Fokus

Kështu arsyetohet Qeveria pasi mori vendim “krye në vete” për hapjen e tregut të shpezëve

Autori: Doresa Geci 13:21 | 01 June 2021

Ka ditë që në disa ferma në Kosovë u vërtetua prania e gripit të shpezëve.

Për këtë u alarmua Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, e cila ndërmori edhe një varg masash, shkruan Gazeta Infokus.

Masat fillestare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes që u ndërmorën nga AUV ishin ndalimi i lëvizjes së shpezëve nga fermat, mbajtja e panaireve, tregjeve, ekspozitave dhe grumbullimeve të tjera të shpezëve dhe zogjve të tjerë.

-Advertisement-

Krejt kjo me qëllim të ruajtjes së shëndetit.

Por një vendim tjetër i Qeverisë po del të jetë kundër kësaj Agjencie.

Të premten ekzekutivi hapi këto tregje në kundërshtim me vendimin që kishte marrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dy ditë më herët e që ndalonte hapjen e tyre, shkruan Gazeta Infokus.

Gazeta Infokus ka pritur disa ditë përgjigje nga Qeveria e Kosovës për të mësuar për këtë vendim, por vetëm pas publikimit të tekstit “Qeveria rrezikon qytetarët, hapë tregjet pa koordinim me AUV-in”, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i ka kthyer përgjigje Gazetës Infokus.

Kryeziu duke u munduar të arsyetoj këtë, ka thënë se AUV është një agjenci e pavarur dhe mund të marrë një vendim të veçantë kundër vendimit të tyre që mor për masat anti-Covid.

“Sigurisht që vendimi nuk ndërhyn në fushëveprimin e kompetencave të cilat i kanë agjenci të caktuara siç është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), rrjedhimisht AUV në funksion të kompetencave të saj mund të marrë vendime të veçanta e që ndër të tjera përcaktohen në Udhëzimin Administrativ Nr.24/2005 për Luftimin e Sëmundjes Zoonotike të shpezëve. Prandaj Vendimi i Ref:AUV, 01/2552021 i datës 27.05.2021 ka të bëjë me masa specifike për ndalimin e lëvizjes së shpezëve në territorin e Republikës së Kosovës, dhe si i tillë konsiderohet si lex specialis, në kuptim të aktit që e derigon vendimin e përgjithshëm të Qeverisë që ka të bëjë me luftimin e COVID-19”, ka thënë Kryeziu për Infokus.

Madje Kryeziu ka thënë se ky vendim nuk e shfuqizon vendimin e AUV-it për mbylljen e tregjeve të shpezëve, duke cilësuar kështu vendimin e AUV-it më të rëndesishëm se të Qeverisë.

Kështu deri atëherë kur Qeveria dhe AUV të dalin me një vendim të përbashkët fermerët të cilët mbajnë shpezë do të mbesin të hutuar se a do të kenë të drejtë të bëjnë tregti apo ju ndalohet.

Në ditën që Qeveria Kurti ka marrë vendimin për lirimin e masave anti-Covid, në të cilin parashihet hapja e tregjeve të kafshëve, Gazeta Infokus ka kontaktuar zëdhënësin e AUV-it, Lamir Thaçin, për të pyetur se a është konsultuar Qeveria me këtë institucion para se të marrë një vendim të tillë.

Por Thaçi nuk ka dashur të deklarohej për këtë çështje duke thënë për Infokus se nuk i komenton vendimet e Qeverisë.

 

Çka është Gripi i Shpezëve

Sipas OBSH gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve).

I cili është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit.

Rastet mbetën asimptomatike për tërë kohëzgjatjen e vëzhgimit (disa javë).|

Gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndosha. Gjithashtu mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale (përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë) që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar. Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt nga ferma në fermë duke mbajtur virusin në veshjet e tyre, çizmet ose përmes rrotave të automjeteve. Zogjtë e egër normalisht mund të mbajnë virusin pa u sëmurur vetë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera