Lajme

Kërkim falje publike për lajmin e arrestimeve të zyrtarëve të komunës së Podujevës

Autori: Gazeta inFokus 15:06 | 21 March 2023

Gazeta Infokus gjatë ditës ka publikuar lajmin me titull “Aksion i madh i policisë në Podujevë, arrestohen disa inspektorë të dyshuar për rrënimin e vilave në Orllan”  duke u bazuar në informata të një zyrtari policor.

Gazeta Infokus ka besuar në këto informata duke u bazuar edhe në fotografitë e dërguara në redaksi ku shihen veturat e bartjes së personave të arrestuar dhe një autoambulancë.

Lajmi del të jetë jo i saktë pas verifikimit që kemi bërë në polici dhe prokurori.

-Advertisement-

Sipas tyre arrestimet nuk kanë të bëjnë me komunën e Podujevës. Gazeta Infokus u kërkon falje lexuesve dhe zyrtarëve të komunës së Podujevës për këto informata jo të sakta që kemi publikuar duke rënë në lajthitje të një zyrtari policor.

Ky është rasti i vetëm që Gazeta Infokus publikon informata të pakonfirmuara, prandaj duke u bazuar në raportimin profesional të deritashëm ndjejmë për obligim që ta demantojmë këtë lajm.

Kërkojmë mirëkuptimin e lexuesve dhe të zyrtarëve të komunës së Podujevës ngase gabime të tilla në media mund të ndodhin për shkak të dinamikës së madhe të punës dhe për faktin se jo lehtë mund të konfirmohen raste të tilla të arrestimeve në dinamikën e punës së mediave.

Lidhur me këtë raportim ka reaguar edhe Komuna e Podujevës duke demantuar lajmin se nuk është arrestuar asnjë zyrtar i kësaj komune.

Reagimi i plotë i komunës:

Lajmi i pavërtetë i Gazetës Infokus:

Policia e Kosovës, konkretisht krimet ekonomike kanë nisur sot një aksion në komunën e Podujevës ku janë arrestuar disa inspektorë të kësaj komune.

Gazeta Infokus ka siguruar pamje nga stacioni i policisë në Prishtinë ku tashmë janë dërguar edhe inspektorët e arrestuar dhe në stacion gjendet edhe prokurori. Derisa tek stacioni gjendet edhe një autoambulancë.

Aksioni i policisë lidhet me rrënimin e vilave pa leje në Orllan, një aksion ky që ndodhi vitin e kaluar me 25 nëntor. Ky aksion ishte zhvilluar nga drejtoria e inspekscionit me asistencë të policisë së Kosovës.

Ndërsa pas një pauzë tre muajshe ky aksion i rrënimit të vilave në këtë pjesë të Podujevës nisi sërish me 24 shkurt të vitit 2023.

Në muajin nëntor kur kishte nisur rrënimi, zyrtarët komunalë kishin thënë se ky aksion përfshin tetë objekte pa leje të ndërtuara në zonën e dytë mbrojtëse në fshatin Orllan dhe se rrënimi bëhet pasi lëndët për këto objekte kanë kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat.

Në atë kohë ishte theksuar se në zonën e Orllanit janë gjithsej 59 vila apo objekte pa leje të cilat janë në faza të ndryshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera