Lajme

Këto janë dy skenarët për shtrenjtimin e rrymës

Autori: Gazeta inFokus 10:33 | 01 August 2018

Me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në vitin 2023 pritet të ndodhë shtrenjtimi më i madh i rrymës që nga paslufta. Instituti GAP ka analizuar dy skenarë të mundshëm. Njëri i cili vlerëson se pas hyrjes në operim të termocentralit të ri rryma do të shtrenjtohet për 44 për qind, kurse i dyti që parasheh rritje prej 60.4 për qind.

Barrën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, në fund do ta bartin qytetarët. Rritja e çmimit të rrymës me fillimin e punës se këtij termocentrali, pritet të dyfishohet, në rastin më të mirë.

Instituti GAP në analizën e fundit “Ndikimi i Termocentralit Kosova e Re në Tarifat e Energjisë Elektrike”, ka analizuar dy skenarë të mundshëm se çfarë pritet të ndodh pas fillimit të punës së “Kosovës së Re”, në vitin 2023.

-Advertisement-

“Skenari i parë vlerëson se hyrja në operim e TC “Kosova e Re” në vitin 2023 do të rrisë tarifat e energjisë elektrike për 44%. Kurse sipas skenarit të dytë, i cili përfshin ndërtimin e termocentralit të ri si dhe investimet tjera të planifikuara në fushën e energjisë, tarifat e energjisë elektrike do të pësojnë një ngritje kumulative prej 60.4%”, thuhet në analizë.

Përkthyer në numra, nëse një familje në Kosovë, ka shpenzuar në muaj energji elektrike mesatarisht 422 kËh, me tarifat aktuale paguan 28 euro. Me rritjen e cmimit prej 60.4 për qind, për të njejtën sasi të shpenzuar, do të paguaj 45 euro.
Ndërsa nëse një familje ka shpenzuar rrymë brenda muajit 690 kËh, do të paguajë 72 euro sipas këtyre skenarëve, derisa me tarifat aktuale ka paguar vetëm 45 euro.

Për me tepër, rritja e çmimit të energjisë elektrike, prej 60 për qind, siç po parashihet pas fillimit të punës së termocentralit “Kosova e Re” me 2023, pritet të ketë efekte zingjirore në ekonomi.

Përveç shtrenjtimit të energjisë, sipas GAP, do të ketë si rrjedhojë rritje të çmimeve tek produktet e ndryshme.
Madje, vet bizneset e intervistuara në analizën e GAP-it kanë paralajmëruar rritje të madhe të cmimeve, pas ngritjes së tarifave. Sipas tyre kjo do të jetë mundësia e vetme që do ta kenë, për ta tejkaluar shtrenjtimin e rrymës.

“Me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, bizneset e intervistuara deklaruan se operimi i tyre do të jetë tejet i vështirë. Në figurë janë paraqitur vendimet që bizneset konsiderojnë se do t’i ndërmarrin menjëherë pas ngritjes së tarifave. Në këtë figurë shohim se 31% e bizneseve deklaruan se ngritja e çmimeve të produkteve do të jetë e paevitueshme, 21% do të shkurtojnë numrin e punëtorëve, dhe rreth 8% do të detyrohen t’i ndërmarrin të dyja veprimet”, thotë anketa.

Ndërsa, ndërmarrjet prodhuese do të ballafaqohen me ngecje në zhvillimin dhe rritjen e ndërmarrjes dhe do të jenë më pak konkurruese. Për të neutralizuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike ato duhet të reduktojnë shpenzimet tjera, përfshirë numrin e punëtorëve, ose të rrisin çmimin e shitjes.

“Në të dy rastet ato do të kenë të vështirë të përballojnë konkurrencën nga produktet e njëjta prej vendeve të huaja në të cilat nuk parashihen rritje të tilla të çmimit të energjisë elektrike. Në anën tjetër, në rast të bartjes së kostos së rritjes së çmimit të energjisë elektrike në çmimin e produkteve të tyre, këto ndërmarrje do të përballen me konkurrencë të fortë nga produktet e vendeve fqinje. Ndërmarrjet në këto vende edhe ashtu kanë avancuar më shumë në pjesën e prodhimit për shkak të përvojës së fituar ndër vite”, paralajmëron GAP.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera