Sport

Këta janë dy kundërshtarët e mundshëm të Prishtinës në Ligën e Kampionëve

Autori: Gazeta inFokus 14:30 | 18 May 2021

Prishtina ka arritur që për herë të pestë që nga pranimi i Kosovës në UEFA të siguroj daljen në Evropë. Por, kjo do të jetë hera e parë që Prishtina do të përfaqësoj vendin në Ligën më prestigjioze të futbollit evropian, UEFA Champions League.

Formati i këtij kompeticioni dallon nga ai i UEFA Europa League ku skuadra e Superligës së Kosovës garoi për katër vite rresht.

Më 22 qershor në kryeqytetin e Ishujve Faroe, Torshavn, zhvillohen nga një ndeshje gjysmëfinale të raundit preliminar, kurse pas tre ditësh, më 25 qershor zhvillohet finalja, fituesja e së cilës kualifikohet në raundin e parë.

-Advertisement-

Shorti i raundit preliminar, aty nga ku Prishtina e nis misionin, hedhet me 8 qershor. Kurse i raundit të parë me 15 qershor dhe i raundit të dytë me 16 qershor.

Skuadrat e kualifikuara deri më tani janë kampionët e Kosovës, Prishtina, e Ishujve Faroe e cila u shpall në vitin 2020, skuadra më e njohur e këtij vendi, HB Havnar Boltfelag nga Torshavn dhe ajo e Andorrës, Inter Club nga d’Escaldes. Ndërkohë, kampioni i San Marinos përcaktohet në duelin e tyre direkt këtë të shtunë ndërmjet La Fiorita dhe Folgore.

Prishtina asnjëherë nuk është ndeshur me këto skuadra, kurse me koeficient është bartëse së bashku me HB me nga 2.250 pikë, ndryshe nga Inter me 1.500. Po ashtu koeficientin e ulët e kanë edhe skuadrat nga San Marino.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, tani me formimin e UEFA Conference League, eliminuesit e Ligës së kampionëve në raundin preliminar dhe atë të parë vazhdojnë garat në Conference League, kurse nga raundi i dytë garat i vazhdojnë në UEFA Europa League. Ndërsa çdo skuadër e eliminuar nga UEFA Europa League, deri pas përfundimit të garave nëpër grupe, dhe në raundin kualifikues paraprak, vazhdon garat në Conference.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera