Opinione

‘Kashagitja’ e meshkujve si masë korrektuese

Autori: Gazeta inFokus 18:47 | 23 September 2022

Fjala kashagitje do të thotë krehje e kuajve. Ndërkohë që edhe rrahja brutale e meshkujve nëpër familje të tynehershit quhej me ironi ‘kashagitje’.

Shkruan: Agron HOTI

‘Kashagitja’ aplikohej kundër atyre meshkujve që konsideroheshin të kishin dalë nga ‘braza’ apo nga ‘gllajzi’ që vjen nga fjala gjermane “Gleis” (“peron” i trenit, gjersa në fakt mendohej për binarët e trenit). Pra, një mashkull që dilte nga “binarët e trenit”, pra që nuk u bindej kritikave dhe urdhërave hierarkike të familjes së kohës, duhej patjetër t’i nënshtrohej masës korrektuese të ‘kashagitjes’. ‘Kashagitja’ apo dajaku ishin për kohën kushtetutë, ligj e çfarë të duash.

-Advertisement-

Ishte kjo koha pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vite të 80-ta ku fshatrat në Kosovë po kalonin nëpër një gjendje mbijetese të paparë socio-ekonomike. Pa qasje në arsim, shëndetësi e shërbime tjera publike, fshatrat shqiptare në ish-Jugosllavi po përjetonin përjashtimin social ndër më të madhin në Evropë. Ishte kjo koha kur familjet kishin shumë anëtarë brenda tyre dhe se pa rregulla të caktuara rangjesh e hierarkirash shihej si e pamundur t’i drejtoje ato.

Dhe mbi bazën e asaj gjendjeje tepër të rëndë, familjet po jetonin jetë rangjesh e hierarkirash sociale të rënda. Po nuk i respektoje ato, sigurisht që masat sanksionuese ishin tejet të rënda. Duheshin disa leje për t’i marrë në familje shumë-anëtarëshe për të mund shkuar në qytet, te një mik apo shok. Thjeshtë, në familje të mëdha jetoje vetëm si numër dhe asgjë më shumë. Lindnin shumë fëmijë sepse shumë vdisnin nga kushtet tepër të vështira për jetesë, prandaj duheshin sa më shumë fëmijë për të të mbetur disa gjallë. Numri i madh i fëmijëve shihej vetëm si fuqi punëtore e jo si patriotizëm siç mundohemi ta arsyetojmë sot vitalitetin tonë demografik të asaj kohe.

Të kthehemi te ‘kashagitja, pra te rrahja e meshkujve që ishte përditshmëri. Të rrihnin në shtëpi, në shkollë, në shoqëri dhe çdokund. Jetoje me rrahjen dhe me brutalitetin e kohës. Fëmijët, gratë, vajzat ishin shtresa më e shkelur e shoqërisë. Meqë kishte kësi brutaliteti, atëherë edhe thuhej me ironi se filan mashkulli qenka bërë për t’u ‘kashagitur’, pra për t’u dërmuar me dajak.

Prandaj, politikat familjare të ‘kashagitjes’ përbëheshin prej disa hapash:

– së pari krijohej ‘fryma’ në familje se pse filan mashkulli duhej ‘kashagitur’ për ta rivënë atë në binarë;
– për ‘kashagitje’ caktohej vendi, koha dhe skuadra e ‘kashagitjes’;
– drejtues i skuadrës së ‘kashagitjes’ zgjedhej zakonisht mixha, sepse godiste më pa dhimbje, por jo rrallë bëhej vetë babai i djalit prijës skuadre, prindër të tillë quheshin në atë kohë katila (të pashpirtë);
– urdhëri për ‘kashagitje’ jepej nga i zoti i shtëpisë, ndërkohë që zbatuesit e urdhërit, apo thënë më mirë skuadra ‘kashagitëse’ ishin meshkujt e të njëjtës familje që duhej ta dërmonin mashkullin e pabindur të shtëpisë. E tëra kjo duhej të kryhej me jo shumë zhurmë.

Siç rrëfenin pleqtë në vite të 80-ta procedura e ‘kashagitjes’ zakonisht kryhej natën në ahur të bagëtive, sa më larg syve të anëtarëve të familjes dhe fqinjëve, në mënyrë që mos të merrej vesh çfarë po ndodhte. Por, jo vetëm në ahur, edhe arat e malet ishin vendi ‘ideal’ për ‘kashagitje’. Krejt ideja ishte që rrethi familjar mos ta merrnin vesh se kishte ndodhur ‘kashagitja’, sepse problemet familjare duhej të mbaheshin të mbyllura sikur me dry edhe atë me çdo kusht. Prandaj, edhe sot i kemi të shtresuara problemet sociale, për të cilat askush nuk flet.

Mënyra se si kryhej ‘kashagitja’ ishte bizare:

– si fillim shkonin meshkujt me dajeqë dhe pozicionoheshin thellë në terr në ahur të bagëtive;
– pastaj, dikush më me autoritet në familje me mjeshtri e ‘ftonte’ mashkullin që kishte dalë nga ‘gllajzi’ kinse për të shikuar ndonjë ‘avari’ në ahur të bagëtive. ‘Avari’ në ahur konsiderohej kur ndonjëra nga bagëtitë ia dilte ta hiqte litarin nga qafa dhe pastaj aty bëhej rrëmujë e vërtetë lufte mes kafshësh dhe ku patjetër duhej ndërhyrja e anëtarëve të familjes, kryesisht çobanit që kishte përvojë me bagëti;
– sapo futej mashkulli në ahur, kërciste dajaku e bëhej rrëmujë, bërtimë në të gjitha anët. Nëse edhe bagëtia bërtiste nga tmerri, ishte shenjë e mirë për neutralizimi e ofshamave të mashkullit që po ‘kashagitej’. Shpejtësia ishte aty vendimtare, në mënyrë që mashkulli i shtëpisë mos të arrinte as t’i identifikonte tërësisht anëtarët e skuadrës ‘kashagitëse’, sepse kjo pastaj mund të kishte pasoja sociale hakmarrëse mes meshkujsh të të njëjtës familje.
– goditja duhej të ishte kryesisht në trup, në mënyrë që mashkulli mos të dukej që kishte ndonjë shenjë në kokë që konfirmonte ‘kashagitjen’ dhe pastaj nahia (rrethi) do ta kuptonte që filan familja kishte probleme të brendshme, e nëse ndodhte kjo, atëherë kjo ishte humbje fytyre (loose of face) për atë familje;
– pas ritualit, mashkullit të ‘kashagitur’ i hidhej ca ujë për t’u kthjellë ca dhe për të shkuar në ndonjë qoshe për të fjetur;
– të nesërmen mashkulli i ‘kashagitur’ duhej të dilte në punë nëpër ara bashkë me të gjithë meshkujt e tjerë të familjes.

Sigurisht që ‘i kashagituri’ do t’i mbante hundë e buzë bashkë nga nervoza e dërmimi, por kjo s’kishte fare rëndësi për të zotin e shtëpisë. Për të zotin e shtëpisë kishte rëndësi kjo: a kishte ndikuar ‘kashagitja’ për ta rivënë në ‘gllajzi’ mashkullin apo jo? Nëse mashkulli po punonte siç duhet dhe po u bindej urdhërave të eprorit familjar, atëherë mesazhi ishte marrë. Nëse jo, pasonte ‘kashagitja’ e radhës. Jo rrallë ka ndodhur që gjatë rrahjeve brutale të kenë mbetur njerëz të ndryshëm me të meta mentale apo me ndonjë sakatllëk nëse jo edhe shumë më keq.

Kështu mbahej rendi shtëpia tyneherë. E sot, asi brutalitete as që paramendohen. Sigurisht që dhuna nuk është zhdukur, por mënyra e jetesës është me vitdrite më normale dhe pse jo shumë më sociale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera