Fokus

Kjo është gjendja në Istog e në Klinë pas vërshimeve, shtabet emergjente ende në terren

Autori: Samire Jaha 09:46 | 22 November 2022

Komuna e Istogut por edhe Komuna e Klinës janë dy qytetet që më së shumti u prekën nga vërshimet pas reshjeve të mëdha të shiut, shkruan Gazeta Infokus.

Mirëpo situata ani pse emergjente, sipas zyrtarëve të dy komunave është menaxhuar mirë.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mjedis të komunës së Istogut, Dukagjin Hoxhaj, tha për Gazetën Infokus se rrugët tashmë janë të kalueshme e se shtabi emergjent është duke vazhduar qëndrimin në terren.

“Gjendja aktuale në Istog dhe në të gjitha fshatrat është e menaxhueshme pasi që nga mëngjesi i ditës së djeshme, Kryetari i Komunës me të gjithë Stafin ka dal në teren për të parë nga afër gjendjen e shkaktuar nga të reshurat e shumta, ku pastaj menjëherë e ka formuar Shtabin Emergjent nga të cilët ka kërkuar që vazhdimisht të jenë në teren e sidomos në ato pjesa ku ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët pasi që janë shkaktuar vërshime të mëdhaja. Situata ka qenë e rënduar por pasi që Kryetari me Shtabin Emergjent mbrëmë gjatë gjithë natës kanë qenë në teren ku vazhdimisht është bërë intervenimi në ato pjesa ku ka qenë rreziku më i madh. Si rezultat i punës së pandërprerë të gjitha rrugët janë të kalushme”, është përgjigjur Hoxhaj për Infokus.

Ndryshe ka bërë të ditur se janë formuar edhe komisione për të i bërë të gjitha verifikimet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

“Shtabi Emergjent po vazhdon që të jetë vazhdimisht në teren ku ka parë nga afër që ka dëme të konsiderueshme në ekonomi familjare, biznese, bujqësi etj. janë formuar komisione për ti bërë të gjitha verifikimet nga dëmet e shkaktuara, aktualisht gjendja është e menaxhueshme”, është përgjigjur tutje Hoxhaj për Infokus.

E po ashtu edhe komuna e Klinës kanë treguar se kanë qenë në monitorimin e situatës në vazhdimësi.

“Ne si drejtori e urbanizmit dhe mbrojtjes së mjedisit bashkë me drejtorin përkatëse shërbimet publikë dhe të gjithë akteret në Komunën e Klinës nen menaxhimin e kryetarit të Komunës, Zenun Elezaj, jemi në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes aktuale, pas të reshura dhe njëkohësisht pas vërshimeve në disa pjesë të komunës sonë. Po ashtu ju informojnë së nga orët e vona të mbrëmjes te dt, 20.11.2022 e deri në orët e tanishme jemi në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes aktuale, është I formuar shtabi për emergjenca, dhe si i tillë nuk e ka pa të arsyeshme të shpall gjendje emergjente nga se situate është e menaxhueshme”, është përgjigjur për Infokus, Enver Berisha, drejtori Urbanizmit të komunës së Klinës.

Po ashtu nga kjo komuna kanë treguar edhe disa nga dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet.

“Sa i përket dëmeve: ka dëme materiale ndërsa por jo njerëzore as të lënduar, vlenë të theksohet se zonat më të përmbytura janë në fshatin Volljak , një pjesë të fshatit Deiq, në shtatin Shtaricë , fshati Grabanicë edhe disa zona tjera por të cilat janë me pakë të vërshuar”, është përgjigjur tutje Berisha për Infokus.

Ndryshe vërshime ka pasur edhe në qytete të tjera të Kosovës, ku Vushtrria është detyruar që të shpallë gjendje emergjente e në Gjakovë pesë familje janë detyruar të evakuohen./Gazeta Infokus/

Të tjera