Lajme

Kërcënimi i Haxhiut ndaj Tahirit për ngritje të kallëzimit penal, reagon Asociacioni i Komunave

Autori: Gazeta inFokus 10:35 | 31 May 2021

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për kërcënimin me ngritje të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nëse nuk ndalen punimet e rifilluara në pronën e “Hotel Vicianum”.

Në reagimin e KK-së thuhet se sulmet e ministres ndaj kryetarit janë të papranueshme dhe përmes tyre ajo tenton të ushtrojë ndikimin e saj.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë Kryetarëve të Komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z.Xhafer Tahiri. Sigurojmë znj. Haxhiu që secili Kryetar i Komunës, e edhe z. Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror”, thuhet në reagim.

AKK i ka bërë thirrje ministres Haxhiu të tërheq kërcënimet ndaj kryetarit Tahiri.

Sipas AKK-së, prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit kryetar komune në Kosovë.

“Sulmet në media ndaj Kryetarëve të zgjedhur të Komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtarë janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit. Prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit Kryetar Komune në Kosovë, pasi këto prona janë jetike për zhvillim të projekteve kapitale në Komunë për interes të përgjithshëm. Ftojmë Ministren Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z. Tahiri”, thuhet në reagim.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kërcënuar me ngritje të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, në rast se nuk ndalen punimet e ri-filluara nga kompania, së cilës i është ndërprerë kontrata, në pronën e “Hotel Vicianum”.

Haxhiu këto deklarime i ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë ‘Facebook’, teksa ia ka bashkëngjitur një dokument, në të cilin njoftohet për ndërprerje të kontratës për kompaninë në fjalë.

“Kur një kryetar Komune, vendimin për mbrojtjen e pronës publike e quan “problem të krijuar”..çka me thënë tjetër! z. Xhafer Tahiri, zbatojeni vendimin që e keni pranuar nga Ministria e Drejtësisë ose do të detyrohemi të bëjmë kallëzime penale!”, ka shkruar ajo.

Pas deklaratave të Haxhiut ka reaguar me një status tjetër në Facebook kreu i Vushtrrisë, i cili ka shkruar se ministrja e dikasterit të Drejtësisë as në mandatin e parë, e as të dytin nuk ia ka dhënë pronësinë komunës, duke thënë se nuk është në kompetencë e tij.

“Komuna e Vushtrrisë nuk ka kërkesë zyrtare me shkrim nga MD për ndalje të punës tek ish Vicianum. Problemet e Albulena Haxhiut nuk mund ti zgjidh unë. Qasja juaj Ministre është tendencioze e qëllim keqe. Më keni bërë një miss call sot kur nuk e kam pasur telefonin afër dhe pa pritur të bisedojmë keni dal menjëherë në Facebook duke më sulmuar”

“Unë nuk i nënshtrohem presionit tuaj përmes telefonit sepse nuk i takon Komunës të marr anë në një proces gjyqësor mes jush e operatorit privat ekonomik. Ju jeni palë ju zgjidhni problemet tuaja mes jush. Uroj të mos e thirrni në telefon edhe gjyqtarin e të ushtroni ndikim siç keni tentuar të bëni sot me mua. Ju keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë edhe në mandatin e parë tuajin edhe në këtë të dytin, ky është fakt”, ka shkruar Tahiri në reagimin e tij të parë.

Të tjera