Lajme

KDI-ja dhe IKD-ja: Kushtetuesja duhet ta pezullojë punën e Kuvendit

Autori: Gazeta inFokus 10:22 | 15 September 2026

Konstituimi i kuvendit pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve, atë nga PDK-ja, mund të bëhet shkak që Gjykata Kushtetuese ta cilësojë si shkelje kushtetuese konstatimin e kryeparlamentares Albulena Haxhiu se kuvendi është i konstituuar.

Eksperti nga zyra ligjore e Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se në një rast të tillë, zgjedhja e nënkryetarëve do të kthehej në pikën zero. Sipas tij, edhe vitin e kaluarën ishin zgjedhur nënkryetarë të kuvendit në kundërshtim me Kushtetutën.

“Është një përcaktim i qartë nga ana e Gjykatës Kushtetuese se kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur i ka të zgjedhur kryetarin dhe të gjithë nënkryetarët, pa përjashtim. Ne kemi pasur raste vitin e kaluar që, përmes procedurave të manovruara, janë zgjedhur nënkryetarët në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Bugaqku.

-Advertisement-

Përveç shkeljeve kushtetuese me konstituimin e kuvendit pa u zgjedhur edhe njëri prej nënkryetarëve, eksperti tjetër i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, thotë se LVV-ja shkeli edhe afatin kushtetues 30-ditor për konstituimin e kuvendit. Shala vlerëson se ishte e paarsyeshme mosvotimi nga LVV-ja i kandidates për nënkryetare të Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku.

“Subjekti më i madh, LVV-ja, e ka shkelur afatin 30-ditor për konstituimin e kuvendit. Është e paarsyeshme se përse shkelet ky afat, përderisa i ka pasur votat e mjaftueshme. Gjykata Kushtetuese tani ka mundësi që të përcaktojë nëse ka pasoja për shkeljen e këtij afati. Mënyra se si u soll LVV-ja nuk ishte në frymën e bashkëpunimit”, tha Shala për rtv21.

Pavarësisht se u konsiderua hap i ngutshëm dhe jo kushtetues konstatimi i kryeparlamentares Albulena Haxhiu për konstituimin e kuvendit, LVV-ja ndërmori hapa të mëtejmë, duke thirrur një seancë tjetër gjatë së dielës për zgjedhjen e qeverisë.

Për këto veprime, njohësit e Kushtetutës dhe ligjeve thonë se kanë efekte zinxhirore. Sipas Vullnet Bugaqkut nga KDI-ja dhe Gëzim Shalës nga IKD-ja, nëse Gjykata Kushtetuese e cilëson si kundërkushtetues konstituimin e kuvendit në këtë rast, rrëzohet edhe qeveria “Kurti”.

“Nëse konstatohet që Kuvendi është i pakonstituuar, atëherë i bie që komplet vendimmarrja e Kuvendit është e pavlefshme.”, deklaroi Bugaqku.

“Në rastin e qeverisë “Hoti”, është rrëzuar qeveria, por kanë mbetur në fuqi vendimet që ka marrë qeveria”, tha Shala.

Në seancën e së premtes, PDK-ja kishte propozuar për nënkryetare të kuvendit Vlora Çitakun, por zgjedhja e saj nuk ishte mbështetur nga deputetët e LVV-së. Ky veprim bëri që grupi parlamentar i PDK-së të bojkotojë vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa çështjen e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy