Fokus

KEDS-i u kërkon durim junikasve

Autori: Sylejman Sylejmani 13:24 | 30 October 2018

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka reaguar pas deklarimeve të kryetarit të Junikut, Agron Kuçi se kjo komunë do ta ndërpresë çdo bashkëpunim me KEDS-in, si shkak i problemeve me energji elektrike.

Buzhala në një prononcim për Gazetën inFokus, i ka kërkuar kryetarit që të ketë durim, për shkak se krejt puna do të përfundojë deri në fund të nëntorit.

Ai thotë se në Junik janë duke e bërë një investim të madh.

-Advertisement-

“Ne në komunën e Junikut jemi duke investuar fuqishëm, duke e ndërtuar linjën e veçantë. Juniku për herë të parë do të ketë linjë të veçantë të furnizimin. Po flasim për tensionin e lartë ku do të jetë komplet nëntokësorë, 80% e linjës do të jetë nëntokësore. Lusim komunën e Junikut për durim, sepse linja do të jetë e gatshme deri në fund të nëntorit dhe të gjitha problemet aktuale do të tejkalohen”, ka theksuar ai.

Buzhala e pranon se KEDS u vonua me punët në Junik. Por, ai fajin nuk ia lë kompanisë që furnizon me rrymë Kosovën.

“Është fakt se ka shku ngadale, por nuk ka shku sipas neglizhencës, por si shkak i problemeve me shpronësime me vet qytetarët e Junikut, pra aty ku kalon traseja, ku kalon rrjeti kemi pasur konteste të ndryshme pronësore të cilat e kanë shty shumë projektin. Megjithatë, fatmirësisht ato janë zgjidhur dhe punët po shkojnë sipas normalitetit”, deklaron zëdhënësi i KEDS-it.

“Nuk po i përshpejtojmë punimet e as asgjë spo bëjmë vetëm pse ka reaguar kryetari, por dinamika është e tillë, ka qenë edhe më herët”, thekson ai.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Junikut Agron Kuçi në një prononcim për inFokus reagoi ashpër ndaj KEDS-it, duke e quajtur kompani të papërgjegjshme.

Ai tregoi se ka disa muaj që kanë probleme me rrymë, madje paralajmëroi se edhe do të protestojnë për këtë çështje, si dhe nuk do t’ia paguajnë më KEDS-it faturat. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera