Lajme

KFOR-i deklarohet për arrestimin e rusëve në territorin e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 14:58 | 20 August 2017

Lidhur me arrestimin nga Policia e Kosovës ditë më parë të 11 personave shtetas rusë dhe serbë, të cilët po tentonin të hynin ilegalisht në Kosovë, të dyshuar si elementë destabilizuese të situatës, KFOR, nuk e ka pohuar por as mohuar një gjë të tillë.

Mirëpo, KFOR-i thotë se operacionin në fjalë e kreu në tërësi Policia e Kosovës dhe se KFOR-i nuk ishte i përfshirë në arrestimin e tyre.

“Sa i përket pyetjeve tuaja, duam t’ju informojmë se përkundër faktit që përmendet në disa raportime të mediave, KFOR-i nuk ishte i përfshirë në këtë arrestim. Kjo ishte një çështje e brendshme e Kosovës dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it, dhënë për Indeksonline.

-Advertisement-

Në pyetjen për aktivitetet e shtuara të qytetarëve nga Rusia të dyshuar si agjent sekret në territorin e Kosovës, KFOR-i ka thënë se Kosova është një vend i hapur dhe se kjo forcë po punon ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për të rritur stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se një reflektim të tillë e pret edhe nga Rusia dhe jo një destabilizim të mundshëm nga ajo.

“Ne nuk komentojmë mbi çështjet e inteligjencës sidoqoftë sa i përket ndikimit të vendeve të tjera në Ballkan. Ne i respektojmë plotësisht të drejtat e kombeve për të zgjedhur aranzhimet e tyre politike dhe të sigurisë. Ne punojmë ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për të rritur stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor. Ne presim që vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera