Lajme

Kërkohet që seanca për buxhetin 2022 të mbahet para 22 dhjetorit

Autori: Gazeta inFokus 16:38 | 13 December 2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar Raportin me amendamente për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Kryetari i Komisionit Armend Muja ka rekomanduar që shqyrtimi në lexim të dytë i Projektbuxhetit në seancë të ndodhë para datës 22 dhjetor.

“Ky projektligj do t’i procedohet seancës dhe ne rekomandojmë që në afatin sa më të shkurtër të mblidhet dhe ta trajtojë këtë projektligj… Ne jemi duke shqyrtuar mundësinë që të mblidhemi edhe para datës së propozuar. Data 22 (dhjetor) është data e fundit, megjithatë është me rëndësi që ne të mblidhemi më herët në mënyrë që mos t’i tejkalojmë afatet sipas vendimit të Kuvendit”, theksoi Muja.

-Advertisement-

Kryetari Muja tha se Komisionet e përhershme në pajtim me vendimin e Kuvendit e kanë shqyrtuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 me amendamentet e propozuara, por sipas tij, Komisioni për Integrime Evropiane ka vlerësuar se projektligji me amendamentet e propozuara nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Derisa, sipas deputetit Muja, Komisioni për Legjislacion ka vlerësuar se projektligji dhe amendamentet e propozuara janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e zbatueshëm.

“Komisionet e përhershme në pajtim me vendimin e Kuvendit e kanë shqyrtuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022 me amendamentet e propozuara dhe kanë paraqitur raportet si në vijim: Komisioni për Integrime Evropiane në mbledhjen e mbajtur sot e ka shqyrtuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore dhe ka vlerësuar se projektligji me amendamentet e propozuara nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e mbajtur më 13 dhjetor 2021 e ka shqyrtuar projektligjin për ndarjet buxhetore 2022 dhe ka vlerësuar se projektligji dhe amendamentet e propozuara janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e zbatueshëm”, tha Muaja.

Projektbuxheti 2022 i planifikuar mbi 2.7 miliardë euro është miratuar në lexim të parë më 25 nëntor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera