Kulturë

Kitaristi Ledion Halitaj shkëlqen në festivalin ndërkombëtar në Rumani, zë vendin e parë në dy kategori

Autori: Islam Morina 20:52 | 02 September 2021

Kitaristi nëntvjeçari nga Kosova, Ledion Halitaj, është shpallur fitues i dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar për Kitarë në Transilvani të Rumanisë, shkruan Gazeta Infokus.

Ai ka zënë vendin e parë në kategorinë “Junior”, e dedikuar për grup-moshat deri në dhjetë vjeç dhe çmimin e parë në Kategorinë e Parë, ku pjesëmarrësit kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare.
Në këtë festival po marrin pjesë 60 kitaristë nga 18 shtete të botës dhe gara është shumë e fortë.

Suksesi i Ledionit në dy kategori e ka gëzuar profesorin e tij, Erhan Mujka.

-Advertisement-

Në një prononcim për Gazetën Infokus, ai ka thënë se për kategorinë “Junior”, ka qenë e pritshme që Ledioni të rrëmbej vendin e parë, ndërsa për Kategorinë e Parë, më shumë ka qenë dëshirë për t’u sfiduar me konkurrentë më të rritur.

“Për kategorinë kur përket Ledioni, ky rezultat është pritur duke e ditur se sa kemi punuar, ndërsa sa i përket kategorisë për më të rritur, më shumë ka qenë dëshirë, por që është realizuar dhe jemi shumë të gëzuar”, ka deklaruar Mujka.

Edhe Ledioni është shprehur i lumtur me vlerësimin që i ka dhënë juria profesionale e këtij festivali.

“Jam i gëzuar që kam arritur këtë rezultat. I falënderohem profesorit tim, Erhan Mujka, i cili punon shumë me mua”, ka thënë Halitaj, duke shtuar se tashmë veç është duke u përgatitur për festivalet e radhës.

Këto dy çmime nuk janë të vetmet që sivjet i ka fituar Ledioni.

Para pak muajsh, ai ka zënë vendin e parë në dy kategori në Shkup, një vend të parë në Malin e Zi, dhe një në Kosovë.

Ai ka filluar të merret me kitarë nga janari i vitit 2020 dhe brenda të njëjtit vit ka fituar katër çmime ndërkombëtare.

Për moshën që e ka, Ledioni konsiderohet si talent i rrallë.

Ëndrra e tij është t’i pushtoj skenat botërore ku interpretohen veprat klasike./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera