Fokus

Kirurgët kërkojnë pagë sa Kryeministri Haradinaj

Autori: Xhejlane Kaçiu 19:11 | 10 January 2019

Heshtje. Asgjë nuk lëvizte pasditen e së enjtes në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të gjitha sallat e operacionit në këtë klinikë janë jashtë funksionit. Ndërsa kirurgët, të cilët do të duhej të ishin me bisturi në dorë tash e tri javë janë në grevë.

Ata kthehen në vendet e punës vetëm kur pacientët që janë në rrezik për jetë, shkruan gazeta inFokus.
Të tjerët duhet të presin derisa Qeveria e Kosovës t’ua bëjë pagat sa ajo e kryeministrit Ramush Haradinaj.

-Advertisement-

Kirurgët po kërkojnë pagë rreth 2 mijë e 390 euro në muaj nga 549 euro sa i marrin tani.

Ndërkaq, paga e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me vendimin e ri është 2 mijë e 950 euro.

Udhëheqësi i kësaj greve, Arbër Morina është i vendosur që bashkë me kolegët e tij të qëndrojnë deri në realizimin e kërkesave.

“Nuk kemi marrë asnjë ofertë të dinjitetshme dhe nuk do të bëjmë asnjë lloj negociate sa i përket kësaj çështjeje. Greva ndërpritet vetëm atëherë kur paratë dalin në xhirollogari”, është shprehur Morina për gazetën inFokus.
E përveç 157 specialistëve të QKUK-ës, janë edhe tri spitalet rajonale që i janë bashkuar kësaj greve. Spitali i Mitrovicës, i Gjakovës dhe ai i Gjilanit janë po ashtu në grevë.

Ndërsa takimi i tyre me Drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiun dhe Ministrinë e Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismailin nuk ishte fare i dobishëm, shkruan gazeta inFokus.

“Të premten e kaluar kemi pas takim me Drejtorin e QKUK-ës dhe Ministrin e Shëndetësisë dhe ai na ka raportuar për punën e Ministrisë, por nuk kemi marrë ndonjë ofertë konkrete që ka të bëjë me kërkesën tonë, ata kanë dhënë deklarata si në fushatë elektorale, gjë për të cilën ne nuk kemi nevojë”, tregon Morina.

Ai tregon se asnjë kirurg, i cili gjendet në grevë, nuk ka kryer operacione as në QKUK, por as privat, përveç në rastet urgjente, shkruan gazeta inFokus.

 

 

“Në rastet të cilat janë jetike natyrisht se intervenohet. Asnjë ditë të vetme nuk ka pasur ndërprerje të punës në Emergjencë dhe të gjitha operacionet janë kryer kur ka qenë në pyetje jeta e pacientit dhe kjo do të vazhdoj të jetë kështu”, shprehet Morina, duke treguar se kjo grevë përkrahet nga të gjithë kirurgët e Kosovës.

“Nuk ekziston specialist i Republikës së Kosovës që nuk na përkrahë, ka të tillë që kanë guxim edhe që nuk kanë guxim, por të gjithë na përkrahin në këtë grevë”, thotë ai./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera