Opinione

Kërkesë publike Kryetarit të Bashkisë së Korçës për ndalimin e pjesëmarrjes së Bregoviqit në Festën e Birrës në Korçë

Autori: Gazeta inFokus 12:59 | 05 August 2021

I nderuar Zotëri Filo, Kryetar i Bashkisë së Korçës,

Pranoni ju lutem dëshpërimin tim të thellë në lidhje me pjesëmarrjen në ardhje të këngëtarit nacionalist serb, Goran Bregoviq, në Festën e Birrës më 18-22 gusht 2021 në Korçë. Më lejoni t’ju informoj me shumë kënaqësi se sa herë që vij në Shqipëri pi vetëm birrë Korçe, si birra më e vjetër në Shqipëri dhe ndër më të vjetrat në rajon.

Përderisa Polonia dhe Ukraina i ndalojnë koncertet e Bregoviqit, për shkak se ky nacionalist serb kishte kënduar në Krime nga ku kishte lartësuar lindjen si shpëtimtare e jo perëndimin, jo lejoni në zemër të shqiptarisë nacionalistin serb. Më të kobshme se kjo nuk do të ketë gjë për Korçën. Kështu ju do të inkurajoni lindjen t’ju vizitojë në Korçë dhe do të dekurajoni perëndimin që bëri Shqipërinë.

-Advertisement-

Kësaj radhe nuk dua të flas për cilësinë e Birrës së Korçës, sepse vetë shija e saj ma vërteton atë. Por, do t’ju pyes për diç tërësisht tjetër, më konkretisht për burimin e zellit për të ndëgjuar muzikë serbe në tokë shqiptare, të cilin zell ne në Kosovë (dhe shumë në Shqipëri) nuk mund ta kuptojmë, ndaj dhe reagojmë më shumë sesa ndjeshëm, sigurisht me të drejtë.

Zotëri Filo, si shqiptar Kosove jam i prekur thellë për të tilla ftesash tejet problematike. Kjo për faktin se, siç e dini, serbët dhe grekët kishin dhe kanë një qëllim të errët: shfarosjen dhe zhdukjen e popullit shqiptar. Dhe për këtë kanë dhënë shembuj e shembuj gjatë historisë sonë të dhimbshme 100 vjeçare, por sigurisht të lavdishme. E keni provuar edhe ju në Korçë kohë më parë.

Serbia e Greqia nuk e kanë ndryshuar kursin antishqiptar as sot. Ju e dini zotëri Filo se që pak para rënies së Perandorisë Osmane e deri në Luftën e Dytë Botërore, Serbia e Greqia, të mbështetura fuqishëm nga Rusia dhe shtete të fuqishme evropiane (për fat të keq) po projektonin thjeshtë zhdukjen përfundimtare të shqiptarëve dhe përvetësimin e të gjitha tokave shqiptare. Aq ‘pak’ kërkonin fqinjët tanë, të ardhur nga Egjipiti i lashtë (grekët) dhe nga karpatet (serbët).

Nëse ende ju kujtohet i nderuar Kryetar Bashkie, plani më i fundit i errët grek ishte gjenocidi ndaj Çamëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore si dhe gjenocidi më i fundit serb në Kosovë 1997-1999. Sigurisht që edhe para dhe pas këtyre gjenocidërave, Serbia e Greqia ushtronin terror konstant të paparë ndaj shqiptarëve për qëllimin e tyre final, pra zhdukjen tonë si komb. Sigurisht që mos heqja e ligjit të luftës nga Greqia ndaj Shqipërisë edhe në kapërcyell të shekullit 21 si dhe ofansiva serbe kundër shtetit të Kosovës përbëjnë emëruesin e përbashkët të projeksioneve të errëta të fqinjëve tanë, të cilët sigurisht që s’i zgjodhëm, por na erdhën te “portat” dhe po mundohen – siç vazhdimisht janë munduar – të na përvetësojnë historinë.

Për terrorin grek e serb deri në Luftën e Dytë Botërore përpos librave të historisë kam dëgjuar dhe rrëfime live të gjyshit tim të lindur në vitin 1908, pra kishte lindur saktësisht kur Perandoria Osmane po lëshonte grahmat e fundit dhe kur po ngritnin kokën projeksionet e errëta serbo-greke ndaj tokave shqiptare. Ndërsa, terrorin serb e kam përjetuar vetë, e kanë përjetuar të gjithë shqiptarët që padrejtësisht ishin lënë nën ish-Jugosllavinë pushtuese. Me një fjalë nuk ka gjeneratë shqiptare andej dhe këndej kufirit të mos e ketë përjetuar terrorin serb ose grek që pak para rënies së Perandorisë Osmane e deri me sot.

Edhe sot shqiptarët e Preshevës e Çamërisë përballen me terror sistematik serb e grek, ndërkohë që shqiptarët në Turqi – të dëbuar dhunshëm nga serbo-grekët në ujdi me turqit – tanimë janë asimiluar, Sanxhaku i Novi Pazarit tashmë është asimiluar, Toplica shqiptare deri në Nish tashmë i takon së kaluarës, pa i përmendur miliona shqiptarë anekënd botës tashmë pothuaj të asimiluar pikërisht për shkak të terrorit sistematik mbi 100 vjeçar serbo-grek.

Nëse ka ndonjë tokë në Ballkan që vazhdimisht është larë e shpërlarë me gjak, trojet shqiptare janë pikërisht ato. Janë miliona shqiptarë të vrarë e masakruar, të cilëve as sot s’iu dihen varret. E të gjitha këto tmerre u bënë nga serbo-grekët dhe osmanët më parë.

Nëse ju kujtohet i nderuar Kryetar Bashkie, të gjitha këto tmerre ndaj shqiptarëve u ndalën vetëm kur në skenë doli SHBA si superfuqi e pakontestueshme globale dhe kur demokracia, e drejta e popujve për vetëvendosje, për liri e drejta të njeriut dhe ekonomi tregu të lirë – të promovuara fuqishëm pikërisht nga SHBA – dominuan globin. Pa SHBA-në si Superfuqi, sot, ju në Korçë dhe unë në Prishtinë, padyshim që do të flisnim serbisht apo greqisht dhe këtu s’ka asnjë mëdyshje, ndaj dhe nuk do të na jepej fare rasti për këtë debat. Ose do të ishim të dëbuar në këndet më të largëta të botës siç kishte ndodhur me miliona shqiptarë tjerë që emigruan me sy të mbetur kah trojet shqiptare për të mos u kthyer kurrë. Thjeshtë, pa SHBA-në sot veç shqiptarë s’do të ishim.

A nuk na ka mësuar historia jonë e dhimbshme që ju shqiptarët e asaj ane jugore të ishit pararojë mbrojtëse e pjesës veriore dhe ne shqiptarët e kësaj ane veriore të ishim pararojë mbrojtëse e pjesës jugore? Shembuj të shumtë të mirë bashkë-pararojeje kemi dhënë jug e veri. Ndërsa, ne shqiptarët e lënë dhunshëm nën ish-Jugosllavi ishim të fundit që i ofruam pararojë me gjak e sakrificë sublime pjesës shqiptare të jugut. Kështu përplotësoheshim për t’i shpëtuar shfarosjes e zhdukjes së projektuar nga serbët dhe grekët. Jo rastësisht thuhet “pa Kosovë s’ka Shqipëri dhe pa Shqipëri s’ka Kosovë”.

Ne në Kosovë mundohemi ta kuptojmë që ju në Korçë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk keni përjetuar terrorin e pushtimit serb apo grek ndaj dhe keni hapur dyert për vizitorë nga e tërë Evropa,  përfshirë ata serbë e grekë, sepse fundja ky është interes ekonomik tërëshqiptar. Kështu kishin vepruar edhe Franca me Gjermaninë si armiqë të përbetuar historikë që ishin, ose Japonia me Kinën apo Korenë Jugore e sa e sa rajone tjera.

Por, nuk mund ta kuptojmë kurrë zellin për muzikë serbe në tokë shqiptare, kur plagët e luftës në Kosovë ende janë të freskëta. Nuk mund ta kuptojmë këtë qasje, sepse edhe sot kemi mbi 2000 shqiptarë të Kosovës të zhdukur nga fallanga pushtuese serbe gjatë luftës 1997-1999.  Nuk mund ta kuptojmë asesi muzikën serbe nëpër qytete shqiptare, kur sot në Kosovë ka me dhjetëra të mbijetuar shqiptarë të masakrave serbe që jetojnë të tmerruar e dërmuar.

Nuk mund ta përshkruajmë me fjalë terrorin serb i nderuar Kryetar Korçe, prandaj na i kuptoni ngarkesat e rënda që kemi. Ndoshta pas 100 viteve do të ketë rrethana krejtësisht tjera, por për gjeneratën time, muzika serbe në toka shqiptare është thikë pas shpine ndaj kombit shqiptar. Kaq!

Thuhet që arti nuk bën të përzihet në politikë. Jo i nderuar Kryetar! Vetëm biznesi e paraja nuk njohin fe as kufi. Sepse ka qenë pikërisht arti serb e grek që projektonte tmerr për shqiptarët. Krijimtaritë artistike të të gjitha llojeve si në Serbi ashtu edhe në Greqi kanë qenë në funksion të plotë të planeve shfarosëse kundër shqiptarëve. E letërsia dhe muzika e tyre ka qenë prijëse dhe frymëzuese e planeve shfarosëse serbo-greke dhe të tilla vazhdojnë të jenë edhe sot.

Edhe ne shqiptarët artin dhe krijimtarinë letrare në përgjithësi i kemi pasur udhërrëfim për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Asnjëherë s’kemi mundur ta ndajmë artin tonë nga politika dhe shumë mirë që kemi vepruar ashtu. A nuk ishin veprat e rilindasve udhërrëfim për kombin shqiptar? A nuk na përbashkonin ato? A nuk ishte kënga e Arif Vladit marsh për UÇK-në?

Jo rastësisht forcat komando të ushtrisë greke janë zënë të këndonin këngë se si duhej prerë e masakruar shqiptarët, pa i zgjedhur ata në të jenë nga Korça apo Prishtina. E Goran Bregoviqi është serbi ndoshta më i fundit që me këngët e tij ishte vënë në funksion plotë të planeve terroriste të Millosheviqit. E pikërisht ato plane të Millosheviqit Kosovës i kushtuan gati me shfarosje. Prandaj, thuani jo Bregoviqit! Kaq!

Sigurisht që njerëzit duan ta ndajnë politikën nga arti, por pushtetet kriminale si ato greke e serbe as sot nuk e ndajnë. Prandaj, nuk qëndron fare argumenti se arti në këtë rast duhet ndarë nga politika, sepse janë qindra publikime letrare, filma e këngë serbo-greke që kërkojnë zhdukjen e popullit shqiptar. E ka provuar fort mirë kombëtarja e Shqipërisë e përbërë dhe nga shqiptarë Kosove kur luajti futboll kundër Serbisë në Beograd. Besoj e keni kuptuar mjaftueshëm kur luajtët në Beograd se ç’do të thotë të jesh shqiptar në tokë serbe.

Pse ore zotëri Kryetar Bashkie nuk ftoni Dua Lipën, Rita Orën, Bebe Rexhën t’jua kënaqin zemrat me performancat e tyre të përmasave globale, pse nuk ftoni grupet e Kosovës të muzikës rok, të cilat aq shumë pëlqehen atje?! Pse ore zotëri Kryetar Bashkie nuk ftoni këngëtarë nga vende të BE-së ose nga SHBA?! Pse pikërisht serbët? A aq i kërkuar na qenka një këngëtar nacionalist serb, si Bregoviq, i cili në gjene e ka urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve pavarësisht a jemi nga Korça apo Prishtina?!

Pse kjo ndjenjë inferioriteti karshi atyre që erdhën nga karpatet e u zgjeruan në toka shqiptare? Ne kurrë nuk pushtuam, kurse serbët vendosjen në Ballkan e bënë veç me pushtime e terror. A nuk kemi ne të arritura si popull? Pse Serbia nuk fton këngëtarë shqiptarë nëpër qytetet e saj, a i keni shtruar vetes ndonjëherë këtë pyetje? Ne kemi këngëtare shumë më të famshme sesa serbët dhe ju këtë e dini fort mirë. Prandaj, pse pikërisht këngëtarë serbë?

Pse të këndojë zëri serb mu pranë shkollës së parë shqipe në Korçë, pranë shkollës së Voskopojës së shekullit 18-të, pranë një qyteti që ka lënë gjurmë në historinë shqiptare?

A e dini o Zotëri Kryetar Bashkie që serbët e grekët luten ditë e natë që SHBA të bie si Superfuqi në mënyrë që t’i realizojnë planet e tyre shfarosëse ndaj shqiptarëve? Nuk janë të rastësishme edhe sot orientimet e Serbisë kah Rusia e Kina e jo kah SHBA e BE siç jemi për fat të mirë dhe më të drejtë ne shqiptarët. Nuk janë të rastësishme qëllimet hapur armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës dhe tërë popullit shqiptar. Të jeni i sigurtë zotëri Kryetar Bashkie, se nëse Serbia do të ia dilte ta shfaroste e zhdukte Kosovën në 1999, brenda pak ditësh do të ju vinte radha edhe juve në Korçë, kuptohet nëse këtë nuk do ta bënte paralelisht apo paraprakisht Greqia.

Si ka mundësi të ftoni këngëtarë serbë, kur shqiptarët jashtë Shqipërisë derdhin miliona e miliarda EUR në bregdetin shqiptar? Edhe ne nga Kosova mund të shkojmë për pushime gjëkundi, por jo, kemi zgjedhur shumicën e herave Shqipërinë, sepse duam që Shqipëria të lulëzojë në të gjitha drejtimet, sepse sa më e fortë Shqipëria aq më të fortë jemi ne përreth jush.

Zotëri Kryetar, ju që keni luksin të jetoni brenda shtetit shqiptar, a e dini që mjaftueshëm jeni të përçarë duke garuar për fat të keq ta quani shoqi shoqin pro-grek apo pro-serb, ashtu siç jemi të përçarë edhe ne në Kosovë duke munduar ta paraqesim njëri tjetrin sa më pro-serb, prandaj muzika serbe në territorin shqiptar vetëm sa i kontribuon përçarjes brendashqiptare. Kurrë më të polarizuar e përçarë s’kemi qenë në të dyja anët e kufirit, gjersa historikisht kurrë më mirë s’kemi jetuar.

Si duket, ashtu siç i ishin frikësuar në të kaluarën elanit kombëtar shqiptar osmanët, serbët dhe grekët, njëjtë i frikësohen edhe sot. E për ta ndalur këtë elan përbashkues shqiptar si Serbia e Greqia ashtu edhe Turqia investojnë pa fund në përtharjen e përpjekjeve tona përbashkuese dhe ç’është e vërteta nuk është se nuk ia kanë arritur qëllimit në masë të caktuar. Për pasojë shumë shqiptarë sot, andej dhe këndej kufirit, shpëtimin dhe perspektivën e kombit shqiptar e shohin në lindje e jo në perëndim ku për shqiptarët “lind dielli”.

Prandaj, nëse doni të jeni kombëtarisht në nivel dhe pse jo hero ndaloni pjesëmarrjen e këngëtarit nacionalist serb dhe çfarëdo këngëtari tjetër serb. Le ta ftojë njëherë Serbia në Beograd ndonjë këngëtar shqiptar, t’i shohim reagimet e serbëve, e pastaj mund të flasim për kozmopolitizëm ballkanik. Provoni të dërgoni në Beograd ndonjë këngëtar/e shqiptar/e dhe shikoni reagimet serbe. Të jeni të sigurtë, se më parë do të bashkohej Toka me Hënën, sesa ta lejonte Serbia ndonjë këngëtar/e shqiptar/e të këndonte midis Beogradit. Prandaj, mos e merrni bajrakun e bashkëpunimit me një nacionalist serb, sepse me një gjest të tillë ju dhe Bregoviqi do të shkelnit mbi miliona varre të shqiptarëve që nga Nishi deri në Korçë dhe jo vetëm.

Se ç’ngarkesa kemi ne shqiptarët e Kosovës karshi terrorit serb, mundohuni, i nderuar Kryetar Korçe, t’i kuptoni xhudistet e arta të Kosovës teksa qajnë gjatë intonimit të himnit të Kosovës, të një historie të vonuar, mundohuni ta kuptoni Shaqirin e Xhakën kur bënin shqiponjën kundër Serbisë midis Rusisë gjatë botërorit të futbollit në 2018, mundohuni ta kuptoni Edon Canën me shokë kur s’i ndalte lotët nga gëzimi për kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në kampionatin evropian të futbollit në vitin 2016, mundohuni të kuptoni Rita Orën, Dua Lipën e Bebe Rexhën sa herë bëjnë shqiponjën, mundohuni të kuptoni gëzimin biblik të shqiptarëve kur forcat e NATO-s qenë futur në Kosovë, mundohuni të kuptoni sa shumë shqiptarë kanë vdekur me flamur shqiptar në dorë, etj. Nëse veç pak provoni t’i kuptoni ngarkesat tona e besoj edhe tuajat, me shumë gjasë do të hiqni dorë nga kozmopolitizmi i parakohshëm mes shqiptarëve dhe serbëve.

Popujt së pari duhet të pajtohen e pastaj të kozmopolitizohen. Serbia e Greqia nuk e kanë dhënë asnjë shenjë pendese për terrorin ndaj shqiptarëve ashtu siç nuk janë penduar asnjëherë turqit për pushtimin mbi 500 vjeçar të shqiptarëve. Përkundrazi, si serbët e grekët ashtu edhe turqit vazhdojnë t’i quajnë pushtimet e tyre të tokave shqiptare si administrime dhe kulme të zhvillimeve të tyre. Kaq ‘shumë’ janë penduar këta pushtues mbi 600 vite të popullit shqiptar.

Prandaj, i nderuar Kryetar Filo, bëni hapin e duhur, anuloni sa më shpejtë pjesëmarrjen e këngëtarit nacionalist serb! Nëse anuloni Bregoviqin, do të fitoni pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në përgjigje të një vendimi në favor të kërkesës sime dhe besoj shumë shqiptarëve ju dëshiroj një ditë sa më të mirë!

Respekt,

Agron HOTI

Më 5 korrik 2021, Prishtinë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera