Lajme

Katër kushte për Kosovën që t’i pranohet aplikimi në Komitetin e Ministrave të KiE?

Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 07 June 2022

Disa kërkesa në formë kushtesh do të duhet t’i plotësojë Kosova pas aplikimit në Këshillin e Evropës, në mënyrë që ky aplikacion të pranohet nga Komiteti i Ministrave për procedim tek Asambleja e Përgjithshme e KE’së.

Në një dokument diplomatik që e ka parë Gazeta Online Reporteri.net, tregohet se Qeverisë së Kosovës i është bërë e qartë se Kosova duhet t’i ndërmarrë disa hapa në lidhje me ato që në dokument quhen probleme, para se aplikimi të pranohet në KE.

Katër nga kërkesat kanë të bëjnë me votimin në Kuvend të Ligjit për Liri Fetare dhe atij për Trashëgimi Kulturore, në pajtim me rekomandimet e komisionit të Venecias të vitit 2014. Theksohet se Institucionet e Kosovës, përveç se duhet ta hartojnë dhe votojnë në Kuvend ligjin për Trashëgimi Kulturore, në ligj duhet të përfshihen edhe pikat e Pakos së Ahtisarit.

-Advertisement-

Gjithashtu, nga Këshilli i Evropës, Kosovës i është kërkuar edhe leja për Kishën Ortodokse Serbe për rindërtimin e Kishës së Shën Nikollës në Prizren. Dhe, kushti tjetër që duhet ta përbush Kosova para pranimit të aplikacionit në Këshillin e Evropës është që Qeveria e Kosovës ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pronat e Manastirit të Deçanit.

Gazeta Online Reporteri.net jua sjell të përkthyera në gjuhen shqipe katër hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë, të cilat dokumenti tregon se tashmë janë diskutuar në mes palës kosovare dhe zyrtarëve të KE-së. Ato janë:

“1) Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë Ligjin për Liri Fetare dhe Trashëgimi Kulturore në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias të vitit 2014;

2) Pasi Ministria e Kulturës dorëzon draftin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore në bashkëpunim me grupin ndërkombëtar këshillues (BE, OSBE, dhe SHBA), Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë menjëherë këtë Ligj, përfshirë pikat e Pakos së Ahtisarit;

3) Qeveria e Kosovës duhet ta përfshijë Kishën Ortodokse Serbe (KOS) në një diskutim përmbajtjesor dhe produktiv në lidhje me meritat e anëtarësimit në UNESCO, dhe njëherit t’i përmbushë obligimet ndaj KOS në pajtim me Planin e Ahtisarit dhe ligjin. Kjo shtrirje mundësohet së pari duke i dhënë leje Kishës Ortodokse Serbe për ta rindërtuar Kishën e Shën Nikollës në Prizren në mënyrë që pjesëtarët e Këshillit të Monitorimit dhe Implementimit të mund të takohen;

4) Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë të drejtat kushtetuese dhe zonat e veçanta nën mbrojtje për sa i përket ndërtimit të rrugës ngjitur me Manastirin e Deçanit”.

Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar konfirmim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Ministria e Jashtme nëse Kosova i ka pranuar këto kushte, por se nuk ka marrë përgjigje.

Vlen të ceket se aktualisht në krye të Qeverisë së Kosovës është Kryeministri Albin Kurti, i cili njihet si kundërshtar i planit të Ahtisarit. Madje, ai edhe kishte protestuar kundër pakos e cila i solli Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë dhënë as sinjale për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, vendim ky që i njeh Manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë, përkundër thirrjeve të SHBA-ve dhe vendeve tjera të QUINT-it për zbatimin e tij.

Në një nga deklarimet e tij, shefi i ekzekutivit ka pohuar se në rastin e Manastirit të Deçanit duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet. Ai ka shtuar se kontesti për Manastirin e Deçanit e ka burimin tek një vendim i Qeverisë së Serbisë të vitit 1997.

Ndryshe, Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet. /Reporteri.net/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera