Lajme

Kërkohen opsione për zgjidhjen e krizës në veri

Autori: Gazeta inFokus 20:20 | 04 June 2023

Situata në veri edhe të dielën ka qenë e qetë, porse disa qytetarë sërish janë mbledhur para objektit të komunës në Zveçan. E, për situatën atje, ish-përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, ka kërkuar nga Kurti që të dalë me një iniciativë të veten për veriun. Derisa, presidenti serb ka treguar se ka presione të mëdha për Kosovën.

As ditët e pushimi, nuk i kanë ndalë disa qytetarë serbë që të dalin para objektit të komunës në Zveçan, për të protestuar kundër kryetarit të ri, Lulëzim Hetemi.

Mirëpo, situata ka qenë e qetë edhe të dielën, derisa pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës kanë qenë përreth objektit të komunës.

-Advertisement-

E për zgjidhjen e krizës në atë pjesë, përfaqësues ndërkombëtar po kërkojnë nga lidershipi kosovar që të ofrojnë propozime.

Ish-përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar për Kosovën, Pieter Feith, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të dalë me një iniciativë të vetën politike për zgjidhjen e situatës në veri.

Feith tha për Euronews Albania se tërheqja e përkohshme e policisë së Kosovës nga veriu do të ndihmonte në shtensionimin e situatës.

“Kurti të dalë me një iniciativë të vetën për veriun. Jam i sigurt që bota do ta mbështesë. Të hiqet përkohësisht prania e policisë së Kosovës nga veriu. Kjo do të ndihmojë në uljen e tensionit dhe do të shihet si vullnet i veprimit të mirë nga ana e Kosovë. Por gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Kurti të dalë përpara me një veprim të vetin politik”, tha Pieter Feuith.

Ndërkohë, gjatë së dielës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka presione të mëdha rreth Kosovës.

“Serbia ndodhet në një situatë të vështirë gjeopolitike, këto presione janë të mëdha rreth Kosovës dhe do të vazhdojnë. Disa të huaj nuk po e rrëzojnë Serbinë për shkak të Vuçiqit, por po e rrëzojnë një pjesë të Vuçiqit për shkak të Serbisë. Për ta është e rëndësishme që Serbia të jetë sa më e dobët. Duhet të punojmë që Serbia të jetë më e fortë”, deklaroi Vuçiq.

Presioni i faktorit ndërkombëtar vazhdon të jetë i madh përe Kosovën që t’i tërheq forcat policore nga objektet komunale në veri dhe të gjendet një zgjidhje për uljen e tensioneve në atë pjesë.

Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, vazhdon të këmbëngulë se tërheqja e policisë nga objektet komunale do të bëhet pasi kriminelët serbë të depërtohen në Beograd ose të arrestohen në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera