Lajme

Këta janë tre skenarët deri të vendimi final për listat e kandidatëve

Autori: Gazeta inFokus 20:10 | 24 January 2021

Fundi i javës që po nis, do t’i japë epilog çështjes së certifikimit të listave të kandidatëve për deputetë.

Në këtë javë kritike mund të shihen tre skenarë, të cilët nuk përjashtojnë as mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve nga partitë që do të ndahen të pakënaqura me vendimmarrjen.

Të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk i certifikoi disa lista kandidatësh, përfshirë atë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), subjekt politik që sondazhet po e nxjerrin si fitues absolut. U vendos kësisoj, ngaqë kjo parti dhe të tjerat, nuk i zëvendësuan me kandidatë të tjerë, ata për të cilët Këshilli Gjyqësor konfirmoi se në tre vjetët e fundit janë dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë. E Gjykata Kushtetuese konstatoi një muaj më parë se, “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës …, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, personat që kanë të tilla dënime nuk mund të jenë kandidatë për deputetë e as të fitojnë mandat të vlefshëm në Kuvend, raporton koha.net.

-Advertisement-

Skenari 1: Palët i binden PZAP-së

Vetëvendosje dhe gjashtë subjekte të tjera janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Sipas Planit operacional të zgjedhjeve, ky institucion duhet të vendosë për ankesat më së largu të martën. Çështja do të merrte fund këtë ditë, në rast se PZAP-ja do të vendoste konform ankesave.

Por, ky institucion ka tri alternativa përpara: t’i miratojë tërësisht ankesat; t’i miratojë vetëm pjesërisht dhe të vendosë që të certifikohen listat, por pa kandidatët e dënuar në tre vjetët e fundit; si dhe t’i hedhë poshtë ankesat.

Juristi Ehat Miftaraj, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vendimet e PZAP-së si shkallë e dytë, kanë fuqi juridike të detyrueshme për KQZ-në. Prandaj, konsideron se çdo vendim i PZAP-së në raport me certifikimin e listave dhe të kandidatëve për deputetë zbatohen nga KQZ-ja.

Ai flet edhe për përmbajtjen që mund ta ketë vendimi.

“PZAP-ja mund të vendosë që të certifikojë vetëm kandidatët që nuk kanë probleme me ligjin dhe t’i udhëzojë partitë politike që të dërgojnë në KQZ emrat e kandidatëve të rinj për të zëvendësuar kandidatët që kanë probleme me ligjin”, thotë Miftaraj. “Nëse partitë politike nuk zëvendësojnë emrat e kandidatëve, atëherë KQZ-ja e zbaton vendimin e PZAP-së lidhur me certifikimin e kandidatëve që kanë kaluar me sukses në PZAP, kurse numrat e kandidatëve me probleme mbesin të zbrazët dhe pa mundësi për t’u votuar të njëjtit më 14 shkurt 2021”.

Në mbledhjen e së premtes të KQZ-së kur është vendosur për listat, kryetarja Valdete Daka dhe anëtarët nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Lidhjes Demokratike (LDK) dhe Listës Serbe (LS) nuk votuan pro rekomandimit të Zyrës për certifikim, sipas të cilës listat duhej të certifikoheshin ashtu siç i kishin dërguar partitë. Pas kësaj, Daka mori kritika e etiketime nga eksponentë të LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate, ndërsa drejtori i Zyrës për certifikim nga ata të PDK-së. E, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, paralajmëroi masa ndaj Dakës, në rast se ndodh të përsëritet situata kur në KQZ nuk certifikohen parti a lista kandidatësh.

Nëse ankesat e subjekteve politike miratohen në PZAP, proceduralisht konform vendimit listat miratohen nga ana e KQZ-së. Vendimmarrje të këtillë kanë paralajmëruar edhe në këtë institucion.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur shqyrtimin dhe vendosjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sigurisht se do të veprojë në përputhje me vendimet e institucioneve të tjera, në këtë rast PZAP-së, por edhe Gjykatën Supreme”, thotë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Por, juristi Ehat Miftaraj, krahas konfirmimit se KQZ-ja nuk ka autoritet dhe mundësi ligjore t’i verifikojë apo t’i kontestojë vendimet e PZAP-së dhe se ajo e ka obligim ligjor të zbatojë të njëjtat, rikujton të ketë një përjashtim nga ky rregull – vendimet e PZAP-së mund të ndryshohen përmes ankimimit në Gjykatën Supreme me kusht që kjo gjykatë të ketë vendosur ndryshe nga PZAP-ja.

Skenari 2: Palët i binden Supremes

E marta është dita e fundit kur duhet të vendosë PZAP-ja, ndërsa brenda së mërkurës palët e pakënaqura mund të ankohen në Gjykatën Supreme. Supremja pastaj ka afat tre ditë që të vendosë dhe kësisoj deri të shtunën duhet të nxjerrë vendimin. E, më së largu të dielën, KQZ-ja duhet të vendosë për listat përfundimtare.

Sikurse edhe PZAP-ja, Supremja mund të ofrojë njërën nga të tria opsionet: t’i miratojë plotësisht ankesat e partive, t’i miratojë pjesërisht ose t’i hedhë poshtë ato.

Kur muajin e shkuar Gjykata Kushtetuese konstatoi se vota e Etem Arifit për Qeverinë Hoti ishte e pavlefshme meqë ai nuk duhej certifikuar paraprakisht, sepse ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ajo iu referua Ligjit për zgjedhje. Kjo, pavarësisht garancive që jep kapitulli i dytë i Kushtetutës, një nen i të cilit njeh të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, me përjashtim kur kjo e drejtë merret me vendim gjyqësor.

Për pasojë, tani KQZ-ja nuk ka certifikuar listat që përmbajnë kandidatë me çfarëdo dënimi për vepër penale.

Belul Beqaj, i cili është profesor universitar dhe ligjëron shkencat politike, konsideron se edhe tensionet e tashme që janë prodhuar për listat, burimin e kanë te Kushtetuesja.

“Vendimet e ndërmarra nga Gjykata Kushtetuese me vite të tëra janë burim i nxitjes së krizës dhe revoltës për shkak të konfuzioneve kushtetuese edhe më shumë, për shkak të interpretimeve të njëanshme politike të gjyqtarëve të instaluar nga pushtetarët e shtetit të kapur”, thotë ai.

Aktualisht, problem më vete shihet nëse Supremja nuk i miraton ankesat e subjekteve politike, e për pasojë nuk mund të lihen brenda listave kandidatë që ka dënim kundër tyre në tre vjetët e fundit. Çështja më problematike shihet me Vetëvendosjen, lideri i së cilës, Albin Kurti, është në mesin e të dënuarve, shkaku i hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Juristi Ehat Miftaraj thotë se vendimi i Gjykatës Supreme është final dhe i njëjti vendim zbatohet nga KQZ-ja.

“Në bazë të Ligjit dhe afateve ligjore aktuale, Gjykata Supreme varësisht prej ankesave që mund të pranojë në raport me vendimet e PZAP-së lidhur me certifikimin e listave të partive politike dhe kandidatëve deri më 30 janar 2021, duhet të vendosë lidhur me këto ankesa dhe të njëjtat t’ua dërgojë palëve të interesuara, PZAP-së dhe KQZ-së”, thotë Miftaraj. “Vendimi i Gjykatës Supreme është final sa u përket mjeteve të rregullta juridike dhe i njëjti zbatohet nga KQZ-ja pa të drejtë intervenimi, ndryshimi apo plotësimi”.

Ai rikujton se ndaj vendimit të Supremes ka të drejtë ankese në Gjykatën Kushtetuese, por që ankesa nuk ka ndikim në afatet dhe procesin zgjedhor. Kësisoj, kur ta bëjë certifikimin, KQZ-ja nuk është e obliguar ta presë përgjigjen e Kushtetueses.

Skenari 3: Bojkotimi i zgjedhjeve

Por, të dielën e ardhshme, kur duhet përfundimisht të vendoset për lista, ato duhet miratuar konform vendimit të PZAP-së ose Supremes: të certifikohen ashtu siç i kanë dërguar partitë; të certifikohen listat me zëvendësime; ose të certifikohen vetëm kandidatët që nuk kanë dënime të formës së prerë në tre vjetët e fundit dhe të mbeten të zbrazët numrat e kandidatëve të hequr nga lista.

Belul Beqaj, i cili është profesor universitar dhe ligjëron shkencat politike, tregon nëse ka rrezik që ndonjë kamp politik t’i bojkotojë zgjedhjet – qoftë nëse presidentja në detyrë e shkarkon kryetaren e KQZ-së, qoftë nëse nuk miratohen listat me kandidatë të dënuar në tre vjetët e fundit.

“Fatkeqësisht jemi në udhëkryq për shkak se në institucione janë instaluar njerëz të shtetit të kapur”, thotë politologu Beqaj. “Si pasojë kemi dy rrjedhime: Së pari, nëse bojkotohen zgjedhjet nga LVV-ja do të kemi eufori të pakënaqësisë së akumuluar të shumicës, të cilëve po ju shkelet vullneti politik. Së dyti, mund të nxitet pakënaqësia e PDK-së dhe LDK-së, të cilët nuk po kuptojnë se koha e zyrtarëve të instaluar që marrin vendime në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës, ka përfunduar”.

Politologu Belul Beqaj tregon nëse mund të ketë zgjedhje, në rrethanën kur për çfarëdo arsye ndonjë nga subjektet politike tërhiqet nga gara.

“Nëse cilido subjekt tërhiqet nga zgjedhjet, ligjërisht mund të ketë zgjedhje ngase s’ka kufizime kushtetuese, por nuk do të ketë zgjidhje”, këmbëngul ai. “Përkundrazi, do të ketë destabilizim serioz të situatës dhe vështirësi serioze në politikëbërje”.

Përderisa është kështu, KQZ-ja ndodhet nën kërcënimin e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, se do të ndërmarrë masa, nëse nuk e bën certifikimin e listave të kandidatëve. Osmani vetë është pjesë e kandidatëve në listën e LVV-së.

Ehat Miftaraj ka kritikuar qasjen e saj.

“Mundësia që një listë e partive politike të mos certifikohet varet nga vullneti i vet partisë politike dhe nëse e njëjta dëshiron t’i shfrytëzojë mjetet juridike që ka në dispozicion”, thotë ai. “Edhe përkundër faktit se Ligji për zgjedhjet ia mundëson presidentes shkarkimin e znj. Daka, një vendim i tillë në mes të procesit zgjedhor do të përkthehej në shtyrje dhe pengim të vetë këtij procesi, duke hyrë në një rrugë pa krye dhe dëmtuar integritetin, por edhe besimin e procesit zgjedhor”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera