Lajme

​Kërkohet nga BE-ja të jetë më e balancuar në dialog

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 16 September 2023

Dështimi për të arritur një marrëveshje në takimin e së enjtes në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq mund të bllokojë procesin e dialogut, thonë analistët politikë. Sipas tyre, Kurti duhet të jetë më konstruktiv që të del nga ngërçi i krijuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, derisa kërkojnë edhe nga Bashkimi Evropian që të jetë më e balancuar në raport me dy palët. Ndërkaq, kreut qeveritar i sugjerojnë që të bëjë hapa përpara në lidhje me Asociacionin, por gjithsesi brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit.

Njohësi i procesit të dialogut, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se kryeministri Kurti nuk duhet bie në grackën e Serbisë dhe të bllokojë dialogun, pasi kjo i konvenon vetëm Vuçiqit.

“Bashkimi Evropian hapin e parë që do të duhej të kishte parasysh është që të jetë më e balancuar. Në këtë rrafsh qasja e kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, do të duhej të ndryshoj, pasi praktikat e procesit të dialogut kanë pasur dallimet e veta. Shkuarja në një dialog që të ketë ngërçe ende, nuk i ndihmon Kosovës, duke parë ambiciet dhe nevojat e veta. Për Serbinë kjo është jashtëzakonisht e volitshme dhe për pasojë konsideroj se Kosova duhet të ketë një qasje më kreative sesa këto metodat e deritanishme, pasi nuk po e dhënë afektin e vet”, thotë ai.

-Advertisement-

Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress, se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë garanci nga Serbia për zbatimin e marrëveshjes bazë me Kosovën.

Ai po ashtu thotë se Kosova duhet të bëjë hapin e madh që ta paraqes pozicionin e saj në raport me Asociacionin.

“Kosova nuk është treguar palë konstruktive në raport me Asociacionin sepse ka vite që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja, e lusin Kosovën që të ofrojë pozicionin e saj në raport me atë si e sheh Asociacionin, gjithsesi brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Mirëpo ka pasur një bojkot dhe injorim të plotë të kësaj teme nga ana e Kosovës, prandaj kanë ardhur edhe presionet ndërkombëtare”, thekson Muhaxhiri.

Sipas tij, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, nuk do të largohen derisa të ketë një vendosmëri më të madhe të Kosovës për zgjedhjet në veri.

“Nuk mund të ketë largim të bllokadës dhe deeskalim, pa garanci të forta nga ana e Qeverisë së Kosovës për zgjedhjet në veri, për infrastrukturën dhe sigurimin e të gjitha mjeteve dhe lehtësimin e procedurës së (zgjedhjeve). Gjithsesi, edhe të garancive nga ana serbe për pjesëmarrje të pakicës serbe në këto zgjedhje në veri”, shton ai.

Të enjten në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mirëpo pa arritur një rezultat për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqësh të para, gjashtë muajsh, i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.

Për një dokument të tillë, Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i gatshëm të ecë përpara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera