Kështu i mori 53 milionë euro “Bechtel-Enka”
Autori: Gazeta inFokus 12:09 | 06 June 2018
Në dy dokumente të brendshme të Qeverisë së Kosovës zbulohen shumë detaje sesi ka ardhur deri të ndëshkimi prej 53 milionë eurove nga kompania “Bechtel-Enka”, e cila po e ndërton autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.
Qeveria e Kosovës të martën ia ndau 53 milionë euro shtesë kompanisë “Bechtel-Enka”, si formë penaltish nga kompania për mosrealizim të kontratës. Por historia sesi erdhi deri të ky penalizmi për Qeverinë e Kosovës daton shumë herët. Qysh në kohën e Qeverisë Mustafa, kompania e cila po e ndërton autostradën Prishtinë-Hani i Elezit” kishte hasur probleme në realizimin e kontratës.
Sipas një raporti të brendshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe një letërkëmbimi mes përfaqësuesve të “Bechtel-Enkas” dhe atyre të Qeverisë, të cilat i posedon gazeta, del se problemet në realizimin e kontratës kishin filluar qysh me 30 shtator të viti 2016.
Në një kërkesë të datës 30 shtator 2016, të cilën ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ia kishte drejtuar shefit të tij, Isa Mustafa, kërkonte nga ky i fundit që Qeveria e Kosovës të aprovonte një aneks-kontratë për zgjatje prej një viti të punimeve për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit. Kërkesa bazohej në faktin se Ministria nuk kishte arritur t’i kryente të gjitha obligimet financiare ndaj kompanisë ndërtuese “Bechtel-Enka”.
Ministria e udhëhequr asokohe nga Lutfi Zharku fillimisht e kishte arritur një marrëveshje me kompaninë me një kosto shtesë prej 14.8 milionë eurosh. Kjo kosto përfshinte afatin shtesë njëvjeçar me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, që kompania së bashku me stafin dhe makineritë do të duhej të qëndronte në Kosovë.
Megjithatë e njëjta kërkesë, sipas raportit të cilën e posedon gazeta, nuk u mor parasysh nga ish-kryeministri Isa Mustafa.
Kërkesën ai e ktheu mbrapsht me arsyetimin së përgjegjëse për aprovimin e saj është Komiteti Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë – Hani i Elezit. Kryesues i këtij Komiteti asokohe ishte vetë ministri Lutif Zharku, i cili sikurse edhe shefi i tij refuzoi ta vendosë nënshkrimin në aneks-kontratë.
Sipas raportit të brendshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, këto dy refuzime bën që kompania “Bechtel-Enka” të dalë pas një viti me pretendimin prej 63 milionë eurosh.
“Kështu, më 30 shtator 2016 kryesuesi i Komitetit Ndërministror, ish-ministri Lutfi Zharku, kishte kërkuar nga Qeveria aprovimin e aneksit të kontratës për zgjatje të afatit për përfundimin e punimeve deri më 31.12.2018 me një kosto prej 14,778,654,78 eurosh, por Qeveria e kishte kthyer mbrapa këtë kërkesë, duke u arsyetuar se për këtë duhet të vendosë vetë Komiteti Ndërministror”, thuhet në raportin “Pretendimet për penale të kontraktuesit ‘Bechtel-Enka’ ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”.
Marrëveshja ishte nënshkruar pa u definuar kostoja financiare
Në raport më tej thuhet se që nga ajo kohë e deri më datën 27 shtator 2017, kur është nënshkruar marrëveshja për zgjatjen e përfundimit të punimeve deri më 31.12.2018, nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim. Marrëveshja për zgjatjen e afatit të kontratës ishte nënshkruar pa u definuar kostoja financiare.
“Kjo kosto ishte diskutuar në mes të palëve, kontraktonit e Qeverisë dhe ishte dakorduar të jetë në shumën prej 14,778,653.87 eurosh, por nuk ishte marrë vendim nga Komiteti Ndërministror”, thuhet në raport.
Ndryshe kontrata në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë fituese “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arben-Xhaferi”, traseja Prishtinë – Hani i Elezit planifikohej të përfundohej më 20 janar 2018. Mirëpo për shkak të vonesave nga Qeveria e Kosovës në pagesa, kjo kërkoi që afati të shtyhej edhe një vit, saktësisht deri më 31.12.2018.
Ish ministri i Infrastruktuës, Lutfi Zharku, për media e kishte pranuar se gjatë mandatit të tij me kompaninë është diskutuar vetëm për 14.8 milionë euro kosto shtesë.
“Ne kemi folur për 14.8 milionë euro, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve. Le të tregojë Pali se si i ka bërë 63 milionë euro”, pati thënë Zharku.
Pretendimet e “Bechtel”-it
Si pasojë e këtyre vonesave, kompania ndërtuese “Bechtel-Enka” në fund të muajit nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri me pretendimin prej 63 milionë eurosh. Kompania pretendimin e bazoi në emër të zgjatjes së kontratës në më shumë se një vit. Kështu për pagesën dhe për mbajtjen e personelit menaxhues të nevojshëm për administrimin e projektit “Bechtel” kërkoi 16.6 milionë euro, për pajisjet të cilat do të duhej të përdoreshin gjatë kësaj periudhe kërkoi 30.8 milionë euro, ndërsa 10 milionë euro tjera për ndërprerjet e shkaktuara gjatë periudhës 2014-2017.
“Është fakt i pamohueshëm se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka bërë pagesat e nevojshme për shpenzimet e ndërtimit ndaj kontraktonit sipas planit të pagesave”, thuhet në raport. Sipas këtij raporti, në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, por janë paguar vetëm 55.4 milionë euro apo 21 për qind më pak sesa pagesat e planifikuara.
Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro, janë paguar 112.1 milionë euro (në fillim të vitit janë alokuar vetëm 90 milionë euro), ose 59 për qind më pak sesa është planifikuar. Ndërsa në vitin 2016 nga 205 milionë euro sa ishte me kontratë, u paguan vetëm 155.9 milionë euro (në fillim të vitit janë alokuar vetëm 108 milionë euro), ose 42 për qind më pak sesa ishte planifikuar.
“Nga sa shihet më lart, Qeveria e Kosovës si autoritet kontraktues, ka shkaktuar vonesa në pagesat e planifikuara të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikuar në vonesë për realizimin e punimeve sipas planit dhe kanë rezultuar me nevojën e detyrueshme për zgjatjen e afatit të kontratës dhe rrjedhimisht edhe të kostos shtesë për këtë periudhë kohore”, thuhet tutje në raport.
Letra e Bechtel-it
Detaje tjera rreth këtij problemi zbardhen edhe në një letër të menaxherit të projektit të “Bechtel-Enka”-s Riyadh Alkhazraji, të cilën ua kishte drejtuar pesë ministrave të qeverisë “Mustafa” dhe këshilltarit të transaksionit.
Në letër, të cilën po ashtu e posedon gazeta, vërehet mosbesimi i drejtuesit të projektit ndaj aftësisë së Qeverisë për t’iu përgjigjur obligimeve financiare që dalin nga kontrata, si dhe për një takim për këtë çështje në mes të kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie.
Në këtë takim kryeministri Mustafa kishte kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar më tej aneksin e kontratës, i cili tashmë ishte miratuar nga Komiteti Drejtues Ndërministror dhe që përfshinte zgjatjen e punimeve prej një viti me një kosto shtesë prej 14.8 milionë eurosh. “Bechtel&Enka” ishte e gatshme ta nënshkruante aneksë-kontratën, por e njëjta nuk ndodhi nga pala tjetër, Qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës u përgjigj më 12 dhjetor 2016, duke shpjeguar se Komiteti Drejtues Ndërministror nuk kërkon një vendim të Qeverisë së Kosovës dhe se shtojca mund të nënshkruhet nga punëdhënësi në bazë të vendimit të Komitetit Drejtues Ndërministror të datës 30 shtator 2016. Si i tillë, partneriteti i përgjithshëm i ‘Bechtel-Enka’-s (BEGP) ishte gati të nënshkruante aneksin, i cili ishte rënë dakord midis palëve dhe ishte miratuar nga Komiteti Drejtues Ndërministror”, thuhet në letrën e menaxherit të “Bechtel”-it.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...