Lajme

Kërcënoi prokuroren e rastit “Pronto”, ky është vendimi i gjykatës

Autori: Gazeta inFokus 17:16 | 13 January 2020

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, e cila ishte prokurore e rastit të njohur si “Pronto” pak pasi ishte shpallur aktgjykimi ndaj këtij rasti ku ishin të liruar si të pafajshëm të gjithë mori disa kërcënime.

“Ty të kisha vjerr në shesh dënim”, “Oj kuder se ski ti faj jo, po ne si popull se uduft me ardhe met ngre mas vetures teri sa te del bre idijote me gjithe keta tjeret”. “Jo linqime po duhet me te vjerr mori kriminele”, janë kërcënimet që i ka marr Hajdari.

Pas kësaj menjëherë u aktivizuan organet e rendit, duke arrestuar njërin nga personat që e kërcënoi atë, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

E tash për njërin, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit.

Kjo e fundit e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për paraburgim, e për të dyshuarin me iniciale A.A është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar prokurores së kërcënuar, shkruan gazeta inFokus.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit A.A dhe të njëjtit i ka caktuar masën ndalim për t’iu afruar personit të caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, andaj obligohet i pandehuri A.A që të mos i afrohet të dëmtuarës – prokurores së PSRK-së D.H në distancën prej së paku 100 metra. Gjykata ka konstatuar se masa ndalim për t’iu afruar personit të caktuar kundër të pandehurit A.A është masë e mjaftueshme dhe adekuate për zhvillimin e pa penguar të rrjedhës së procedurës penale në këtë fazë të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

E për këtë vendim pala ka të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera