Lajme

Këto janë kompetencat e presidentit Thaçi nëse nuk arrihet marrëveshja VV-LDK

Autori: Hateme Smajli 22:03 | 22 January 2020

Kanë mbetur edhe 13 ditë për arritjen e një marrëveshje në mes të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, VV’së e cila doli e para dhe LDK’së e cila doli e dyta në zgjedhje.

Por çfarë ndodh nëse ndërmjet këtyre dy partive nuk arrihet një marrëveshje për koalicion, shkruan gazeta inFokus.

Sipas analistit, Nexhmedin Spahiu nëse koalicioni nuk arrihet atëherë mbetet nën kompetencat e Presidentit të vendit, Hashim Thaçit për të caktuar mandatarin e dytë për krijimin e qeverisë.

-Advertisement-

Ai në një prononcim për gazetën inFokus tha se “në rast se koalicioni nuk bëhet është në diskrecionin e presidentit se kujt ia jep mandatin. Kjo varet pastaj nga presidenti”.

Ndërsa sipas analistit, Armend Muja presidenti duhet të veprojë sipas shembujve të së kaluarës.

Muja tha për gazetën inFokus se presidenti, Thaçi e ka krijuar një zakon kushtetues ku ai gjithmonë i jep mandatin partisë së parë fituese të zgjedhjeve.

E sipas tij Thaçi nuk mund të prishë një rregull të cilin ai vetë e ka krijuar, shkruan gazeta inFokus.

“Nëse nuk arrihet të bëhet koalicioni VV-LDK atëherë normalisht përgjegjësinë për ta formuar qeverinë nuk mund ta ketë LDK-ja si partia e dytë. Kjo sepse presidenti i vendit e ka krijuar një zakon kushtetues edhe në të kaluarën, ai ia ka dhënë mandatin gjithmonë partisë së parë, gjithmonë qeverinë në Kosovë historikisht e ka formu partia që ka dalë e para në zgjedhje”, thotë Muja.

E madje për këtë ai jep edhe një shembull nga mënyra e krijimit të qeverisë PAN.

“Në vitin 2017 mandatarin e parë e ka pas koalicioni PAN dhe në momentin kur ata kanë dhënë dorëheqje presidenti iu drejtohet përsëri partisë së parë në këtë rast Thaçi i është drejtuar Kadri Veselit i cili ka qenë përfaqësues i koalicionit PAN, dhe i ka kërkuar të ia propozojë mandatarin e dytë kështu që nëse nuk kam asnjë skenar tjetër përveç këto dy parti të formojnë koalicionin ose shkojmë në zgjedhje, nuk ka opsione tjera. Presidenti nuk mund ta thyejë një rregull që vetë ai e ka krijuar. Nuk mundet se është i kushtëzuar nga veprimet e tij të mëhershme”, tha ai për gazetën inFokus.

Kujtojmë se tashmë kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e parakohshme dhe çdo përpjekje e deritashme për krijimin e koalicionit VV-LDK ka dështuar./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera