Lajme

KEK inicion tender të negociuar në vlerë 137 milionë euro, Ymeri i LDK-së, ngreh dyshime për keqpërdorime

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 13 March 2025

Korporata Energjetike e Kosovës ka iniciuar një proces të prokurimit publik për rehabilitimin e Njësisë A3 të Termocentralit Kosova A, shkruan Gazeta Infokus.

Rehabilitimi i Njësisë A3 është parashikuar të kushtojë 137 milionë euro, bazuar në tenderin e iniciuar nga KEK-u në fillim të këtij viti.

Procedura me të cilën do të përzgjidhet operatori ekonomik është përcaktuar të jetë me negocim.

-Advertisement-

Për mbylljen e kësaj procedure, ka reaguar sot Janina Ymeri, anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj.

Ajo përmes një reagimi në “Facebook”, ka thënë se KEK po synon të përzgjedhë operatorin fitues me negociata dhe pa studim fizibiliteti.

Ymeri, po ashtu ka alarmuar publikun për elemente shqetësore mbi bazën ligjore të procedurës së prokurimit, duke thënë se bënë kufizimin e konkurrencës dhe rrjedhimisht ngreh dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike.

“Mbi 137 Milionë Euro për njësinë A3 të Termocentralit  Kosova A – Tender me procedurë prokurimi me Negociata dhe Pa Studim Fizibiliteti. Vlen të theksohet se kjo njësi luan rol vendimtar për plotësimin e afërisht 10% të kërkesës për energji elektrike të Kosovës.  Artane Rizvanolli si mund të arsyetosh ministre këtë projekt?  Në vend të kuadrove për profesionalizëm, sot nën udheheqjen tënde do na merrni mbi 137 Milionë Euro projekt për të cilin do vendosin një grup I personave pa kritere të duhura dhe me negociata”, ka shkruar Ymeri.

E këtë analizë të Ymerit e ka shpërndarë edhe Hykmete Bajrami, anëtarja e kryesisë së LDK-së duke thënë se kjo analizë e saj është edhe një alarm shtesë për avarinë e tenderëve në KEK, duke shtuar se 137 milionë euro janë para të qytetarëve të këtij vendi.

“KEK-u ka në procedurë tenderimi me negociata për plotë 137 milionë euro. A e dini se cili është justifikimi i KEK-ut për këtë procedurë konkurruese me negociata? “𝐒𝐩𝐞𝐜𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐭𝐞𝐤𝐧𝐢𝐤𝐞 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭ë 𝐩ë𝐫𝐜𝐚𝐤𝐭𝐨𝐡𝐞𝐬𝐡𝐢𝐧 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐩𝐫𝐚𝐤𝐢𝐬𝐡𝐭”, pra 137 milionë euro, por vetë KEK-u nuk e di saktësisht se për çfarë! Në kohën kur kemi aktakuza të konfirmuara për tenderët në KEK dhe kur kemi parë dëshmi se si ministrat vendosin në grupe të Ëhatsapp-it për tederat e KEK-ut, analiza e Janinës është edhe një alarm shtesë për avarinë e tenderëve që po vazhdon.  Mos harroni, 137 milionë euro janë para të qytetarëve të këtij vendi”, ka shkruar Bajrami.

Ndryshe në analizën e Ymerit janë cekur edhe disa pika të tjera që ky projekt 137 milionë euro përfshin elemente që ngrejnë shqetësime seriozë mbi bazën ligjore rreth konkurrencës dhe profesionalizmit teknik.

Më poshtë gjeni analizën e saj të plotë:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera