Lajme

Kjo është arsyja përse krijohen mpiksje gjaku nga vaksina

Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 02 December 2021

Shkencëtarët besojnë se kanë gjetur arsyen e mpiksjeve të gjakut që shkakton vaksina e krijuar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca.

Kërkues britanikë e amerikanë e drejtojnë gishtin e fajit nga një proteinë e gjakut, e cila i ngjitet njërit prej përbërësve kyç të vaksinës në fjalë. Koagulime të tilla, edhe pse të rralla, u bënë shkak që të reduktohej përdorimi i vaksinës së Astrazeneca-s në betejën kundër pandemisë.

Ekipi, sipas BBC-së, ka treguar deri në detajet më të vogla sesi bashkimi i kësaj proteine me një përbërës të rëndësishëm të vaksinës shkakton një reaksion zinxhir, që përfshin sistemin imunitar dhe mund të kulmojë me mpiksje të rrezikshme gjaku.

-Advertisement-

Alan Parker, një nga kërkuesit e Universitetit të Cardiff-it, i tha gjigantit mediatik britanik se “tani e kemi shkakun, kemi këmbëzën e armës, por ka dhe gjëra të tjera që duhet të sqarojmë”.

Sipas AstraZeneca, vaksina e saj ka shpëtuar më shumë se një milionë jetë në mbarë botën e ka parandaluar 50 milionë raste të sëmundjes, megjithatë, shqetësimet për mpiksjen e rrallë të gjakut ndikuan në mënyrën sesi ajo u përdor në mbarë globin./tch

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera