Uncategorized

Kina: Rastet e gripit janë nën nivelin e vitit 2024

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 13 January 2025

Rritja e rasteve të gripit në të gjithë Kinën po ngadalësohet, u shpreh një zyrtar i shëndetësisë duke cituar statistikat e kontrollit të sëmundjeve.

Niveli i testeve pozitive të virusit të gripit në spitalet në mbarë vendin u rrit me 3.8 %, një nivel më i ulët se rritja gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2024, bëri të ditur në një konferencë shtypi të dielën në Pekin Hu Qiangqiang, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës (NHC).

“Aktiviteti aktual i gripit do të ulet gradualisht këtë muaj, megjithëse situata mund të jetë e ndryshme në krahina të ndryshme të vendit,” shtoi Hu.

-Advertisement-

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, që po koordinon reagimin ndaj sezonit të gripit, nuk ka raportuar për mungesë të burimeve mjekësore, duke konfirmuar se furnizimi dhe prodhimi i barnave kryesore mbeten të qëndrueshme, u tha Hu gazetarëve.
Disa media dhe llogari të mediave sociale raportuan një rritje të metapneumovirusit njerëzor (HMPV) në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, duke e quajtur gabimisht atë si një “virus të ri”. HMPV ka ekzistuar për dekada dhe është zbuluar nga studiuesit në vitet 2000. Ekspertët, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë i kanë kundërshtuar këto njoftime të pasakta.

Prindërit duhet ende të marrin masa paraprake për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet e ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes, veçanërisht në Kinën Veriore, ku këto sëmundje në dimër janë të zakonshme.

“Nga vëzhgimet tona në Spitalin e Fëmijëve të Pekinit, nuk ka rritje jonormale të pacientëve,” tha Xu Baoping, një mjek me përvojë në këtë spital, kur u pyet nga media për ndikimin e stinës së gripit te fëmijët. Numri i pacientëve në dy muajt e fundit ka qenë më i ulët se ai i vitit të kaluar, theksoi ai.
Xu gjithashtu paralajmëroi se fëmijët që shërohen nga një lloj gripi mund të preken nga një tjetër. “Megjithëse simptomat e gripit janë zhdukur, sistemi imunitar i fëmijës kërkon më shumë kohë për t’u mëkëmbur,” shpjegoi Xu.

Sipas një eksperti të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nuk ka sëmundje të reja infektive në Kinë dhe të gjitha sëmundjet infektive të frymëmarrjes aktuale në vend janë shkaktuar nga patogjenë të njohur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera