i ka kushtuar avokati mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit është paguar rreth 380 mijë euro.

Pagesat për Ben Emmerson nga muaji tetor deri në janar nuk figurojnë, ndërsa për muajt si maj, qershor, korrik është paguar nga 95 mijë euro.

Sigurimi i mbrojtjes juridike për të gjithë të akuzuarit për vepra që janë në juridiksionin e kësaj gjykate nga shteti i Kosovës parashihen me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Të tjera