Lajme

​Kërkohen kushte më të mira për infermierët që të ndalet ikja e tyre nga vendi

Autori: Gazeta inFokus 13:08 | 12 May 2022

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë kanë kërkuar kushte më të mira për komunitetin infermieror, me qëllim të parandalimit të ikjes së tyre nga Kosova.

Me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, mbështetje për infermierët ofruan edhe nga ministria e Shëndetësisë.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj tha se në dy vjetët e fundit infermierët po sfidohen me pandeminë COVID-19, sfidë kjo e cila ka evidentuar nevojën për fuqizim dhe përmirësim të pozitës së komunitetit infermieror.

-Advertisement-

Ai tha gjithashtu se në mungesë të rregullimit ligjor, por edhe përmirësimit të kushteve të punës, shumë infermierë po ikin nga Kosova.

“Kjo situatë ka dëshmuar rolin dhe rëndësinë e infermierëve dhe nevojën imediate të dhënies së respektit dhe kujdesit të duhur, ligjor dhe institucional. Është evidente se pandemia ka nxjerrë në pah disa probleme që lidhen me pozitën e Infermierëve dhe ka ngritur nevojën e fuqizimit dhe përmirësimit të pozicionit të tyre. Nga kjo arsye OIK ka përgatitur dhe sponsorizuar draft-ligjin për profile të infermierit. Jemi dëshmitarë se në mungesë të rregullimit ligjor, përmirësimit të kushteve të punës, përmirësimit të të ardhurave të infermierëve, ata çdo ditë orientohen në kërkim të vendeve të punës jashtë Kosovës, kështu që në një të ardhme të afërt nëse vazhdon kjo dinamikë do të kemi mungesë të infermierëve dhe profileve të ngjashme. Prandaj, është koha e fundit që me një seriozitet dhe vendosmëri në kohë sa më të shpejtë të zgjidhen problemet aktuale të bartura për një kohë të gjatë ”, u shpreh ai.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku u shpreh se ministria e Shëndetësisë po punon në krijimin e kushteve më të mira të punës për infermierët me qëllim që pengohet edhe ikja e këtij komuniteti nga Kosova.

Ajo tha se vaksinimi i suksesshëm kundër COVID-19 është dëshmia më e mirë e punës së infermierëve.

“Përtej sfidës të madhe për COVID-19 e sotmja kërkon nga të gjithë ne që infermierisë në Kosovës t’i japim vëmendje dhe kujdesin e merituar përmes investimit në edukimin cilësor të infermierëve, krijimin e mundësive të mira për punë avancimin e praktikave më të mira profesionale dhe investimi në lidership të infermierisë… Si MSH dhe Qeveri e Kosovës jemi të përkushtuar që të bëjmë çka do që është e mundur që infermierisë t’ia krijojmë një mjedis me kushte optimale për punës, përmirësimin e pozitës dhe krijimin e mundësive për zhvillim dhe avancim profesional me qëllim që infermierët të jenë profesionalisht në nivel me kolegët në vendet me shëndetësi të zhvilluar dhe gjithashtu që ikja jashtë vendit të mos jetë rruga që ata detyrohen të zgjedhin”, tha ajo.

Ndërsa, zëvendëskryetarja e OIK-së, Lirie Beqiri u shpreh se si komunitet i infermierëve dolën faqebardhë në ballafaqimin me COVID-19.

“Gjatë asaj kohe dhe tani që është Dita e Infermierëve, gjithmonë është ditur që ne kemi mundësi t’i shpalosim pakënaqësitë apo mangësitë që ka ky profesion”, tha ajo.

Ndryshe, tryeza e sotme është organizuar nga OIK me moton “Infermierët një zë për të udhëhequr – Investoni në infermierinë dhe respektoni të drejtat për sigurimin e shëndetit global” dhe ajo nisi me një minutë heshtjeje në nderim të infermierëve që kanë vdekur si pasojë e COVID-19./kp/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera