Lajme

Kërkohet kompensim për mësimin plotësues

Autori: Gazeta inFokus 14:57 | 25 April 2021

Përfaqësuesit e mësimdhënësve po insistojnë që të kompensohen mësimdhënësit, të cilët do të angazhohen në mësimin plotësues. Me këtë kërkesë pajtohet edhe drejtori i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë, Shefki Rusinovci dhe arsimtarja e matematikës po në këtë shkollë, Minivere Tahiri.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka marrë vendim për mbajtjen e mësimit plotësues për nxënësit e arsimit fillor dhe atij të mesëm në Kosovë, për orët e humbura si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, duke e vlerësuar të nevojshëm realizimin e mësimit plotësues për shkak të ndikimit të pandemisë në mbarëvajtjen e procesit mësimor, thotë se mësimdhënësit nuk janë fajtorë për orët e humbura të mësimit.

-Advertisement-

“Besoj që do arrijmë një marrëveshje të mirëkuptimit me drejtoritë komunale të arsimit dhe Ministrinë e Arsimit, që këta mësimdhënës, për orët shtesë të kenë një kompensim sepse ata edhe ashtu janë të lodhur, të ngarkuar dhe të stresuar nga pesha e stresit të COVID-19. Madje, edhe pas shumë kërkesave dhe apeleve të SBASHK-ut, ende nuk është arritur të sigurohet sasi e duhur e vaksinave kundër COVID-19 për punonjësit e sistemit të arsimit”, thotë Jasharaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe drejtori i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë, Shefki Rusinovci, thotë se do ishte jonjerëzore që mos të kompensohen këta mësimdhënës. Ai tregon se një mësimdhënës i matematikës mban deri në dhjetë orë mësim në ditë dhe sipas tij, mësimi plotësues do të jetë ngarkesë për ta.

“Po e them në mënyrë të qartë, po të ishim duke punuar në rrethana normale, nuk do ishte diskutuar për pagesa shtesë. Por, në këtë kohë kur mësimdhënësit janë të mbingarkuar me këtë ndarjen e nxënëseve në dy klasa, kur një mësimdhënës i mban dhjetë orë në ditë dhe tashmë me mësimin plotësues, do të ishte jonjerëzore mos të kompensohen. Do të duhej patjetër që të kompensohen sepse vërtetë është barrë e rëndë”, thekson Rusinovci.

Arsimtarja e lëndës së matematikës në shkollën fillore “Pavarësia”, Minivere Tahiri, pajtohet me kërkesën e SBASHK-ut për pagesë shtesë për mësimin plotësues. Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se angazhimet dhe përpjekjet për mbarëvajtje të procesit mësimor gjatë kohës së pandemisë nuk kanë munguar edhe pse kjo periudhë, siç thotë ajo, ka qenë sfiduese.

“Edhe unë pajtohen më insistimin e SBASHK-ut. Mendoj se ne (mësimdhënësit) jemi të lodhur, të ngarkuar për shkak të ndarjes së nxënëseve në dy grupe, edhe pse orët janë më të shkurta, punojmë në katër ndërrime. Mbajtja e mësimit me orar të shkurtuar është më e vështirë sepse për atë periudhë mundohemi të shpjegojmë, mos të mbesin nxënësit prapa”, shpjegon Tahiri.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për mundësinë e kompensimit për mësimdhënësit e angazhuar në mësimin shtesë.

Pse mësim plotësues për tri lëndë?

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thonë se nga raportet e drejtorive komunale të arsimit,(DKA) kanë konstatuar se një numër i konsiderueshëm i nxënësve nuk kanë arritur të përcjellin mësimin dhe të arrijnë të përmbushin rezultatet e të nxënit, të paraparë me programet mësimore-lëndore, si pasojë e mungesës së pajisjeve dhe qasjes në internet.

Kosova kishte mbyllur institucionet arsimore në muajin mars të vitit të kaluar, kur u paraqitën edhe rastet e para me koronavirus. Mësimi më pas ishte zhvilluar përmes platformave online dhe mësimeve të transmetuara në televizionin publik.

Edhe rezultatet e jashtme të testit PISA, testit të arritshmërisë dhe testit shtetëror të maturës, thuhet në përgjigje, ku fokusi janë lëndët matematikë, gjuhë shqipe dhe shkencat natyrore, është konstatuar se në këtë segment duhet më shumë mbështetje dhe organizim të mësimit plotësues për arritjen e rezultateve.

Ministria e Arsimit nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të organizojë mësim plotësues edhe për lëndë të tjera.

Mësimi plotësues, që do të organizohet për lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore, do të fillojë më 3 maj në objekte shkollore dhe do të zgjasë deri në përfundim të vitit mësimor 2020/2021.

Edhe Jasharaj, Rusinovci dhe Tahiri pajtohen se mësimi plotësues është i nevojshëm, pasi sipas tyre, pandemia ka ndikuar në procesin mësimor, por sfidë në realizim po paraqitet mungesa e hapësirave, për shkak që shkollat janë duke punuar në katër ndërrime dhe me orar të shkurtuar.

Por, zyrtarë të MASHTI-it, kanë thënë se kanë përgatitur edhe udhëzuesin për organizimin e mësimit plotësues dhe i njëjti është shpërndarë në drejtoritë komunale të arsimit, në bazë të të cilit, do të përcaktohet forma dhe mënyra e organizimit të procesit mësimor.

Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe universitar Kosovë, që nga muaji shtator i vitit të kaluar është duke vazhduar me pjesëmarrjen fizike të nxënësve në shkolla.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera