Lajme

Kërkohet dënimi i Stanishiqit, akuzohet për vrasjen e 13 civilëve në Lipjan

Autori: Gazeta inFokus 07:41 | 01 October 2021

Në gjykimin që po zhvillohet ndaj të akuzuarit, Goran Stanishiq për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit, prokurorja speciale Drita Hajdari ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe ta dënohet sipas ligjit.

Një deklarim të tillë prokurorja Hajdari e ka bërë të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare në këtë çështje penale.

Stanishiq po akuzohet se në prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në bashkëveprim me personat e tjerë të forcave policore serbe, të paidentifikuar deri më tani, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile dhe në kryerjen e 13 vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Hjadari ka thënë se pikën e parë të diapozitivit të aktakuzës e mbështet në dëshmitë dëshmitarëve Gj,H dhe Z. G., të dëgjuara në këtë shqyrtim gjyqësore, sipas të cilave pretendon se është vërtetuar në mënyrë të pakontestuar që me datën 15 prill 1999 në fshatin Sllovi janë vrarë pesë anëtarë të familjes Gashi, M.G, O.G, E.G, A.G dhe B.H, pasi që sipas saj të njëjta kanë qenë në vendin e krimit dhe kanë parë që ka qenë i pranishëm i akuzuari Stanishiq dhe ka shtënë në familjarët e tyre.

“Pavarësisht çka është relevante ato e kanë identifikuar se i akuzuari Stanishiq ka hyr në oborrin e shtëpisë së tyre dhe ka shtënë në pesë anëtarët e familjes së tyre dhe i ka vrarë”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Lidhur me pikën dy të diapozitivit të aktakuzës, prokurorja Hajdari ka thënë se në bazë të dëshmive të dëshmitarëve B.B dhe F.G, mënyrë të sigurt është vërtetuar se i akuzuari Stanishiq, ka marr pjesë në vrasje e F.B.

Edhe për pikën tre të diapozitivit të aktakuzës, ku Stanishiq akuzohet se ka marr pjesë në vrasjen e gjashtë civil shqiptarë, në fshatin Sllovi, prokurorja speciale Hjadari e ka mbështetur në dëshminë dëshmitarëve.

Kurse për pikën katër të diapozitivit të aktakuzës, ku Stanishiq po akuzohet si bashkëpjesëmarrës në vrasjen e Z. G dhe lëndimin e A1, në fshatin Tërbofc, prokurorja Hajdari e ka mbështetur në dëshmin e A1 dhe dëshmitarëve të tjerë të dëgjuar në shqyrtim gjyqësor, në dëshminë e mjekut të cilës i ka dhënë ndihmë mjekësore, dhe dokumentacioni mjekësor për A1.

Pas kësaj, prokurorja ka propozuar që alibia e të akuzuarit Stanishiq të refuzohet, të cilin propozime e ka mbështetur në kundërthëniet e dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtim gjyqësor, sepse sipas saj është e arsyeshme që familjarët ta mbrojnë të akuzuarin Stanishiq.

Në fund, prokurorja Hajdari i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin Stanishiq ta shpallet fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, dhe me rastin e shqiptimit të dënimit të merren parasysh të gjitha rrethanat e rast.

Kurse të dëmtuarit F.B, R.B, M.P, H.B, B.B, S.B, e kanë mbështetur fjalën përfundimtare të prokurores Hajdari, si dhe kanë kërkuar që drejtësia të vije në vend dhe i akuzuari të dënohet sipas ligjit, ndërsa të njëjtit nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore-juridike.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Stanishiq, avokati Ljubomir Pantoviq, në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin Stanishiq ta liroj nga akuza, sepse sipas tij i njëjti nuk i ka kryer krimet për të cilat ngarkohet.

Pantoviq, ka thënë se mbrojtja qysh në fillim nuk e ka mohuar faktin për krimet që kanë ndodhur me 15 prill të vitit 1999, në fshatin Sllovi të Lipjanit, e as krimet që kanë ndodhur në fshatin Tërboc më 16 prill të vitit 1999, por që sipas tij që nga fillimi e kanë mohuar faktin se këto krime janë kryer nga i akuzuari Stanishiq.

Tutje, Pantoviq e ka vënë në dyshim kredibilitetin e dëshmisë së dëshmitarëve në të cilat prokuroria e ka mbështetur aktakuzën, pasi që sipas tij dëshmitë e këtyre dëshmitarëve janë kundërthënëse njëra me tjetrën dhe jo të besueshme.

Kurse i akuzuari Stanishiq, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, si dhe ka thënë se nuk e ndjen veten fajtor.

“Mu më vjen keq për të gjithë vendasit e mi nga fshati Sllovi, për atë që ka ndodhur dhe krimi në fshatin Sllovi, mirëpo unë nuk jam fajtor dhe nuk i kamë ndihmuar atij krimi në asnjë mënyrë, dhe unë asnjëherë nuk e kamë ndier fajtor vetën”, tha i akuzuari Stanishiq në fjalën e tij përfundimtare.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale është i përfunduar, ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 5 tetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.

Në aktakuzë thuhet se më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.

Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera