Lajme

Këto janë humbjet e Telekomit dhe fitimet e Z- Mobile nga “kontrata korruptive”

Autori: Gazeta inFokus 18:12 | 12 August 2019
Një raport i hartuar nga ekspertë të Telekomit, saktëson humbjet 10 vjeçare që i ka pësuar kompania publike pak kohë para se të vendosej nëse do të merrej vendimi për vazhdim të bashkëpunimit me kompaninë Z-Mobile.Raporti tregon se Telekomi ka pësuar qindra miliona humbje ndërsa Z – Mobile i llogaritën mbi 73 milionë euro fitimePak para se të vendosej përfundimisht se a do të vazhdohet apo jo kontrata me kompaninë Z-Mobile, ekspertët e Telekomit kanë hartuar një raport mbi humbjet financiare dhe dëmet teknike që janë shkaktuar nga kontrata ndërmjet kompanisë publike dhe asaj të udhëhequr nga Blerim Devolli.

Departamenti teknik në Telekom, në raportin që ka siguruar Gazeta Express, shkruan se pas analizës  së bërë 73% e të hyrave kanë shkuar në favor të Z-Mobile, krejt e kundërta nga ajo që duhet të ndodhte.

“Sipas të gjitha analizave profesionale të bëra nga ekspertë të fushave të telekomunikacionit, ekonomisë dhe të jurisprudencës, listës së dëmtuesve të Telekomit të Kosovës i prinë kontrata me Z-Mobile, tashmë e pranuar nga të gjithë si korruptive… Telekomi i Kosovës është dëmtuar në thelb për shkak të kësaj kontrate. Njëkohësisht është dëmtuar edhe Buxheti i Kosovës sepse nuk ka mundur të marrë dividentë nga TK për shkak të humbjeve të shkaktuara nga në radhë të parë kjo kontratë. Kushtet e kësaj kontrate janë bërë në kundërshtim me të gjitha praktikat biznesore mbi të cilat operojnë MVNO-të në Kosovë dhe kudo në botë”, shkruhet në raport.

-Advertisement-

Tutje, theksohet se për 9 vite sa ka zgjatur kontrata (2010-2019), Telekomi ka pësuar humbje 107 milionë humbje reale të deklaruara për Telekomin, e 73 milionë fitim bruto për Z-Mobile.  Mbi 140 milionë euro vlera e llogaritur e të hyrave që ka humbur kompania publike për shkak të numrave që janë marrë nga Z-Mobile. Si dhe humbjet disa milionëshe për shkak të thirrjeve të humbura dhe largimit të konsumatorëve të pakënaqur si pasojë e mbingarkesës të shkaktuar nga shërbimet pa limit të Z-Mobile.

Gjithashtu, përmes një tabele, saktësohen të dhëna për katër vite (2014-2018) e shihet se kostoja e cila i ka kushtuar Telekomit për shkak të shërbimeve të Z-Mobile vetëm për këto vite arrin shumën e 56,778,176 euro, ndërsa për periudhën 2010-2013 kjo shumë ka qenë 22,484,158 euro.

Kostoja totale për 9 vite del të jetë mbi 84 milionë euro.

“Nëse bëhet një analizë që nga fillimi i operimit, shihet se Z-Mobile ka realizuar 67,885,482 euro të hyra dhe ka realizuar fitim bruto prej 42,001,882 euro nga kjo kontratë. Nëse kësaj shume i shtohet edhe shuma e fituar nga vendimi i Arbitrazhit prej 31,178,920 euro, atëherë shihet se Z-Mobile ka realizuar fitim bruto total në 73,180,742 euro. Ky fitim bruto i Z-Mobile është i bazuar vetëm në të hyrat e deklaruara, e që është në shpërputhje të madhe me volumin shumë të marrë që e ka bërë në rrjetin e Tekomit. Kjo është edhe një dëshmi e çmimeve të tyre nën kosto për produke që i ka pësuar Telekomi”, thuhet tutje.

Nga kjo kontratë, Telekomi vetëm nga 27%-shi, ka humbur mbi 8 milionë euro, si dhe dënim nga Arbitrazhi.

Si përfundim nga ky raport, bëhet e ditur se ka pasur mbi 73 milionë fitim për Z-Mobile, 107 milionë euro humbje zyrtare të deklaruara për Telekomin, ndërsa, rreth 140 milionë është vlera e përllogaritur e të hyrave nga kjo kontratë, prej numrave të marrë nga kjo kontratë dhe nga dukuria SIMtoSIM.

Përfundimet e raportit të hartuar nga eskpertët e Telekomit

Më 15 korrik të këtij viti, Devollët e kanë dërguar te përmbaruesi kompaninë publike duke kërkuar që për dytë të ju kthehej borxhi i Arbitrazhit.

Telekomi është kundërpërgjigjur me procedura të kthimit.

Derisa, në fund të muajit korrik ka përfunduar kontrata10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon, pas gjashtë muaj negociata të pasuksesshme për ndonjë marrëveshje të re.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera