Fokus

Katedra e Kirurgjisë së Fakultetit të Mjekësisë pa profesorë: Rregullore kontradiktore, presione dhe emërime komisionesh në kundërshtim me rregulloren (DOKUMENT)

Autori: Islam Morina 18:59 | 08 November 2021

Fakultetin e Mjekësisë në Kosovë, Katedrën e Kirurgjisë, paslufta e gjeti me 19 profesorë të kirurgjisë, ndërsa sot kjo katedër ka mbetur pa profesorë të kësaj lëmie.

I fundit që u pensionua nga 19 profesorët e kirurgjisë ishte Arsim Morina, në shtator të këtij viti.

Momentalisht kjo katedër ka mbetur vetëm me këta 12 asistentë: Ass.Dr. Asstrit Hamza, Ass.Dr. Agon Mekaj, Ass.Dr.Enver Fekaj, Ass.Dr. Halit Maloku, Besnik Bicaj, Ass.Dr. Fahredin Veseli, Ass.Dr. Petrit Nuraj, Ass.Dr. Lulzim Vokrri, Ass.Dr. Laura Leci, Ass.Dr. Floren Kavaja, Ass.Dr. Shkëlzen Duçi dhe Ass.Dr. Ylber Zejnullahu, raporton Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Të gjithë këta asistentë kanë një përvojë disa vjeçare dhe janë kandidatë potencial që mund të avancohen në pozitën e Profesorit, por problematike po del të jetë përzgjedhja e tyre për shkak të dështimit të komisioneve vlerësuese për përzgjedhjen e 5 prej tyre në këtë pozitë.

Dështimit të komisioneve si duket u ka paraprirë ndryshimi i Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”, të datës 16.02.2021.

Kjo rregullore vë standard të ri në përzgjedhjen dhe emërimet e stafit akademik duke penalizuar kandidatët që kanë më shumë se dy punime shkencore dhe duke i dëmtuar ata në numrin e pikëve që do të mund të merrnin nga puna e tyre shkencore dhe publikimet e tyre në Revista Shkencore dhe duke rënë në kundërshtim të thellë me vetveten.

Neni 12 i rregullores, paragrafi 22 thotë se: “Komisioni vlerësues është i obliguar që t’u japë përparësi kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret e nevojshme dhe të cilët, bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit të tyre shkencor, profesional dhe akademik, janë më të mirë ne krahasim me kandidatet e tjerë. Komisioni duhet të arsyetojë rekomandimin e bërë në frymën e këtij paragrafi”, por shtojca IV që edhe bënë llogaritjen finale për avancim përcakton dhe vë limite te numri i pikëve në vlerësimin e vetëm dy punimeve shkencore të kandidatit.

Kjo shtojcë bie ndesh me vet nenin 12-të paragrafin e 22-të ,të rregullores dhe barazon mundësitë e kandidatëve në grumbullimin e pikëve nga puna e tyre shkencore, që nënkupton se pikë të barabarta merr si kandidati që ka vetëm dy punime të publikuara në revista shkencore të indeksuara në platformën Web of Science, ashtu edhe ai që ka më shumë se dy punime të publikuara sipas këtij kriteri, duke eliminuar kështu mundësinë e përzgjedhjes së kandidatit më të mirë në këtë pozitë.

Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”, të datës 16.02.2021 e gjeni KËTU

Por kjo nuk është e vetmja pengesë që ka bërë që komisionet radhazi të dështojnë në përzgjedhjen e 5 profesorëve të kërkuar nga Katedra e Kirurgjisë. Pas shpalljes së konkursit të datës 17.05.2021, në emërimin e komisioneve janë bërë edhe shkelje tjera si ajo e emërimit për kryetar të komisioneve profesorë jashtë katedrës së kirurgjisë, gjë që nuk lejohet me rregullore.

Fillimisht nga katedra ishte propozuar një komision në përbërje të Prof.dr. Arsim Morina, Prof.dr. Hasan Ahmeti, Prof.assoc. Hysni Arifi, propozim ky që u ndryshua në kundërshtim me rregulloren nga Këshilli Mësimor- Shkencor i Fakultetit të Mjekësisë, duke ndryshuar përbërjen dhe emëruar, Prof. dr. Arsim Morina- kryetar, Prof. dr. Nexhmi Hyseni-anëtar dhe Prof.assoc. Hysni Arifi- anëtar.

Ky ndryshim bie ndesh me rregulloren, konkretisht me nenin 12, paragrafi 5 ku thuhet shprehimisht se: “Komisioni vlerësues emërohet nga këshilli i fakultetit, bazuar ne propozimin e katedrës, degës, departamentit ose programit. Përjashtimisht, kur është e pamundur që propozimi të bëhet nga katedra, dega, departamenti ose programi, komisioni vlerësues ose anëtari i komisionit vlerësues emërohet direkt nga këshilli i fakultetit”.

Ky komision kishte dështuar në përzgjedhjen e profesorëve për lëndën e kirurgjisë pasi Arsim Morina ishte përjashtuar nga komisioni, gjë që i parapriu formimit të një komisioni të dytë.

Edhe ky komision emërohet nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë me shkeljen e dyfishtë të rregullores, fillimisht duke emëruar përbërjen e komisionit pa propozimin e katedrës dhe shkelja tjetër e rregullores bëhet me emërimin e kryetarit të komisionit vlerësueses, Prof.dr. Qazim Hyseni- specialist i ORL-së dhe jo të një profesori nga katedra e kirurgjisë.

Kujtojmë se ne nenin 12, paragrafi 11, shprehimisht thuhet se:“ Në mungesë të numrit të mjaftueshëm të profesorëve si në paragrafin 8 dhe 9 të këtij neni, në përbërje të komisionit vlerësues mund te emërohen edhe profesorë nga katedra, degë, departamente ose programe tjera, por në këtë rast kryetari i komisionit duhet të jetë nga radha e profesorëve të katedrës, degës, departamentit ose programit, për të cilin janë duke u vlerësuar aplikacionet”.

Pas presioneve të vazhdueshme nga ky komision tërhiqet kryetari i komisionit Qazim Hyseni për të cilin Gazeta Infokus nga burimet e veta ka mësuar se është përballur me presione të vazhdueshme.

Për përzgjedhjen e 5 profesorëve për lëndën e kirurgjisë sërish nga Këshilli Mësimor, formohet edhe një komision i tretë dhe prap duke shkelur rregulloren dhe anashkaluar katedrën e kirurgjisë, të cilës nuk i kishte kërkuar propozim fare.

Komisioni ishte emëruar në këtë përbërje: Prof assoc. Rame Miftari- kryetar, Prof. dr. Nexhmi Hyseni- anëtar dhe Prof.assoc. Hysni Arifi- anëtar. Ky komision sheh fundin e punës së tij në momentin kur Nexhmi Hyseni, kishte dhënë dorëheqje nga komisioni.

Madje Hyseni në dorëheqjen e tij me një arsyetim të gjatë radhitë arsyet e tij të dorëheqjes, përfshirë edhe presionet e ndryshme të bëra nga shumë anë në punën e tij profesionale e të pavarur të vlerësimit, e shkeljet e Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”.

Pas dorëheqjes së Hysenit nga Komisioni Vlerësues, Këshilli Mësimor i Fakultetit të Mjekësisë, duke parë se janë shteruar të gjitha mundësitë për përzgjedhjen e 5 profesorëve në konkursin e shpallur të 17 majit 2021, i drejtohet Rektoratit të UP-së që ta gjejë një zgjidhje.
Rektorati i drejtohet Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë që të emërojë dy anëtarë në komision për vlerësimin e kandidatëve, gjë që kishte marrë përgjigje pozitive.

Kësisoj Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Arben Gjata, emëron dy profesorë nga katedra e tij që të jenë pjesë e komisionit vlerësues në cilësinë e anëtarit. Pas kësaj formohet komisioni i katër me përbërje të: Prof. assoc. Rame Miftari- kryetar, Prof. dr. Etmont Celiku- anëtar dhe Prof. Enton Bollano- anëtar, të dy këta nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë.

Mirëpo edhe këtu ka parregullsi, pasi anëtarëve të komisionit nga Tirana nuk u epet një afat zyrtar se kur duhet të përfundojnë punën e tyre vlerësuese për kandidatët.

Pa i lajmëruar paraprakisht për një afat përfundimtar se kur duhet të përfundojnë vlerësimin e secilit kandidatë, më 18 tetor të këtij viti, Këshilli Mësimor i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, edhe pse tashmë çështja i ka kaluar rektoratit të UP-së, konstaton se profesorëve nga Shqipëria, u ka skaduar afati për vlerësimin e kandidatëve.

Në një komunikim mes strukturave të Dekanati të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe Rektorit të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, të cilin Gazeta Infokus e ka siguruar, shihet qartë se profesorët shqiptarë nuk kanë pasur një afat të përcaktuar zyrtar se kur duhet ta përfundojnë punën e tyre, por edhe përkundër kësaj Rektorati i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, shprehet i gatshëm që të vazhdojë bashkëpunimin në këtë çështje.

Me një email Rektori i UP-së, në Prishtinë, duke injoruar gatishmërinë e kolegëve të tyre nga Tirana, i informojnë ata se tashmë ka kaluar afati dhe se do të shikojnë mundësitë që të gjejnë bashkëpunim e universitetet tjera partnere për këtë çështje.


Gazeta Infokus ka mësuar nga burimet e veta brenda Katedrës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, se Këshilli Mësimor i kësaj katedre, ka planifikuar që gjatë kësaj të marte të mbajë mbledhjen e radhës ku pritet të emërohet komisioni i ri vlerësues dhe të përcaktohet se me cilin universitet partner të vazhdohet bashkëpunimi në emërimin e dy anëtarëve të rinj në këtë komision.

Infokusi po ashtu mëson nga burimet e veta se e gjithë kjo katrahurë në një konkurs të thjeshtë për avancim të kuadrit, po bëhet me qëllim që në 5 pozitat e profesorit të emërohen emra të përcaktuar dhe të eliminohen nga konkurrenca emra të respektuar të kirurgjisë dhe shkencës, që kanë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë lëmi dhe janë anëtar të respektuar të bordeve të revistave ndërkombëtare shkencore.

Gazeta Infokus u ka dërguar pyetje Rektorit të UP-së, Naser Sahiti dhe Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka – Kerliu, por që deri në momentin kur po raportojmë nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera