Lajme

“Kena me pru prova me kolicë”

Autori: Gazeta inFokus 22:13 | 25 January 2018

Anëtarët e suspenduar të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihi, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë deklaruar të pafajshëm, në shqyrtimin fillestar të së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ngarkon të akuzuarit se duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme rreth një tenderi për ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), së cilës i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ibrahim Berisha, të akuzuarit Sylejmani e Salihi, kanë thënë se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat që u vihen në barrë.

-Advertisement-

“E ndijë vetën fajtor që buxhetit ja kam shpëtuar 900 mijë euro. Nuk e pranoj fajësinë dhe asnjëherë nuk kemi vepru pa kuorum, siç pretendon prokurori, për aktakuzën e prokurorisë ndihëm i pafajshëm”, ka deklaruar Salihi.

Ndërkohë, prokurori Ibrahim Berisha, ka deklaruar se organi i akuzës në këtë rast ka prova të mjaftueshme.

“Kena me pru prova me kolicë”, ka thënë prokurori.

Mbrojtësi i Sylejmanit, avokati Hekuran Haxhimusa, ka deklaruar se aktakuza është e paqëndrueshme duke thënë se prokurori Berisha nuk e ka përcaktuar dëmin që i është shkaktuar FSK-së dhe sipas tij, nuk është përcaktuar se cili është kuorumi në momentin që është marrë vendimi për këtë tender, për të cilin prokuroria pretendon se ka qenë i kundërligjshëm.

Prokurori theksoi se për dëmin që ka pësuar FSK-ja, do të dihet në shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shtoi se për këtë rast ka shumë prova, që e bëjnë të mbështetshme aktakuzën.

Gjykatësja Valbona Selimaj, deklaroi se brenda 30 ditësh duhet të paraqiten kundërshtimet nga ana e mbrojtjes, ndërsa me pajtimin e palëve shqyrtimi i dytë nuk është caktuar fare.

Sipas aktakuzës, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtarë të OSHP-së, nga viti 2015 e deri më 19 maj 2016, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke vepruar në dëm të autoritetit kontraktues “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, që kishte shpallur tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)-Loti 1”.

Për këtë tender kishin aplikuar operatorët ekonomik N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa” dhe “Ciani Trading Servis”, SH.P.K “Beni Dona”, Plus dhe NPT. “Florenti dhe Korabi”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, për tenderin “Furnizim përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forces së Sigurisë së Kosovës (FSK) de MFSK-së-Loti 1”, dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë si të papërgjegjshëm.

Sipas prokurorisë ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion te kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm.

Këtë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, prokuroria pretendon se të akuzuarit, e kanë bërë duke votuar pa kuorum, me vetëm dy anëtarë.

Në bazë të aktakuzës, me këtë vendim, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, dhe në të ka nënshkruar vet Sylejmani, e po ashtu edhe i akuzuari tjetër Ekrem Salihu.

Me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së. /BetimiperDrejtesi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera