Lajme

Kërkohet dënim maksimal për hetuesin e policisë që dhunoi të miturën në Drenas

Autori: Gazeta inFokus 15:37 | 06 February 2019

Agjencia për Barazi Gjinore dënon ashpër rastin e fundit ku një vajzë e mitur u bë pre e dhunimit seksual dhe abuzimit nga hetuesi i Policisë së Kosovës në Komunën Drenasit, dhe bën thirrje për zbardhje sa më të shpejtë të rastit dhe sjelljen e autorit para drejtësisë.

“Aktet si ky i abuzimit dhe keqpërdorimit të personave të mitur, që rrezikon jetën dhe mirëqenien e vajzave, është akt i shpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të besimit në institucion kredibil si Policia e Kosovës, mund të luhatin besimin tek institucionet në të cilat shoqëria kosovare ka investuar në krijimin e kapaciteteve njerëzore profesionale, besim të cilin vet institucioni e ka krijuar ndër vite”, thuhet në deklaratë.

ABGJ kërkon nga Policia e Kosovës që urgjentisht të ndërmarrë hapat e nevojshme procedurale për efikasitetin e sistemit të mbrojtjes së viktimave të dhunës në baza gjinore dhe të sigurojë shoqërinë se sistemi është funksional.

-Advertisement-

“Kërkojmë zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, dënim maksimal të fajtorit, si dhe hetimin dhe vënien përballë drejtësisë të të gjithë atyre që mund të kenë pas informacion për këtë rast dhe nuk kanë kryer obligimet e tyre për të  njoftuar institucionet e rendit mbi abuzimin e vazhdueshëm të viktimës. Ne vlerësojmë se jemi duke u ballafaquar me një fenomen me pasoja shkatërruese për jetën , dinjitetin dhe sigurinë e grave dhe vajzave dhe reagimi duhet të jetë mbarë shoqërorë për ta sjellë drejtësinë në vend”, thuhet më tej në deklaratë.

ABGJ rithekson se mos veprimi në drejtim të zbatimit të kornizës ligjore që dënon dhunën në baza gjinore përveç rrezikimit të mirëqenies së qytetarëve është dështim i zbatimit të sundimit të ligjit dhe se të gjithë akterët që rrezikojnë sundimin e ligjit duhet të sillen para drejtësisë dhe të bartin pasojat individuale.

Ndryshe, Kodi Penal i Kosovës thotë se për dhunim në rrethana që përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit, dhe të moshës, dënimi për këtë vepër është 5 deri në 15 vjet burgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera