Lajme

Kërkesa e Veselit për komision hetimor për veteranët goditje ndaj Haradinajt

Autori: Gazeta inFokus 10:48 | 12 July 2019

Dorëzimi i kërkesës për formimin e një Komisioni që do të hetojë listat e veteranëve nga ana e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli po shihet si e panevojshme, ndërhyrje në drejtësi dhe goditje ndaj parterit të koalicionit, kryeministrit Ramush Haradinaj.

Të paktën kështu deklarojnë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe njohës të sistemit të drejtësisë.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi thotë  për KosovaPress se pretendimi për një komision të tillë vetëm sa e zvarrit zgjidhjen e problemit të veteranëve.  Sipas tij, kryeparlamentari Veseli po mundohet vetëm të shpëtojë  veten duke ikur nga përgjegjësia dhe përmes kësaj të godas partnerit e koalicionit, kryeministrin Haradinaj.

“Hapja e këtyre komisioneve është për të prolonguar zgjidhjen e këtij problemi. Sepse ky problem nuk ka filluar këtu, e as nuk zgjidhet këtu. Pra në një komision parlamentar…ata dinë të godasin njëri tjetrin, por është një tendencë  për të shpëtuar vetveten nga një batak në të cilën është gjithë koalicioni duke përfshirë dhe vet kryetarin e Kuvendit. Që i bie shmangie nga përgjegjësit dhe largimin e përgjegjësive të tjerëve. Jo në një adresë të veçante, por tek të gjithë të tjerët. Sepse tendenca e tij është për të shkëputur vetën nga gjithë të tjerët”, thotë deputeti Selimi.

Ndërkaq, nga partia e kryeministrit Haradinaj nuk shprehen kundër këtij komisioni hetimor, por thonë se rasti është në gjykatë dhe se ajo i ka duart e lira që të veprojë dhe të konfirmojë secilin se a janë veteranë të rrejshëm, apo jo.

Deputetja Time Kadriaj e cila u gjend në listat e veteranëve të rrejshëm që u publikuan pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj ka thënë për KosovaPress se duhet që të hulumtohet për secilin rast veç e veç nëse ka qenë në luftë apo jo.

“ Rasti i veteranëve është në gjykatë, ne e presim ata. Gjykata i ka duart e lira të verpojë, që të konfirmojë për të shikuar nëse ka gabime në procesin e shpalljes së veteranëve  të rrejshëm, apo veteran. Ata i kanë duart e lira si institucione që ta hulumtojnë rastin dhe të verifikojë individ për individ. Rasti është në gjykatë ne përkrahim çdo vendim të gjykatës, çdo konfirmim. Le të konfirmojnë  për gjithsecilin veç e veç a ka qenë, ne e përkrahim”, thotë Kadriaj.

Inicimi i formimit të këtij komisioni, për Institutin e Kosovës për Drejtësi është e panevojshme dhe paraqet si ndërhyrje në drejtësi.

Betim Musliu këtë iniciativë e sheh më shumë si një luftë politike mes partnerëve të koalicionit.

“Përderisa ka një procedim gjyqësor për një rast, konsiderojmë se çfarëdo tendence për të përzier punën me lidhje me këtë paraqet ndërhyrje në punën e gjyqësorit. Në këtë rast, është plotësisht e panevojshme që të zhvillohen procese paralele hetimore dhe gjykuese në një formë për një proces që po e dimë të gjithë se është një proces i kompromentuar deri në dhëmbë. Lufta si duket edhe përbrenda anëtarëve të koalicionit aktualisht është një luftë që shfaqet në momente të caktuara dhe një ndër këto betejat e luftës mes tyre mund të jetë dhe kjo. Haptas shihet se qëndrimi i Haradinajt është në mbrojte të atij numri të madh të veteranëve që janë përfitues. Ndërsa, në anën tjetër e kemi pasur edhe liderin aktual, Kadri Veseli po edhe ish liderin e kësaj partie, tani president Hashim Thaçi që i kanë dal kundër Haradinajt kudër këtij numri të madh”, thotë Musliu.

Ndryshe, dy ditë më parë,  kryeparlamentari Kadri Veseli ka dorëzuar kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetojë listat e fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kërkesën e Veselit e kanë nënshkruar edhe 9 deputetë nga PDK-ja.

Të tjera