Lajme

Këta janë kryetarët e komunave që fituan së paku tri herë zgjedhjet lokale

Autori: Gazeta inFokus 22:42 | 21 November 2021

Ka pak ditë që ka përfunduar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në vendin tonë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Dikush u rikonfirmua në krye të komunës për herë të dytë, derisa ka të tillë që konfirmohen në krye të komunës për herë të pestë. Janë plotë shtatë kryetarë të komunave që janë zgjedhur së paku tri herë në krye të komunave.
Burim Berisha është politikani që më së gjati ka qëndruar në krye të një komunë në Kosovë.

-Advertisement-

Pas konfirmimit të fitores në zgjedhjet e fundit lokale, Berisha fillon mandatin e pestë në krye të Fushë Kosovës, shkruan Telegrafi.

Besim Ilazi, kishte fituar garën për kryetar të Kaçanikut në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2012, pas dorëheqjes së Xhabir Zharkut.

Që nga ajo kohë Ilazi ka fituar edhe tri mandate tjera radhazi, shumica në raundin e parë. Mandati i katërt i Ilazit në krye të Kaçanikut përfundon në vitin 2025.

Sokol Haliti i hyri garës zgjedhore në Viti si anëtar i LDD-së qysh në vitin 2007. Por ai u mund nga kandidati i PDK-së Nexhmedin Arifi për dy herë radhazi.

Mirëpo Haliti arriti të mposht Arifin në zgjedhjet e vitit 2013. Haliti u konfirmua si kryetar edhe në vitin 2017 qysh në raundin e parë, derisa në zgjedhjet e fundi ai u certifikua kryetar për mandatin e tij të tretë.

Gazmend Muhaxheri për herë të parë garës zgjedhore për Komunën e Pejës e kishte hyrë në vitin 2009. Në atë kohë si pjesë e partisë “Ora”, Muhaxheri ishte renditur i katërti. Por pas shkrirjes së Orës në LDK, Muhaxheri i hyri garës në Pejë si kandidat i LDK-së duke fituar tri mandate, dy nga të cilët qysh në raundin e parë.

Xhafer Gashi ka marrë mandatin e tretë në krye të Obiliqit. Gashi si pjesë e AAK-së kishte fituar dy gara zgjedhore në Obiliq përkatësisht në vitin 2013 dhe 2017. Derisa në zgjedhjet e fundit lokale Gashi fitoi si kandidat i pavarur.

Edhe Imri Ahmeti i LDK-së ka tri mandate në krye të Lipjanit. Ahmeti në dy palë zgjedhjet e fundit lokale madje fitoi garën qysh në raundin e parë.

Agim Aliu kishte fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt në vitin 2012, pas dorëheqjes së Bajrush Xhemajlit.

Por një vit më vonë Aliu kishte humbur zgjedhjet për kryetar të Ferizajt përballë Muharrem Svarqës së LDK-së. Aliu katër vite më vonë kishte mposhtur Sfarqën, derisa në zgjedhjet e fundit lokale u konfirmua përsëri fitues qysh në raundin e parë.

Ky do të jetë mandati i tretë i Agim Aliut në krye të Ferizajt.

Për herë të dytë në krye të komunave janë konfirmuar edhe Bashkim Ramosaj, Bali Muharremaj, Ardian Gjini, Zenun Elezaj, Smajl latifi, Ramiz Lladrovci e Spejtim Bulliqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera