Lajme

Kina, ekonomi me rritje pozitive në vitin 2020

Autori: Gazeta inFokus 14:35 | 15 October 2020

Kina vazhdon të jetë ekonomia e vetme në botë që tregon rritje pozitive në vitin 2020 pasi PBB-ja e saj parashikohet të zgjerohet 1.9 për qind këtë vit, sipas parashikimit të fundit ekonomik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Falë një rimëkëmbje më të shpejtë nga sa pritej, rritja e Kinës do të përshpejtohet në 8.2 për qind vitin e ardhshëm, tha FMN-ja në Parashikimin mbi Ekonominë Botërore.

Kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath, tha se Kina kryeson shifrat botërore dhe se pa Kinën “rritja kumulative për 2020-n dhe 2021-n është negative”.

-Advertisement-

Në fund të shtatorit, Banka Botërore vlerësoi se ekonomia e Kinës pritet të rritet me 2 për qind në vitin 2020, nga parashikimi prej 1 për qind që kishte dhënë në qershor.

FMN-ja parashikoi një tkurrje globale në vitin 2020 prej 4.4 për qind, një përmirësim në krahasim me parashikimin 5.2 për qind në qershor, kur mbyllja e bizneseve arriti kulmin. Pavarësisht rishikimit të parashikimit, kjo mbetet kriza më e rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve ‘30.

Shumë ekonomi kanë filluar të shërohen më shpejt sesa parashikohej pas rihapjes, por me vazhdimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ngritja e ekonomisë globale në nivelet parapandemike ka shumë sfida, sipas parashikimit.

Ekonomia e ShBA-së pritet të tkurret 4.3 për qind këtë vit dhe ekonomia e Britanisë së Madhe do të tkurret 9.8 për qind. Ndërsa, ekonomia japoneze parashikohet të bjerë 5.3 për qind.

Për tregjet dhe vendet në zhvillim (me përjashtim të Kinës), FMN-ja ka parashikuar një tkurrje prej 5.7 për qind në vitin 2020 dhe më pas një rikuperim në 5 për qind në vitin 2021.

Brazili dhe Rusia parashikohet të tkurren përkatësisht 5.8% dhe 4.1%, ndërsa ekonomia e Indisë mund të tkurret 10.3%.

“Këto janë kohë të vështira, megjithatë ka disa arsye për të pasur shpresë,” tha Gita Gopinath, këshilltare ekonomike e FMN-së në raportin e saj duke iu referuar përparimit të provave klinike të vaksinave.

Krahasuar me parashikimin e mëparshëm të FMN-së në qershor, rritja e PBB-së në tremujorin e dytë në ekonomitë e mëdha të përparuara ishte pak më e mirë dhe kthimi i Kinës në rritje ishte më i fortë nga sa pritej, thuhet në raport, duke theksuar se ka shenja të një rikuperimi më të shpejtë në tremujorin e tretë.

Për vitin e ardhshëm, FMN-ja tha se rritja globale pritet të ngadalësohet në rreth 3.5 për qind në periudhën afatmesme, duke nënkuptuar që rritja deri në vitin 2025 do të jetë më e ulët se parashikimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera