Lajme

 Keqpërdorimet në zgjedhje, prijnë rastet për fotografim dhe keqpërdorim të votës

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 30 November 2019

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor u vlerësuan nga Bashkimi Evropian si zgjedhjet më demokratike në vend, me përjashtim të disa manipulimeve dhe keqpërdorimeve të votave.

Manipulimet dolën në “shesh” në kohën e numërimit të votave. Shumë vendvotime shkuan në rinumërim shkak i parregullsive dhe manipulimeve me formularët.

Të arrestuarit kryesisht po akuzohen për fotografim të votës dhe keqpërdorim të drejtës së votimit, por ka edhe raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

-Advertisement-

Këtë po e thonë edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Gzim Shala nga kjo Institut tha se vetëm në ditën e zgjedhjeve janë arrestuar 20 persona, 7 prej tyre në komunën e Pejës.

“Sa i përket procesit pasi rezultate kanë filluar të numërohen këtu janë parë një sërë manipulimesh dhe dyshimesh të cilat kanë dalë në publik, sa i përket aspektit të angazhimit të prokurorit të shtetit në ditën e zgjedhjeve në këtë ditë kemi pasur gjithsej 20 persona që janë arrestuar me urdhër të prokurorit të shteti ku numri më i madh i tyre kanë qenë në komunën e Pejës përkatësisht kemi pasur 7 persona të arrestuar. Karakteristikë është që dy personave në komunën e Mitrovicës të cilët janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare  dhe të gjithë të arrestuarit e tjerë janë kryesisht për fotografim të votës dhe për keqpërdorim të drejtës së votimit duke pasë parasysh edhe disa raste të cilat janë për pengim të procesit të votimit”.

IKD-ja gjatë monitorimit në Gjykatën Themelore të Gjakovës tregoi se janë trajtuar 4 raste që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Sipas Shalës dy prej tyre janë në proces të rregullt.

“Nga monitorimi ne kemi parë që në gjykatën themelore në Gjakovë janë trajtuar 4 raste që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit dhe ato raste janë trajtuar sipas raporteve ligjore. Dy prej këtyre rasteve janë në proces të rregullt gjyqësor sipas afateve ligjore deri sa dy prej këtyre rasteve kanë përfunduar në një periudhë sipas afateve ligjore, kemi dy aktgjykime ligjore që palët kanë pranuar fajësinë”.

Shala shtoi se është e domosdoshme që të bëhet reformë zgjedhore derisa tha se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i fokusuar në trajtimin e rasteve.

“Është e domosdoshme që fillimisht të ndodhë edhe reforma zgjedhore nga partitë politike dhe të shfaqin vullnet për të proceduar më tutje me reformën zgjedhore në mënyrë që të eliminohen të gjitha problemet të cilat kanë ndodhur në të kaluarën. E dyta është që Prokurori i Shtetit dhe sistemi drejtësisë të jenë më të fokusuar në kohën para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve në mënyrë që luftimi i këtyre dukurive të jetë sa më gjithëpërfshirës”.

 

“Por një fakt tjetër është edhe trajtimi i rasteve nga sistemi i drejtësisë, trajnimi me vonesë i këtyre rasteve e humb edhe vet kuptimin e ndjekjes dhe gjykimit të veprave penale derisa edhe politika ndëshkimore në këto raste ka qenë kryesisht dënimi me kusht dhe politika ndëshkimore duhet të jetë në përputhje të plotë me udhëzuesin e gjykatës supreme për politikë ndëshkimore në mënyrë që parandalohen edhe personat e tjerë në kryerjen e kësaj dukurie dhe në momentin kur i bashkojmë këtë tri aspekte atëherë do të kemi një pasqyrë të përgjithshme që në mënyrë meritore të parandalohen të gjitha dukuritë”, shtoi ai, raporton EO.

 

Ndërsa avokati Tomë Gashi për Ekonomia Online tha se rastet e shkeljeve të rregullave zgjedhore procedohen si raste të rregullta dhe rrallë herë dikush arrestohet apo paraburgoset për çështje të tilla dhe pse ka ndalime për një periudhë kohore.

 

“Edhe në shtetet më demokratike në botë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme ka raste të shkeljeve ligjore në procedurat e zgjedhjeve. Besoj që edhe në Kosovë kjo ka ndodhur, por jo në masë të madhe dhe sigurisht që është çështje e policisë, por edhe Prokurorisë së Kosovës që t’i identifikoj personat e tillë të cilët kanë bërë shkelje gjatë fazës zgjedhore në Kosovë dhe me siguri do të ngritën edhe aktakuza kundër tyre, por besoj që ende nuk është një njoftim se mund të kemi të akuzuar dhe deri më tani nuk kemi ditur numrin e atyre që janë të dyshuar. Besoj që këto shkojnë si procedura të rregullta dhe rrallë herë dikush arrestohet apo paraburgoset për çështje të tilla dhe pse ka ndalime për një periudhë kohore”.

 

Gashi beson se shumë shpejt do të bëhen publike rastet dhe personat që kanë shkelë rregullat zgjedhore.  Megjithatë thotë se numri nuk mund të jetë i madh krahasuar me vitet e kaluara.

 

“Kjo është çështje e ditëve dhe e javëve që këta numra të bëhen publike se sa ka qenë numri i atyre që i kanë shkel rregullat zgjedhore në Kosovë. Nuk është një numër i frikshëm apo i madh se më herët kemi pasur një numër jashtëzakonisht të madh apo kemi pasur shkelje të mëdha që janë identifikuar dhe për këtë arsye Prokuroria e Shtetit ka caktuar një koordinator i cili është marrë me çështje të tilla dhe kohën e fundit apo zgjedhjet e fundit kemi pasur prokurorë jashtëzakonisht të aftë që së bashku me policinë e Kosovës janë identifikuar gjithmonë ata që kanë shkel rregulla”, tha Gashi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera