“KE-ja e gatshme të punojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim”
Autori: Gazeta inFokus 18:31 | 14 February 2023
Në seancë plenare të Parlamentit Evropian të martën është zhvilluar një debat për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shumica e deputetëve u angazhuan që Komisioni Evropian të për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, në mënyrë që të mos hyjë përsëri në një fazë të ngadalshme, siç ka qenë në pesë vjetët e mëparshme.
Në këtë debat mori pjesë edhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Ai tha se viti i kaluar ishte një prej viteve më të frytshme në procesin e zgjerimit.
Në vitin 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat për anëtarësim në BE. Moldavia, Ukraina dhe Bosnjë e Hercegovina morën statusin kandidatit, ndërsa Gjeorgjia u cilësua si një kandidate potenciale.
Varhelyi kërkoi që edhe Parlamenti Evropian, për të mbajtur ritmin e duhur edhe këtë vit, duhet të japë sinjale pozitive për procesin e zgjerimit.
Ai, si dëshmi se BE-ja tash e ka prioritet vërtetë zgjerimit, përmendi edhe faktin se në katër takimet radhazi të Këshillit Evropian, zgjerimi ishte temë e diskutimit.
Varhelyi gjatë debatit është pyetur edhe për vendet e rajonit veç e veç. Një prej pyetjeve ishte edhe për “dosjen e Kosovës”, apo më saktësisht për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Por, a është problem për procesin e zgjerimit që Kosova nuk është njohur nga pesë shtetet e bllokut dhe a do të thotë kjo se Kosova nuk mund të lëvizë në procesin e integrimit.
“Të gjithë e dimë se cili është qëndrimi ligjor për statusin e Kosovës. Pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo ndikon në qasjen tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tash, Presidenca suedeze është duke shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati, por vendimi nuk na takon neve, por Këshillit”, u përgjigj ai.
Komisionari evropian u pyet edhe për atë që është cilësuar si “dështim i Kosovës” që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Do të ishte më së miri të përgjigjem duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian nga java e kaluar. Dhe aty u bë qartë se cilat janë kushtet për përparim në rrugën evropiane”, tha ai duke cituar pjesën e cila fton direkt që pa kushte të zbatohen të gjitha obligimet nga e kaluara, në veçanti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Rruga evropiane e Kosovës, sikurse edhe ajo e Serbisë, shkon përmes dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”, shtoi ai.
Për Malin e Zi, Varhelyi tha se ky shtet ka humbur disa vjet për shkak të ndasive të brendshme politike, që kanë penguar reformat.
“Për fat të keq, Mali i Zi i ka humbur deri tash më shumë se tre vjet pa progres domethënës në procesin e zgjerimit. Ky shtet ka qenë vend udhëheqës në proces. Por, për shkak të ndasive politike brenda shtetit, ky shtet nuk ka qenë në gjendje të lëvizë përpara në reforma, e si rrjedhojë as në procesin e negociatave të anëtarësimit”, tha ai.
Ai u pyet edhe për dështimin e Serbisë që të përshtatet me politikën e jashtme të BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë si dhe përhapjes së propagandës ruse në Serbi, por edhe rreth ndikimit të shërbimeve të zbulimit nga Rusia që ta destabilizojnë rajonin.
“Është e qartë se Serbia është vend kandidat dhe për të vlejnë kushtet e njëjta. Po ashtu edhe përshtatja me politikën e jashtme është kusht dhe kemi kërkuar nga Serbia të jetë në anën tonë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Është e qartë edhe politikisht për të gjithë ata që ndjekin procesin e negociatave me Serbinë, ky është ndoshta edhe problemi kryesor në negociata. Por, përshtatja në politikën e jashtme si kusht për suspendim formal të negociatave, mund të ketë ndikim jo të mirë dhe këtë e kemi parë në rastet tjera. Ky mbetet si mjet i fundit”, tha Varhelyi.
Komisionari evropian tha se BE-ja do të ndihmojë liderët politikë në Bosnjë e Hercegovinës për të zhvilluar dialogun politik, i cili do ta avanconte procesin e zgjerimit me këtë shtet pasi mori statusin e kandidatit. Ai tha se kriteret për hapat e ardhshëm do të lidhen qartë me përparimin në procesin e reformave.
Ai u pyet direkt edhe për qëndrimet e tij ndaj liderit të serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili mbështet hapur Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe kërcënon integritetin territorial të Bosnjës.
“Vetëm mund të përsëris qëndrimin tonë të shprehur më herët se të jesh krah Putinit në këtë kohë është diçka që e izolon ndërkombëtarisht Republikën Sërpska dhe udhëheqjen e saj. Nuk ka vend në Evropë për mbështetje të krimeve që bën Rusia në Ukrainë dhe mesazhi ynë është i qartë”, tha Varhelyi.
Sa i përket ideve për suspendimin e fondeve të BE-së për entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë, ai tha se kjo nuk është e lidhur me Rusinë, por me tërheqjen e serbëve të Republikës Sërpska nga institucionet e Bosnjë e Hercegovinës. Prandaj, tha ai, këto fonde lidhen me kthimin e tyre në institucione.
Deputetët nga Bullgaria pyeten se çfarë mund të bëhet për të ndalur atë që ata e quajnë “fushatë të urrejtjes ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”.
Varhelyi përmendi si kusht edhe respektimin e tolerancës dhe fqinjësisë së mirë dhe se Komisioni Evropian do ta monitorojë këtë. Por ai tha se edhe Qeveria në Shkup është e vetëdijshme dhe po vepron kundër urrejtjes ndaj qytetarëve që deklarohen si bullgarë.
Komisioneri Varhelyi u pajtua me deputetët që thanë se të tjerët do të mbushin hapësirat e zbrazëta që mund t’i krijojë BE-ja nëse dështon të stabilizojë dhe integrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor./REL
Të tjera
-
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet nëse KQZ-ja do të vazhdojë ta shkel ligjin
Lista Serbe ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka a...
-
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajtim mjekësor në QKUK
Të pakën 22 persona kanë mbetur të lënduar pasi një autobus ka përfunduar jas...
-
Haradinaj rrëfen momente të vështira nga Haga: Thaçin nuk e kam pa kurrë ashtu, ju tha gjithçka
Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka rrëfyer momentet e vështira...
-
Memli Krasniqi do të udhëheqë shtabin zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi do të udhëheqë pers...
-
Kelmendi e quan Muratin ‘ministër lazadran’: Poshtërsia s’paska kufinj, ky popull s’e duron talljen dhe fyerjen e dinjitetit
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar pas postimit të ministrit Hekuran Murat...
-
Reagon Lista Srpska: KQZ të veprojë sipas vendimit të PZAP për të na certifikuar
Lista Srpska ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë ...
-
Haradinaj për Krishtlindje viziton Pal Lekajn dhe ish-bashkëluftëtarin, Nik Hiseni
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se për Krishtlindje ka vizituar...
-
Ankesat e qytetarëve për ndërprerje të rrymës, Rizvanolli thotë se po ndodh për shkak të mbingarkesës së sistemit
Disa zona të Kosovës ditëve të fundit kanë mbetur për orë të tëra pa energji ...
-
Tre të lënduar nga aksidenti në magjistralen Pejë-Prishtinë, të përfshirë një autobus dhe një makinë
Zyra për media e Drejtorisë Rajonale e Policisë në Pejë kanë konfirmuar se në...
-
Reduktimet me rrymë, Syla: Dejona dhe Martin, meqë ka rrymë në veri, a po paguhet ajo?
Sekretari organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka r...
-
Pamje të rënda | Publikohen pamje të pasagjerëve pak minuta para rrëzimit të avionit në Kazakistan
Një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale ka zbuluar momentet e fundit të...
-
Mbesin pa ujë dy fshatra të Vushtrrisë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se fshatrat Bajskë d...