Lajme

Katër marrëveshjet nga Procesi i Berlinit që Kancelarët gjermanë ia kërkojnë Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 18:36 | 04 May 2022

Pavarësisht ndërrimit të pushtetit në Gjermani, kërkesat e Qeverisë Federale ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket Procesit të Berlinit mbesin të njëjta. Në mesin e viti të kaluar, kur në pushtet ishte ende kancelarja Merkel, Berlini kërkonte që liderët e Ballkanit Perëndimor t’iu përmbaheshin zotimeve të tyre sa i përket finalizimit të negociatave të marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit, e ku si më i rëndësishëm është krijimi i Tregut të Përbashkët Rajonal.

Ndërkohë, ishte theksuar se duhej zbatuar edhe tre marrëveshje të tjera, që janë liria e udhëtimit me kartela të identitetit, liria e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohja e kualifikimeve akademike.

Në një përgjigje për Gazetën Express më 11 gusht 2021, një zëdhënës i Qeverisë Gjermane, kishte thënë se kancelarja Angela Merkel kishte kërkuar me urgjencë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të punojnë në përmbushjen e marrëveshjeve të lartpërmendura përpara se të mbahej Samiti BE-Ballkan Perëndimor në tetor të vitit 2021, meqë ashtu kishin premtuar në Samitin e Proesit të Berlinit që ishte mbajtur më 5 korrik të atij viti.

“Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Siç nënvizoi kancelarja gjermane, Merkel, gjatë konferencës së shtypit pas Samitit të Procesit të Berlinit më 5 korrik, përpjekjet duhet të ridyzohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në samitin BE – Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, kishte thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane në pyetjen e Gazetës Express se si qeveria gjermane e sheh iniciativën e “Open Balkan” dhe nëse shtetet tjera duhet t’i bashkohen një nisme të tillë.

E kur gati ka kaluar një vit, dhe në Gjermania qeverise nga një kancelar tjetër, kërkesat e Berlinit zyrtar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor mbesin të njëjta. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në konferencën e përbashkët të mbajtur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se në pjesën e dytë të këtij viti do të synojë që të ringjall Procesin e Berlinit. Scholz ka thënë se shpreson që do të arrijnë të përfundojnë katër marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, duke përmendur, Tregun e Përbashkët Rajonal, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave profesionale.

“Me procesin e Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Këtë dëshiroj ta bëj së bashku me partnerët me një ftesë në Berlin, në pjesën e dytë të vitit, dëshiroj ta ringjalli me një ftesë. Projekti aktual më i rëndësishëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesi të Berlinit është krijimi i një Tregu të Përbashkët rajonal. Shpresojmë që të do të arrijmë të përfundojmë me shpejtësi katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale. Siç e shihni, patëm shumë tema, dhe gëzohem që do t’i vazhdojë ato në një vizitë në Prishtinë”, ka thënë Scholz në konferencë për media pas takimit të 4 majit.

Scholz thotë se nga bisedat që ka pasur me Merkelin e di që Procesi i Berlinit mirëpritet nga vendet e Ballkanit, duke paralajmëruar kështu një aktivizim në pjesnë e dytë të këtij viti. Derisa ka paralajmëruar një vizitë në rajon e që pritet të ndodh së shpejti.

“Unë e di nga bisedat që i kam zhvilluar, dhe nga paraardhësja ime qe procesi i Berlinit vlerësohet shumë nga shtetet e Ballkanit, që shtetet pjesëmarrëse marrin pjesë me dëshirë në procesin e Berlinit, e di edhe nga kontaktet me shtetet. Ne po përgatitemi që ta bëjmë në pjesën e dytë të vitit, unë do të shkoj së shpejti në rajon, dhe pjesërisht kam takuar liderët, dhe ne do të kemi një bazë të mirë, që bashkëpunimi atje të funksionoj dhe që të arrijmë rezultate të mira. Duhet arritur së bashku. Ne kemi një interes të madh, që unë ta bëj këtë dhe unë do ta bëj”, ka thënë tutje Scholz.

Derisa kryeministri Kurti, në fjalën e tij ka thënë se e përkrah Procesin e Berlinit, dhe se është kundër iniciativave tjera paralele si “Open Balkan”.

“Biseduam edhe për Bashkëpunimin Rajonal. Për Kosovën Bashkëpunim Rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por përshpejtim. Ne mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe mirëpritëm përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re. Po ashtu ne mbështesim Tregun e Përbashkët Rajonal i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të BE-së, është gjithëpërfshirës, i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativa tjera paralele.Për Kosovën është e rëndësishme që në këtë proces qytetarët të jenë përfituesit përfundimtarë, saktësisht siç e tha edhe kancelari Scholz. Barazia e palëve dhe trajtimi i barabartë është i rëndësishëm, kurse njohja e dokumenteve është qenësore për të zbatuar çfarëdo marrëveshje që arrihet”, ka deklaruar Kurti sot.

Mbështetje për Procesin e Berlinit dhe kundërshti për “Open Balkan”, Kurti kishte dhënë edhe gjatë takimit që kishte pasur me Angela Merkelin sa kishte qenë kancelare e Gjermanisë gjatë vitit 2021.

“Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe njëkohësisht i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera. Iniciativat rajonale nuk besojmë se duhet të bëhen pa BE-në brenda. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është që në të dytën nuk e keni BE-në”, kishte thënë Kurti pas takimit që kishte pasur me kancelaren Merkel vitin e kaluar.

Të tjera