Lajme

Kërkohet krijimi i insitucioneve të reja që të miratohen projektligjet për t’i dal në ndihmë qytetarëve në kohë pandemie

Autori: Gazeta inFokus 21:47 | 27 February 2021

Ambasadorët e QUINT-it (SHBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Itali) pas zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë kërkuar që institucionet e reja të formohen pa humbur kohë, në mënyrë që Qeveria dhe Kuvendi t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve.

Mirëpo një gjë e tillë duket se ka kohë për të ndodhur. Kjo pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që 564 vendvotime të rinumërohen.

Kësisoj certifikimi i rezultateve nga KQZ do të marrë kohë. Por vonesa e formimit të institucioneve të reja po dëmton Republikën e Kosovës.

-Advertisement-

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se konstituimi i Kuvendtit varet nga koha kur KQZ do t‘i ceritifkoj rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe së dyti nga u.d e presidentit se kur do ta ftoj seancën brenda atij afatit prej 30 ditësh.

Haxhiu tha se vonesat deri në konstituimin e plotë të insitutcioneve ndikojnë drejtpërdrejt në implementim të seciles reformë apo politikë, e sidomos në kohë pandemie.

“Duke nisur nga praktikat nga e kaluara, certifikimi i rezultateve nga KQZ merr kohë dhe ngjashëm edhe në këto palë zgjedhje ky proces po shkon sipas atij trendi. Tash duhet të kemi parasysh që nga certifikimi i rezultateve e deri në konstituim të Kuvendit ekziston një afat kushtetues prej 30 ditësh që u.d e presidentit ka në dispozicion për të ftuar seancën konstituive.

Tash data kur potencialisht do të mund të konstituohej Kuvendi pra varet së pari nga koha kur KQZ do t‘i ceritifkoj rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe së dyti nga u.d e presidentit se kur do ta ftoj seancën brenda atij afatit prej 30 ditësh. Në të kaluarën presidenti ka ftuar zakonisht seancën konsitutive gati në përfundim të këtij afatit prej 30 ditësh për t’iu dhënë kohë edhe subjekteve politike që të krijojnë konsensusin e nevojshëm (votat) për krijimin e institucioneve.

Gjithsesi vonesat deri në konstituimin e plotë të insitutcioneve janë evidente dhe kjo padyshim që ndikon drejtpërdrejt në implementim të seciles reformë apo politikë, e kjo poasqerisht kur jemi në mes të krizës ekonomike e shëndetsore si pasojë e pandemisë. Kur marrim parasysh edhe mungesën e stabilitetit politik këto dy vitet e fundit, vetëm një përqindje e vogël e programit qeveritar ka arritur të zbatohet sidomos masat që rrjedhin nga obligimet në kuadër të MSA-së”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se vitin e kaluar vetëm 17 ligje janë miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar, prej 146 sa kanë qenë të planifikuar nga qeveria.

“Vetëm 17 ligje janë miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar, prej 146 sa kanë qenë të planifikuar nga qeveria bashkë me nismat ligjore të deputetëve. Këto shifra tregojnë qartë nevojën për konstituim sa më të shpejtë të institucioneve dhe fillimin e punës për të shqyrtuar e miratuar ligjet që ka kohë që barten nga një vit në tjetrin si pasojë e krizës politike dhe brishtësisë së numrave në Kuvend për të shtyrë përpara çështjet që janë në interes për qytetarët”, u shpreh ajo.

Nevojën që të formohen sa më shpejt institucionet e reja e theksoi edhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, i cili tha se nevojitet veprim i shpejtë në përkrahjen e ndërrmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia.

Zeka tha se tash e dy vite pritet aprovimi i disa projekligjeve që do ta lehtësonin punën e ndërrmarrjeve në vend.

“Është më se e nevojshme që në kohë sa më të shpejtë të konstitutohen institucionet e reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, me legjitimitet të plotë për të shtyrë përpara agjendën legjislative dhe për të marrë vendime. Kjo edhe për shkak të nevojës për veprim më të shpejtë në përkrahje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID19 tash e një vit. Në aspektin e reformës legjislative për rreth dy vite pritet aprovimi i disa projektligjeve të rëndësishme të cilat do të lehtësonin më tej punën e ndërmarrjeve në vend, siç është rasti me projektligjet tatimore, përfshirë edhe atë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që do të mundësonte zhvendosjen e mbledhjes së brendshme të TVSH-së, por edhe projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale, e së fundmi është bërë i nevojshëm edhe ndryshimi i legjislacionit për investimet strategjike. Prandaj, konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i shpejtë i Qeverisë së re është imperativ për rikuperimin ekonomik, por edhe avancimin e reformës së mjedisit për të bërë biznes”, tha ai.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shumicën e votave në zgjedhjet e 14 Shkurtit. Ajo ka fituar 48.17 përqind të votave, vota këto që llogariten si një mbështetje morale më e madhe që ka marrë një parti ndonjëherë në Kosovë.

PDK-ja është partia e dytë me 17.35 përqind të votave, LDK-ja mori 13.18%, AAK 7.42 dhe Nisma 2.59.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera