Lajme

Këta janë kandidatët për kryeministër të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 13:23 | 03 May 2017

Nëse partnerët e koalicionit qeverisës vendosin që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, postin e kryeministrit do ta synojnë së paku pesë kandidatë nga subjekte të ndryshme politike.

Kandidati i PDK-së për shef të Qeverisë do të jetë edhe numri një i kësaj partie, Kadri Veseli, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të Parlamentit të Kosovës.

Sekretari i PDK-së, Basri Musmurati, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se në rast se sivjet mbahen zgjedhjet e parakohshme kandidati i partisë së tij për kryeministër do të jetë Kadri Veseli. “Nuk e dimë ende nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, por nëse mbahen kandidati ynë për kryeministër do të jetë Kadri Veseli”, ka deklaruar Musmurati.

-Advertisement-

Një mandat të dytë në krye të Qeverisë e synon edhe shefi i LDK-së, Isa Mustafa, ndonëse zyrtarët e subjektit politik që udhëheqin me ekzekutivin mohojnë se sivjet do të ketë zgjedhje parlamentare në Kosovë.“Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Isa Mustafa do të vazhdojë të jetë kryeministër deri në qershor të vitit 2018 dhe pastaj prapë do të kandidojë për kryeministër nga ana e LDK-së”, ka thënë Rugova për gazetën “Zëri”.

Ndërsa Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë për “Zërin” se në rast se zgjedhjet e parakohshme mbahen Ramush Haradinaj do te jetë bartës i listës së bllokut AAK-“Nisma”.

“Haradinaj do të jetë bartës i listës së bllokut AAK-‘Nisma’. Kaq është e sigurt”, ka deklaruar Nitaj.

Për dallim nga tri partitë e lartpërmendura parlamentare, ku kandidatë për kryeministër janë edhe kryetarët e partive, partia më e madhe opozitare në vend, lëvizja “Vetëvendosje”, kandidat për kryeministër nuk e ka shefin e partisë Visar Ymerin, por deputetin Albin Kurti.

Ndërkaq kandidat i Aleancës Kosova e Re (AKR) për shef të Qeverisë së Kosovës është Behgjet Pacolli. Jetlir Zymberaj nga kjo parti ka konfirmuar se AKR-ja tashmë ka zgjedhur edhe kandidatin për kryeministër nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme. Ai tha se Behxhet Pacolli, njëherësh edhe kryetar i kësaj partie, do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës. “Nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme kandidati i AKR-së për kryeministër do të jetë Behxhet Pacolli”, ka deklaruar Zymberaj për gazetën “Zëri”.

ARK-ja ka qenë parti parlamentare, por edhe pjesë e Qeverisë së Kosovës, kurse pas zgjedhjeve të fundit parlamentare nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor prej 5%, që është i vendosur sipas ligjit. Në nivelin lokal AKR-ja aktualisht mban pozitën e kryetarit të Komunës në Mitrovicë dhe të nënkryetarit në Komunën e Kamenicës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera